E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e studentit/Ju tregoj si u përpoq Edi Rama t’i poshtëronte shqiptarët në Londër*

28-03-2012 / Gazeta 55

Njerëzit e rëndësishëm mbërrijnë gjithmonë vonë! Kjo ishte praktika që Zotërinjtë Rama, Veliaj dhe Gjonçaj ndoqën, përpara se të adresonin një grup studentësh, akademikësh, gazetarësh dhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit shqiptar këtu në Londër, mbrëmjen e 26 Marsit.


Mbas 25 minutash pritje me ankth dhe kureshtje nga disa, por me irritim e infjuritet nga disa të tjerë (pasi po na e humbitnin kohën kot), ata hynë. Para se të uleshin, bënë një pauzë mbi podium, të ngritur në këmbë afër karrigeve përkatëse, sikur po prisnin brohoritje.


Salla ishte e mbushur me rini. Studentë dhe akademike, të rinj shqiptarë tanimë të integruar ne Britani të cilët dukeshin qe po te donin, brohoritja e tyre do te kishte lëkundur themelet e ndërtesës shumëvjeçare te universitetit LSE. Por për çudi, brohoritjet as qe na erdhën në-përmend, ne fakt vetëm 10-12 vete (nga 70-80) ishin te mendimit qe treshja që kishim përballë ishin të denjë për ngritje në këmbë dhe duartrokitje. Megjithatë zoti Rama bëri me shenjë që të uleshim edhe pse mbi 80% nga ne as që kishim luajtur nga vendi.


Mbrëmja u hap nga Arjan Gjonçaj, researcher i mirëfillte dhe profesor në LSE. 


Ai prezantoi zotin Rama duke thënë që kishte qenë me fat që kishte njohur Edi Ramën qëkur ishte i ri dhe kishin luajtur basketboll bashke...


Uau! Çfarë koincidence! - thashë me vete, natyrisht me ironi.


I dyti foli Mr. Erjon Veliaj, i cili rikthehej edhe njëherë ne Britani. Padyshim per te mashtruar një tjetër gjenerate shqiptaresh. Disa vjet më parë, pa pikë turpi, u ul përpara nesh dhe premtoi qe do te bënte të pamundurën që rinia shqiptare te integrohej dhe te influenconte politiken shqiptare. Nuk e imagjinoj si kishte fytyre te na dilte serish përpara! Si mund t’ja lejoje vetes te shndërrohet nga nje njeri me fytyre te re, mendje te freskët dhe ëndrra të mëdha, në një njeri me fytyre te kuqe (më shume nga turpi sesa nga dielli i Londrës), mendje te kontrolluar me telekomande (nga 1 metër me lart) dhe ëndrra të vdekura. Sytë e apasionuar të viteve më përpara ishin shuar. 


Ata nuk pasqyronin me ambicie, por frike dhe enigme. Atëherë tha MJAFT! dhe ne i besuam sadopak, tani e dinte mire qe sa herë hapte gojën, Mjaft-in po e thonim ne.


Zoti Veliaj vazhdoi me broçkullat e tij shume irrituese: kemi nevoje për mendimet tuaja, kemi nevojë për ide të reja… bla- bla- bla- bla… e vetmja e vërtete qe doli nga goja e tij ishte që viti i mëparshëm ishte shkatërrimtar për selinë rozë. Mbas dy minutash tha fjalët e fundit dhe u “struk” mbrapa padronit, sikur po priste t’i jepte një karamele. Aty ndenji gjithë natën, as edhe një fjalë, as edhe një psherëtime o shikim të audiencës në sy.


Zoti Rama kishte ardhur të na prezantonte temën “Shqipëria në tranzicion”, shumica prej nesh me natyrë akademike me zor po prisnim “leksionin” e tij. Por faktikisht e zhgënjyem kur ai vendosi ta ndryshojë planin. Tani nuk do të ndiqnim me një leksion por do kishim një minutazh pyetjesh dhe përgjigjesh të miksuar me disa histori te tija personale. Zoti Rama nuk ishte në “comfort zone”. Nuk dukej fare rehat, sikur diçka e mundonte. Pas lajmit të ditës për arritjen e madhe, takimin me Ed dhe David Miliband, të bijtë e Ralph Miliband - një nga Marksistët më të njohur të historisë, vazhdoi me një histori qortuese të sistemit arsimor privat në Shqipëri. 


Ai tha që universitetet private i trajtojnë nxënësit si klientë duke bërë çdo gjë për kënaqësinë e nxënësit. 


