E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimi me bono dhe moratoriumi, Topi firmos

25/02/2010 Presidenti i Republikës dekreton disa ligje të rëndësishme të mazhorancës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është në një mendje me mazhorancën për ndryshimet që kjo e fundit ka parashikuar në ligjin e legalizimit apo dhe për shtyrjen edhe për 3 vjet të moratoriumit të skafeve. Kreu i shtetit shqiptar ka hedhur firmën e dekretimit ndaj këtyre dy nismave të miratuara edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke u hapur në këtë mënyrë rrugën për të hyrë në fuqi dhe më pas zbatuar nga organet kompetente. “Në mbështetje të neneve 84, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj shpalljen e ligjit nr. 10 219, datë 04.02.2010 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar”, thuhet në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës. Këto ndryshime parashikojnë që për shtesat e pallateve, për sipërfaqet mbi 100 m2, pagesa e legalizimit do të bëhet me para në dorë, sipas çmimit të tregut, ndërsa për ndërtimet jashtë vijës së verdhë dhe brenda saj, për sipërfaqe të caktuara pagesa të bëhet deri në 70 % me bono privatizimi. Gjithashtu, për ndërtimet jashtë vijës së verdhë: për segmentet deri në 500 m2 pagesa do të bëhet deri në 70 % me letra me vlerë dhe 30 % me para në dorë; për segmentet mbi 500 m2 pagesa të bëhet me para në dorë. Për ndërtimet brenda vijës së verdhë: segmentet deri në 300 m2, pagesa bëhet 70 % letra me vlerë; për mbi 300 m2, 50 % me letra me vlerë dhe 50 % me para. Nga ndryshimet do përfitojnë edhe ata që e kanë mbyllur procesin e legalizimit para hyrjes së ndryshimeve të propozuara në fuqi.

Moratoriumi

Moratoriumi i skafeve pezullon të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Shqipërisë, pavarësisht nga funksioni i përdorimit të mjetit për tre vjet rresht. Përjashtohen mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore, mjetet lundruese për peshkim, mjetet e transportit detar për mallra, mjetet e transportit detar të licencuara për transport pasagjerësh të klasifikuara si të tilla.

Mosdiskriminimi

“Për mbrojtjen nga diskriminimi” është një tjetër ligj që ka marrë firmën e Presidentit të Republikës. Ai rregullon zbatimin dhe respektimin e barazisë në lidhje me gjininë, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, besimet politike fetare dhe filozofike, statusin ekonomik, arsimor ose shoqëror, orientimin seksual, etj., por nuk synon lejimin e martesave të personave me prirje të njëjta seksuale. Kjo pikë rregullohet në Kodin e Familjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›