Legalizimet, rritet tarifa e shërbimit
Qeveria miratoi dje çmimin e ri të tarifës së shërbimit për procesin e legalizimit të banesave informale. Në vendimin e ekzekutivit theksohet se tarifa e këtij shërbimi tashmë do të jetë 4000 lekë për çdo kat të objektit, nga 4000 lekë në total që ishte kjo tarifë për të gjithë ndërtesën që kërkohej të legalizohej. Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje, është në vlerën 4000 (katër mijë) lekë për çdo kat të objektit pa leje/shtesës informale në ndërtime me leje”, theksohet në draftin e tij të Këshillit të Ministrave. Në këtë mënyrë banorët, të cilët kanë për të legalizuar një banesë shumëkatëshe, tashmë duhet të paguajnë për tarifën më shumë se më parë. Nga ana tjetër, në ndryshimet që iu bënë dje ligjit të legalizimeve, theksohet edhe mënyra e pagesës për objektin e legalizuar në rast se ai nuk ka si destinacion banimin. Kështu, të gjitha ato objekte informale, të cilat përdoren për aktivitete sociale dhe ekonomike tashmë janë të detyruara të paguajnë vetëm me lekë në dorë për legalizimin dhe jo nëpërmjet bonove të privatizimit. “Pagesa e parcelës ndërtimore, për objektet informale me destinacion social-ekonomik dhe shtesat informale në ndërtime me leje, do të bëhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare. Për objektet informale, me destinacion banimi apo të përzier, pagesa e vlerës së parcelës mund të bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare, dhe/ose me bono privatizimi”, shpjegohet në draftin e qeverisë. Po kështu drafti shpjegon se në rastin kur pagesa kryhet me bono privatizimi, ajo duhet të paraprihet nga depozitimi i kërkesës me shkrim, të poseduesit të ndërtimit informal, pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, ku të përcaktohet përqindja e pagesës me bono privatizimi. Nga ana tjetër, ndryshimet në ligj parashikojnë që sanksionet pёr subjektet ose shoqёritё ndërtuese që kanë kryer shtesa anësore ose shtesa nё kate, pёr qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, llogariten nga ALUIZNI, në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin e legalizimeve. Në lidhje me shtesat informale, të ngritura në territore, ku nuk ka çmim minimal fiskal, të përcaktuar në përputhje me pikën 2, të nenit 43, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, çmimi minimal fiskal do të llogaritet si mesatare aritmetike e çmimit të zonave me të cilat ky territor kufizohet. Drafti i ri parashikon që likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes vendore brenda 30 ditësh nga pajisja me formularin e penaliteteve për legalizimin e shtesave informale të subjektit ndërtues. Ndërsa për subjektet ose shoqёritё ndërtuese, tё cilat kanё paguar sanksione tё mёparshme pёr shkelje tё lejes sё ndёrtimit, nga vlera totale e sanksioneve do të zbritet vlera e paguar më parë.
#