Sinqerisht shpresova që të mos e kishte diskutuar një gjë të tillë me Miliband-ët. 


Si ka mundësi që zoti Rama nuk ishte në dijeni që çdo universitet në Angli është privat...? Si kishte mundësi që zoti Gjonçaj nuk i kishte treguar sesi pa studentet (privatë) asnjë institucion i lartë akademik në Britani nuk do të kishte ekzistuar. Si është e mundur që zoti Gjonça nuk i kishte treguar që çdo departament akademik ne Britani e mban eksperiencën e studentit si faktor numër 1. Unë jam i mendimit që universitetet private duhen rregulluar, sistemuar dhe akredituar (sipas meritës), por jo të kthehen në shkolla të larta publike. 


Në fakt universitetet shtetërore duhet të huazojnë më shumë nga ato private në pika të ndryshme siç është sjellja ndaj studentit.



Pyetja e parë ishte e një gazetari të gazetës prestigjioze “The Economist” (nëse nuk gabohem), të cilës zoti Rama ju përgjigj: “më vjen shumë mirë që jeni këtu Mr. Gabriel, po përsa i përket qeverisë, ne kemi një agjendë të re që do të mundohemi ta implementojmë”. 


Gabrieli e kishte pyetur: Perse flisni për “governmental policy” kur ju nuk jeni në pushtet... Perse s’na tregoni si do të bëni të vini në pushtet pastaj të flasësh për “policy”? Të them të drejtën ishte fatkeqësi që Gabrieli ishte aty, sepse përgjigja nuk kishte as nivelin me mediokër te pritur nga një figurë e lartë e politikës shqiptare.


Pyetjet ne vijim nuk ishin shume mbresëlënëse sepse dukeshin të skriptuara, të zgjedhura me kujdes nga z. Gjonçaj dhe të interpretuara nga studentët e tij në audiencë. Gjendja ishte aq monotone sa që mund të më kishte marrë gjumi po të vazhdonte kështu. Por jo, nuk mund të na ikte aq kollaj ky rast i veçantë, që ta dinim njëherë e përgjithmonë qëndrimin e tij sidomos kur ai po kërkon ndihme nga ne. Pyetja e pare qe me beri përshtypje, por që zoti Rama për mendimin tim nuk e vlerësoi siç duhej, ishte nga një studente kosovare. 


Ajo pyeti: Zoti Rama, po erdhe në pushtet a do të na premtosh (premtim të cilin nuk e dha kurrë) që nuk do të mbyllësh kufirin me Kosovën dhe të lejosh lëvizjen e lirë mes dy shteteve meqenëse jemi i njëjti popull. 


Së dyti, vazhdoi e reja nga Kosova, çfarë mendon Ti për bashkimin e një Shqipërie të madhe?


Rama me një buzëqeshje ironike ju përgjigj: “kufijtë do të jenë të hapur dhe bashkimi me Shqipërinë do ishte shumë mirë po e Arritët dot. 


Arritët?! 


A nuk jemi të gjithë të bashkuar në këtë mendim...?! 


A thua që aleati më i ri i tij, Kreshnik Spahiu është në dijeni të këtij qëndrimi nga zoti Rama?


Seleksionimi i kujdesshëm i duarve të ngritura për pyetje vazhdoi dhe monotonia e pyetjeve të dëshiruara bashkë me të. Më në fund edhe një pyetje tjetër interesante: “Zoti Rama, po erdhe në pushtet si do veproni me sistemin shëndetësor që është në kaq nevojë? - pyetje nga një tjetër pjesëtare (e pa-anonçuar) e komunitetit me më shume se 10 vjet eksperience në punë me NHS (Shërbimi Shëndetësor Nacional këtu në Britani). 


Ajo nuk arriti të merrte përgjigje sepse zoti Gjonçaj ju hodh përpara duke thënë: “këtë pyetje mund të ma drejtoni mua, se unë jam specialist i shëndetit”. 


Zoti Gjoncaj u shpreh jo si një pedagog, por si një kandidat i ardhshëm me post ministrie të premtuar! 


Ai nuk e kuptoi që sa për ekspertizë, zonja mund t’ju kishte drejtuar kujtdo njerëz shumë më të afte se Arjan Gjonçaj, ose thjesht Google-it, por ajo dëshironte ta dinte nga goja e ujkut se si do ishte fati i shërbimit shëndetësor n.q.s zoti Rama do merrte pushtetin. Faktikisht ne kishim ardhur aty për z. Rama dhe jo për zotin Gjonçaj. 


