Berisha: Asnjë qytetar me të ardhura nën nivelin 2 dollarë në ditë
Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia, i cili rrit ndjeshëm nivelin bazë të së ardhurës nga papunësia, duke e çuar atë në 6 340 (gjashtë mijë e treqind e dyzet) lekë në muaj. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 54, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, dhe të nenit 8, të ligjit nr. 10 025, datë 27.11.2008, Për buxhetin e vitit 2009, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave vendosi rritjen e nivelit bazë të të ardhurës nga papunësia.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në grupin 25, titulli 10550, Tregu i punës. Në lidhje me këtë vendim, kreu i qeverisë Berisha ka siguruar se brenda 4 viteve nuk do të ketë më asnjë qytetar shqiptar me të ardhura nën nivelin e 2 dollarëve në ditë. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, rritja që barazon të ardhurën nga papunësia me 50 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, ( 9000 lekë,) bëhet në kuadër të përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar. Po ashtu, gjatë mbledhjes së djeshme, qeveria shqiptare ka miratuar edhe vendimin për rritjen e trajtimit për personat me statusin e të verbrit. Ky vendim rrit pagesën për personat që kanë statusin e të verbrit dhe të kujdestarëve të tyre nga 8700 lekë në muaj që është aktualisht në 9800 lekë në muaj. Gjithashtu vendimi parashikon indeksimin e kësaj pagese çdo vit me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr. 8089, datë 28.3.1996, Për statusin e të verbrit, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, dhe të nenit 12, të ligjit nr.10 025, datë 27.11.2008, Për buxhetin e vitit 2009, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave. Në fjalinë e parë, të pikës 4, të vendimit nr. 277, datë 18.7.1997, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shuma ... 8 700 (tetë mijë e shtatëqind) lekë... zëvendësohet me ... 9 800 (nëntë mijë e tetëqind) lekë.... Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 123 000 000 (njëqind e njëzet e tre milionë) lekë, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të vitit 2009.