Legalizimet, sot ndahen lejet në Lushnjë dhe Berat
Fabiola Çela
Sot do të jepen tapitë për ndërtimet pa leje të ndërtuara në qarkun e Lushnjës dhe të Beratit. Me marrjen e lejeve të legalizimit këto objekte nuk do të quhen më të jashtëligjshme. Po dje Agjencia e Legalizimit ka publikuar edhe grafikun e ri të ndarjes së lejeve të legalizimit për këtë javë.
Lejet
Gjatë javës së kaluar ALUIZNI shpërndahu lejet e legalizimit në disa nga qarqet kryesore të vendit, si në qarkun Vlorë dhe bashkinë Sarandë, në qarkun Gjirokastër dhe bashkitë Gjirokastër, Përmet e Tepelenë, si dhe në qarkun Lezhë. Gjatë dhënies së lejeve të legalizimit drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia ka theksuar se informaliteti është një tumor për ekonomitë familjare dhe ekonominë e vendit. “Reforma e ndërmarrë nga qeveria po e nxjerr vendin nga informaliteti dhe po i shton ekonomisë shqiptare miliona dollarë pasuri të paluajtshme, të cilat tashmë janë pjesë e tregut. Procesi i legalizimeve po i jep fund mbajtjes peng të mijëra ekonomive familjare, duke dhënë zgjidhje jo vetëm për to, por edhe për ekonominë dhe zhvillimin urban të qyteteve.
“Procesi ka ecur me ritme të shpejta dhe tashmë rreth 80% e punës është kryer nga administrata, por janë qytetarët ata që tani duhet të shkojnë të shlyejnë detyrimet sipas ligjeve dhe të pajisën me lejet e legalizimit”, është shprehur Memia në këto takime. Gjithashtu në qarkun e Lezhës u theksua edhe regjistrimi në ZRRPP-në e këtij qarku të pronave, për 110 objekte informale të legalizuara nga ALUIZNI, pra një hap i rëndësishëm në këtë proces, si pjesë e përmbylljes të të gjitha hapave ligjorë. Kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 4000 lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë, do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qeveria ka vendosur edhe kushte lehtësuese për qytetarët, ata që do të paguajnë menjëherë me para në dorë vlerën e legalizimit të objektit të tyre do të kenë 20 për qind ulje të vlerës totale.