E njëjta zonjë po ashtu qau një hall me zotin Rama, duke i thënë që fëmijët e saj të lindur dhe rritur në Britani dëshirojnë të kalojnë verën në Shqipëri, por ajo është paksa e ndrojtur për punë të sigurisë, si mendon ai që duhet vepruar për ta bërë Shqipërinë më atraktive tek të huajt? 


Ai u përgjigj: “Ata mund të rrinë këtu dhe të shijojnë diellin e Londrës! 


Vërtet?! 


Një njeri në vijë të parë të politikës shqiptare mbi një dekade po na thotë të rrimë në Britani dhe të mos vijmë në Shqipëri?! Me çfarë arsyeje?


Faktikisht kjo nuk ishte hera e parë që Rama bëri komente negative për Shqipërinë dhe shqiptarët. 


Disa herë ai bëri referenca të ndryshme që thelbin e kishin: “Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë”. 


Këtë gjë e vuri në pah një djalosh që tanimë kishte mbi 30 minuta që mbante dorën lart dhe dukej paksa i acaruar. Mbase ishte mbikëqyrur nga Gjonçaj sepse kishte veshur një kollare blu - thjesht një hipotezë kjo. 


Duke e falënderuar me ironi për të drejtën e fjalës, ai iu drejtua zotit Rama: “Zoti Rama, ka një orë që të dëgjojmë dhe në këto 60 minuta ke fyer dhe ulur shqiptarët të paktën në 5 raste”. “Nëse ju nuk keni besim te shqiptaret, perse të kenë shqiptarët besim tek ty?” dhe “Kur flisni për ryshfete në funksione të larta qeveritare, ju jeni një nga më të akuzuarit për ryshfete, si keni vepruar të shuani këto akuza...?”


Pas disa përpjekjesh nga Gjonçaj që të bojkotonte përgjigjen, Rama insistoi dhe u përgjigj: “Ju djalosh me paskeni keqkuptuar dhe keni problem ose me anglishten time ose me mua personalisht, duke devijuar përgjigjen e pyetjes së dyte”. 


Faktikisht nuk e di nëse ky i ri ishte përballur herë tjetër me zotin Rama, por unë isha prezent të konfirmoj që ai beri disa shaka pa kripë që nuk i nxirrnin shqiptarët në një dritë të mirë. Mbase Zoti Rama është mësuar që populli brenda kopesë atje në atdhe, të pranojë çdo lloj akuze dhe banaliteti që ai u hedh përpara, por këtu jo zotëri i nderuar. Këtu je përballë shqiptarëve me mendime të lira që nuk ju bën syri “tët” ta thonë ashtu siç duhet, ashtu siç është vërtetë.


A nuk është e pa pranueshme të vijë kjo nga një politikan shqiptar (pikërisht kreu i opozitës) kur çdo ditë ne gjykohemi nga bota nga të qenurit shqiptarë. 


Në çdo interviste punë, aplikim forme ose publikimi akademik ne automatikisht duhet të japim llogari dhe arsye vetëm që jemi shqiptarë, por ashtu me forcë dhe me punë të zellshme kemi arritur lartësi të paimagjinueshme, gjë që zoti Gjonçaj e kishte parasysh shume mire.


Pyetjet vazhduan pa ndonjë rëndësi madhështore, të njëjtat gjëra që janë diskutuar me mijëra herë dhe thjesht mund të ishin gjetur në Google. 


Pas dy orësh evenimenti u mbyll, serish më shume me psherëtima sesa me brohoritje.


Ky takim ishte shume mbresëlënës, kjo për Zotin Rama dhe jo për të pranishmit e rinj. Ata nuk dëgjuan asnjë gjë të re. Nuk mësuan asnjë gjë me vlerë. 


Nuk arritën ta kuptojnë kush ishte kjo “Rilindja Shqiptare”? 


Cilat ishin iniciativat e kësaj lëvizje? 


Çfarë mund të bëjmë ne për Shqipërinë? 


Ata e lanë LSE-në pa asnjë sens bashkimi apo bashkëpunimi, pa asnjë sens patriotizmi, dhe pa asnjë shpresë alternative për mëmëdheun e gjorë.


Me shumë dhimbje dhe totalisht i zhgënjyer, nga një pjesëtar i komunitetit shqiptar në Britani, pjesëmarrës në takim*

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›