E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S’ka përplasje me Prokurorinë, diskutimi brenda formatit kushtetues”

28-03-2012 / Gazeta 55

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi viziton Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin

Ministrit i Drejtësisë, Eduard Halimi deklaroi dje pas një vizite në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, se nuk ka asnjë lloj përplasjeje me Prokurorinë e Përgjithshme por thjesht e realisht një diskutim brenda kornizave kushtetuese.
“Raporti që i dërgohet Kuvendit për Prokurorinë e Përgjithshme është procedurë normale dhe diskutimet mbi shkeljet bëhen brenda formatit kushtetues”, u shpreh ministri Halimi.
Më tej Ministri theksoi se raporti i Ministrisë së Drejtësisë nuk është bërë mbi performancën e Prokurorisë, por është një informacion mbi shkeljet e konstatuara.
Diskutimi, sqaroi më tej ministri Halimi, është tërësisht brenda formatit kushtetues dhe ai po zhvillohet midis atij që kontrollon e atij që kontrollohet. Raporti në fjalë është absolutisht korrekt . 
Ekspertët e  Ministrisë i kanë kryer inspektimet  e kontrollet të inspiruara  nga ankesat e qytetarëve.
“Janë kryer 16 inspektime nga te cilat 95 për qind e tyre mbi ankesat e qytetareve ne Ministrinë e Drejtësisë. Është detyrë e Ministrisë së Drejtësisë të verifikojë ankesat e qytetarëve. Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë kanë konstatuar që ka shkelje në disa prokurori dhe ankesat e qytetareve qëndrojnë, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme pretendon se është e pavarur, e pakontrollueshme dhe se shkeljet nuk ekzistojnë, prokurorët kanë bërë punë të shkëlqyer dhe qytetarët nuk kanë të drejtë. Ky është diskutimi dhe ky diskutim është brenda formatit kushtetues të ekuibrit dhe llogaridhënies”, u shpreh Ministri Halimi.
Sipas Halimit, Ministria e Drejtësisë i verifikon gjithmonë ankesat e qytetarëve dhe  për shkeljet i është rekomanduar  Prokurorisë të marrë masat përkatëse për shkelësit e ligjit.
Ndërkohë, më herët, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi vizitoi dje Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, në të cilën u zhvilluan aktivitete sportive dhe kulturore, nën siglën “Dita e Hapur”, në kuadër te 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë vizitë, ai bëri të ditur se, do të rrisim performancës në burgjet shqiptare, duke garantuar respektimin e të drejtave të të dënuarve. “Dinjiteti i një shteti reflektohet në mënyrën se si i trajton të dënuarit dhe se ministria e Drejtësisë do të bëjë të mundur rritjen e performancës në burgjet shqiptare, duke garantuar respektimin e të drejtave të të dënuarve”, u shpreh Halimi. 
Ministri deklaroi se do të vizitojë të gjitha burgjet shqiptare për të parë nga afër se ç’po ndodh në të vërtetë dhe si trajtohen të dënuarit në to. Ministri cilësoi se kushtet në Burgun e Peqinit janë brenda standardeve të kërkuara dhe se së shpejti do të inaugurohen dhomat e paraburgimit në Elbasan, të cilat janë më të mirat në Ballkan.
I pranishëm në këtë vizitë ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra e drejtues të pushtetit vendor në Qarkun e Elbasanit etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›