E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifrat, 20 për qind e klinikave dentare janë pa licencë

 

Në të gjithë vendin rezulton, se rreth 20% e subjekteve private që ofrojnë shërbim stomatologjik ushtrojnë aktivitetin pa licencë. Këtë bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Specialistët e saj pranojnë se është i vështirë zbulimi, pasi jo pak prej tyre punojnë në bodrume apo hyrje pallati, tek të cilat inspektorët nuk kanë të drejtë të ushtrojnë kontrolle. Janë pikërisht këto klinika në të zezë që nuk janë të sigurta për qytetarët. Në kushtet kur në to nuk ushtrohet asnjë kontroll për cilësinë e shërbimit, sterilizimin e mjeteve të punës apo higjienën sanitare, mjekët për qëllime përfitimi mund të abuzojnë. Vetëm disa muaj më parë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka kërkuar që të unifikohet shërbimi stomatologjik në të gjithë vendin. Ndërsa drejtuesit e urdhrit të mjekut kanë ngritur disa herë problemin e kabineteve nëpër bodrumeve. “Nga shërbimi pa higjienë e standarde qytetarët rrezikojnë sëmundje edhe të rrezikshme”, janë shprehur ata. Sipas ministres së Shëndetësisë, strukturat qendrore dhe rajonale të fushës së stomatologjisë duhet të ushtrojnë një kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm mbi zbatueshmërinë e udhërrëfyesve, që duhet të jenë të detyrueshëm për të gjithë stomatologët. Ministrja Godo ka deklaruar gjithashtu, se duhet të hartohet sa më shpejt udhërrëfyesi dhe të krijohen skemat e një menaxhimi në rang kombëtar, për shumë patologji të fushës së stomatologjisë. Ndërsa Shoqata e Stomatologeve e ka vënë theksin tek hartimi i një strategjie të përbashkët nga departamenti i Stomatologjisë. Strategji të tilla, sipas tyre, do të provojnë mbrojtje të indeksit të kariesit dhe patologjive të tjera orale. Një tjetër problem i ngritur gjatë takimeve me specialistë të fushës është azhurnimi i çdo mjeku stomatolog me metodat dhe preparatet e reja, që hyjnë në vendin tonë, si dhe të ndiejnë veten të obliguar në punën shkencore, duke futur metodat e reja bashkëkohore në atë tradicionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›