E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, tre formularët e rinj për të marrë tapinë

Qeveria ka miratuar tre formularë të rinj, që do të përdoren gjatë procesit të legalizimit të banesave informale. 

Bledar Hoti

 Në këto tre formularë përfshihet pjesa, që ka të bëjë me kuotën prej 4 mijë lekësh të reja, që banorët do të paguajnë, nëse duhet të përfshihen në procesin e pagesës së banesave. Formulari i parë është i lidhur me tarifën e shërbimit për legalizim. Kjo vlerë që paguhet, është e pandryshueshme, pavarësisht nga sipërfaqja e ndërtimit, numrit të kateve apo destinacionit të përdorimit të objektit apo shtesës informale. Formulari i penaliteteve parashikon pagesa për ato familje, që kanë bërë shtesa të tjera, duke bërë që kjo shumë të llogaritet nga ALUIZNI në bazë të nenit 43, të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar. Likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes, brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e penalitetit për legalizim. Ndërsa për subjektet apo dhe shoqëritë ndërtuese, të cilat kanë paguar sanksione të mëparshme për shkelje të lejes së ndërtimit, nga vlera totale do të zbritet vlera e paguar më parë. Taksa tjetër, që do të përfshihet në një formular të veçantë është ajo e ndikimit në infrastrukturë. Ajo llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për m², publikuar nga Enti i Banesave sipas nenit 14/2, të ligjit “Për procedurat e privatizimit të banesave të blera me fondin shtetëror nga EKB-ja. Nga vetë ky përcaktim i bie që taksa të jetë shumë e rëndë për xhepat e banorëve, që do të legalizojnë shtëpitë e tyre. Afati për pagimin e kësaj takse është 30-ditor. Në rast se nuk paguhet, subjektet do t’i nënshtrohen penaliteteve, gjobitjes që rrjedhin nga mosshlyerja në kohë e kësaj takse vendore. Shuma që do të përfitohet do të shkojë në arkat e bashkive dhe të komunave, të cilat do t’i përdorin financimin e studimeve urbanistike dhe përmirësimin e infrastrukturës në këto zona.

Ristrukturimi

Në mbledhjen e dy ditëve më parë qeveria ka bërë zgjerim të zyrave rajonale të ALUIZNI-t. Në Bashkinë Tiranë ky institucion do të ketë 7 zyra. Ndërsa bashkitë Kavajë, Kamzë, Laç, Korçë, Pogradec, Lushnjë, Fier, Berat, Shkodër, Vlorë, Orikum, Sarandë, Fushë-Krujë, me nga një zyrë. Ndërsa një zyrë do të ketë edhe në komunat Paskuqan, Manzë dhe Bushat. Bashkitë Durrës dhe Elbasan do të kenë nga dy zyra të ALUIZNI-t. Ndarja e zyrave rajonale është bërë mbi bazën e nevojave që ka ALUIZNI. Në vendimin e qeverisë theksohet se, ALUIZNI drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe dy zv/drejtorë. Duke shtuar dy vartës të kreut të ALUIZNI-t, Shaban Memia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›