Tito-Churchill dhe Shqiperia ne leximet e mia historike
Jam dakord me shkrimin e z.Hajro Çini "Njerëzit në histori gjykohen ndryshe pas një shekulli", botuar në gazetën "Shekulli", 7 janar 2008. Këtij shkrimi do të desha t'i shtoj disa fakte në lidhje me çështjen shqiptare.
Në shtator 1943, pranë shtabit të Titos u atashua përfaqësuesi i Qeverisë Angleze, Maklini, një diplomat karriere mjaft i aftë. Për rrjedhjen e ngjarjeve të luftës partizane në Jugosllavi dhe si dëshmitar pranë shtabit të Titos, Maklini ka shkruar librin "Lufta në Ballkan", përkthyer në mënyrë mjaft cilësore nga përkthyesi Aleksandër Koli dhe botuar nga shtëpia botuese "Ombra GVG". Në këtë libër Maklini, përveç të tjerave ka përshkruar edhe anën psikologjike të Titos, tek i cili vuri re një dëshirë për të qenë i pavarur nga Moska. Sigurisht, për këtë gjë ai raportoi në Londër, gjë e cila u mor në konsideratë nga politika angleze, prandaj në takimin në Teheran anglo-amerikanët ranë dakord me propozimin sovjetik që të përkrahej lëvizja partizane në Jugosllavi dhe të ndërpriteshin ndihmat për nacionalistët e Drazhe Mihajlloviçit.
Në maj 1944, Tito i shpëtoi rrethimit të trupave gjermane, ku për pak sa nuk u kap rob, dhe u strehua në Itali. Diku nga qershori ose fillimi i korrikut, u bë një takim midis Titos dhe Çurçillit në Gjirin e Napolit, ku duke bërë plazh kanë biseduar në mënyrë konfidenciale. Kjo bisedë konfidenciale nuk ka dalë në dritë deri më sot (Tito komunikonte anglisht). Për këtë bisedë nuk është vënë në dijeni as ministri i Jashtëm Anglez, Ideni. Mendoj se gjatë kësaj bisede është shitur Kosova dhe çështja shqiptare të kalojë në varësi të Jugosllavisë, pra, Shqipëria të bëhet komuniste.
Në gusht 1944, vjen misioni sovjetik në Shqipëri. Ardhja e këtij misioni alarmoi Foreign Office-in, sepse Shqipëria rrezikohej të kalonte në komunizëm. Ministri i Jashtëm i Anglisë, Iden, autorizoi ambasadorin e tij në Moskë për bisedime direkte me Molotovin për këtë ¬çështje. Molotovi nuk i dha asnjë sqarim. Atëherë Ideni i drejtohet Çurçillit, i cili kishte lidhje direkte me Stalinin. Çurçilli i është përgjigjur Foreign Office-it se, "nuk e quan të nevojshme të bënte ai vetë ndonjë përçapje të mëtejshme". (Arben Puto "Nëpër analet e diplomacisë angleze", faqe 166.) Kjo përgjigje lakonike, mendoj se është tradhtia që Çurçilli i bëri nacionalizmit shqiptar në favor të Titos.
Sigurisht që politika angleze, duke mbështetur rrymën e Titos, kërkonte ta përdorte si përçarëse të rrymës bolshevike staliniste, por Shqipëria, për shkak të kërcënimit që Stalini i bëri Titos dhe për interesat e klanit serb në Jugosllavi (të cilët nuk donin që çështja shqiptare të forcohej, duke u bërë Shqipëria republikë e shtatë e Jugosllavisë, gjë që pashmangshmërisht do ta shkëpuste Kosovën nga Serbia) Shqipëria u shkëput nga orbita jugosllave, por nuk u shkëput nga ideologjia bolsheviko-staliniste deri në vitin 1991, kur komunizmi dështoi në gjithë Europën Lindore.