E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana Evropine e Bashkisë

Nga Fitnete GRUDA*
Të shikosh bukur qytetin ku jeton  nuk ka më mirë. Askush, mendoj, nuk do të nguronte të falendëronte atë që e bënte të tillë qytetin, pavarësisht simpative partiake. Shpesh kryetari i bashkisë apo zëdhënës të tij dalin në media duke përdorur shprehje: Tiranës po i japim vizionin e një qyteti Evropian etj., duke e ilustruar me thënie të trajtës: U ndërtua një shesh pushimi në këtë lagje, një lulishte në atë lagje; u mbollën kaq e aq pemë. Të gjitha këto kur i dëgjon të gëzojnë dhe të bëjnë të ndihesh mirë që kryeqytetit po i bëhen shumë ndryshime. Mirëpo një ndodhi e një dite më bëri të fusja në thonjëza fjalën Evropiane. Tek nxitoja për në punë një mëngjes, më kish mbetur një biletë e autobusit urban dhe një letër që mu desh ti hidhja. Fatkeqësisht nga Rozafa deri tek sheshi tek Xhamlliku, nuk po gjeja një kosh plehrash. Aty e gjeta një por më pas vendosa të vëzhgoj këtë fenomen. Duke ecur deri tek shkolla Xhezmi DELLI përsëri pashë të njëjtën gjë. Para ca kohësh, Kryebashkiaku inaguroi sheshin e pushimit. Hodha sytë nëse aty mund të kishin vënë ndonjë kosh, por më kot. Ditën tjetër vëzhgova nga afër sheshin për siguri, por aty pashë plehra të shumtë të hedhur anash stolave dhe jo kosha. Është për të ardhur keq. Në shkolla ne bëjmë punë edukative që në klasën e parë që nxënësit të mbajnë pastër mjedisin; Madje shpesh këtë ne e kujtojmë me postera Mbani pastër mjedisin, Mos hidhni mbeturina në tokë etj. Por në kushtet e sipërpërmendura ato nuk kanë mundësi konkrete zbatimi, sapo dalin në rrugë. Shkolla gjen mundësi për të vënë kosha në klasa, në korridore, WC e oborr. Kur del në rrugë fëmija, gjersa nuk e gjen koshin do detyrohet ti hedhë plehrat në rrugë. Kësisoj mund të themi, atë që shkolla e familja krijon me aq mund, e prish Bashkia për një mosvëmendje të saj. Nëse do ta lezojë këtë shkrim, z. Rama me siguri do të thotë: Po dhe me koshat e plehrave unë do merrem?! Vërtet z. Rama nuk do merret me këto gjëra, por në Bashki ka drejtori përkatëse që mbikqyr këto fenomene. Madje në funksionet e Bashkisë, në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike është specifikuar: Grumbullimi, largimi dhe përpunimi i mbeturinave (Këtë mund ta gjeni duke klikuar në google, Bashkia Tiranë). Kështu që kujdesi dhe serioziteti duhet filluar që në përzgjedhjen e firmave që pastrojnë kryeqytetin. Zëdhënësit e Bashkisë deklarojnë në media, që z. Rama inspekton çdo pjesë të Tiranës duke u takuar me qytetarë. A nuk i ka rënë në sy kjo gjë zotit Rama qoftë dhe thjeshtë si qytetar?! Kur këto gjëra vërehen në qendër të Tiranës; cndodh në periferi të saj...?! Po jap një shembull të periferisë. Në zonën e Shkozës, në pellgun e të ardhurve, në rrugën Shote GALICA, në pjesën e sipërme të saj, nuk ka asnjë kazan plehrash e jo më kosha  që kalimtarët të hedhin mbeturinat. Banorët detyrohen të mbledhin plehrat e ti çojnë deri tek firma Kamberi pasi aty ka kazanë, dhe këto banorë duhen falendëruar. Por ka vende ku sheh grumbuj mbeturinash (pasi dhe durimi i qytetarit dikur humbet) e që  askush nuk kujtohet ti heqë. Pale, kur bëhet fjalë për WC publike, ato mungojnë dhe në qendër jo më në rrethina. Kapa këtë temë pasi ka të bëjë në mënyrë direkte me shëndetin e qytetarit dhe edukimin e brezit të ri. Duke iu referuar këtyre që thashë më lind e drejta të them: Së pari, se ndërtimi i ndonjë sheshpushimi, mbjellja e pemëve, lyerja e pallateve  vetëm në  zemër të Tiranës bëhen për fasadë, për tu përdorur në rast fushate, ja shikoni cpo bëjmë, kur nuk bëhet kujdes për shëndetin e njeriut, pasi ai (shëndeti) është parësor. Së dyti, se Bashkia nuk po kryen siç duhet funksionet e saj, pasi siç e përmenda më lart fenomeni i mësipërm është pjesë e funksioneve të saj. Ne po përgatisim një brez që do përballet me standarde evropiane në të gjitha fushat e jetës. Të kontribuojmë të gjithë  pozitivisht në formimin e tij, me të gjitha mënyrat e mundshme pa diskutuar ato të detyrueshme. Le të fillojmë nga ato që sapo përmenda, të vazhdohet me të tjerat, por jo vetëm në qendër të saj dhe atëherë mund ta quajmë Tiranën evropiane.
 
*Drejtoreshë, shkolla Xhezmi DELLI Tiranë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›