E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfytyrimi për Sarandën, në punët krijuese të nxënësve

Detyra Të rinjtë e shkollës “Adem Sheme” rrëfejnë pavarësinë e mendimeve të tyre përmes artit figurativ

Shkolla “Adem Sheme” në qytetin e Sarandës, e shpallur më cilësorja në rajon pak kohë më parë, ka dhënë edhe një provë tjetër të frymës dhe aftësive krijuese që kultivon në 1200 nxënësit e vet. Kjo është treguar me punët e artit aplikativ që ata kanë paraqitur për dy ditë me radhë, duke bërë që prindër dhe qytetarë të shkojnë tek ata për të shuar kërshërinë dhe kanë mbetur të befasuar. Veprimtaria e ditëve të hapura “Mësojmë duke u zbavitur”, ka sjellë promovimin e vlerave të krijuara me punë të pavarur nga nxënësit dhe të ekspozuara në tri katet e shkollës. Në një shumicë prej tyre shfaqet Saranda e derdhur në art, me historinë e saj dhe të gjithë vendit, me të djeshmen dhe të sotmen. Krijimet kanë qenë të larmishme. Një prej më të spikaturave ka qenë përfytyrimi i qytetit të zemrës si det që hapet me valë të shkumëzuara. Fantazia e fëmijës ka çuar që nga shkuma e dallgës të lindë Afërdita, hyjnesha e dashurisë dhe bukurisë, ndërkohë që një tjetër përfytyrim fëmijëror e vesh Sarandën me një aureolë mbrojtëse nga përbindëshat detarë. Pjesë e ditëve të hapura ka qenë edhe loja e tyre në dramatizimet “Helena e Trojës” dhe “14 vjeç dhëndër”. Kryebashkiaku Edmond Gjoka ka sugjeruar që këto vlera t’i njohë e t’i prekë qyteti, jo të rrinë brenda mureve të shkollës, por të paktën ditën e çeljes së sezonit të zbresin në shëtitore. Fëmijët me punët e tyre kanë treguar se janë të interesuar të mësojnë hap pas hapi se si njerëzit kanë arritur deri në zhvillimet e sotme e me ekzistencën dhe punën e tyre. Si kanë evoluar zhvillimet në Sarandë dhe cilët kanë qenë konkretisht njerëzit që e kanë bërë atë në rrjedhat e kohëve. Drejtorja e shkollës, Vojsava Mërtiri, tha se kjo ishte një provë e rëndësishme për nxënësit e kësaj moshe, pasi mbështeten në parimin didaktik, vlerësimi dhe vetëkontrolli i dijeve pa ndihmën e mësuesit. Sipas saj, ato u krijojnë mundësinë të punojnë në mënyrë të pavarur.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›