Rishpërndarja, shtohen 550 kuota pranimi për Masterin e Nivelit të Parë
Jonida Tashi
Kuotat e reja të pranimit të miratuara nga qeveria, për Masterin e Nivelit të Parë dhe Diplomën e Nivelit të Dytë do të shpërndahen sipas kërkesave që kanë fakultetet për kandidatë të tjerë. Kjo do të thotë se në degët ku fakultetet kanë ende kërkesa për të vijuar një program studimi të ciklit të dytë, do të pranohen kandidatë të tjerë, deri në plotësimin e kuotës totale që është vendosur. Sqarimi për mënyrën e rishpërndarjes së kuotave të pranimit bëhet i ditur nga drejtori i Kurrikulës dhe Standardeve në Universitetin e Tiranës, Xheladin Çeka. Ky i fundit, shpjegon se duke qenë se universitetet kanë bërë disa kërkesa të vazhdueshme për kuotat e pranimit në programet e mësipërme të studimit, duke pasur gjithnjë në konsideratë numrin e kërkesave nga të interesuarit, qeveria ka bërë rishpërndarjen tyre. Duke qenë se aktualisht procedura e regjistrimit të fituesve në MNP dhe DND është drejt përfundimit, fakultetet janë në gjendje të dinë se në cilat prej degëve të tyre ka ende kërkesa për këto programe dhe në cilat jo. “Kjo do të thotë se nëse në një program studimi, ka ende kuota të lira, por nga ana tjetër nuk ka kërkesa nga kandidatët për plotësimin e tyre, këto kuota do të kalojnë në një program tjetër ku ka ende kërkesa për vijimin e studimeve”,- sqaron Çeka.
Kuotat
Konkretisht, sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, për rishpërndarjen e kuotave të pranimit në studimet e ciklit të dytë, që përfshijnë Masterin e Nivelit të Parë (MNP) dhe Diplomën e Nivelit të Dytë (DND) numri total i kuotës së pranimit është rritur me 585 pranime të reja. Pjesa më e madhe e kuotave të reja, do t’i kalojnë Masterit të Nivelit të Parë, në të cilin do të pranohen edhe 550 kandidatë të tjerë. Sipas vendimit të parë të qeverisë, për përcaktimin e kuotave të pranimit në programet e ciklit të dytë, kuota totale e pranimit për Masterin e Nivelit të Parë ishte 3845, kurse sipas vendimit të fundit, 4395. Ndërkohë që krejt e kundërta ka ndodhur me Diplomën e Nivelit të Dytë, pasi qeveria duke marrë parasysh shifrën e raportuar nga Ministria e Arsimit, për kërkesat për këtë program studimi, ka vendosur t’i heq asaj 235 kuota të akorduara nga vendimi i mëparshëm. Kështu, sipas vendimit të datës 30 shtator 2009, për Diplomën e Nivelit të Dytë, qeveria miratoi 3065 kuota pranimi, ndërsa sipas vendimit të dytë, numri total i pranimit në këtë program studimi do të jetë 2830.
Rishpërndarja
Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e ditës së mërkurë të rishpërndajë kuotat e pranimit për Diplomën e Nivelit të Dytë (DND) dhe Masterin e Nivelit të Parë (MNP). Në mbledhjen e saj të radhës, qeveria miratoi një vendim të dytë, i cili modifikon vendimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave, nr.984, datë 30 shtator 2009, i cili kishte përcaktuar kuotat dhe tarifat e studimit për këto programe. Qeveria ka miratuar edhe 585 kuota të reja pranimi për studimet e ciklit të dytë. Sipas vendimit të dytë të Këshillit të Ministrave, kuota e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe “Master i Nivelit të Parë”, me kohë të plotë, për vitin 2009-2010, në total do të jetë 7495. Kuota totale, do të ndahet, sipas skemës së mëposhtme: Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), 2830; Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i nivelit të parë” (MNP), 4395; Kuota për programe të dyta studimi, 100; Kuota për transferimin e studimeve, 100; Kuota për të huajt, 50; Kuota të veçanta për të verbrit 20.
Rishpërndarja e kuotave të pranimit
Kuota totale e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe “Master i Nivelit të Parë”, me kohë të plotë, për vitin 2009-2010, do të jetë 7495, e cila do të ndahet, sipas skemës së mëposhtme:
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), 2830;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i nivelit të parë” (MNP), 4395;
Kuota për programe të dyta studimi, 100;
Kuota për transferimin e studimeve, 100;
Kuota për të huajt, 50;
Kuota të veçanta për të verbrit, 20.
Ndarja
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), për kandidatët brenda territorit të vendit, 2547;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, 283;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Nivelit të Parë” (MNP), për kandidatët brenda territorit të vendit, 3955;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Nivelit të Parë” (MNP), për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, 440.
Viti akademik 2009-2010
Rumania i ofron Universitetit të Tiranës bursa për Doktoraturë
Ambasada e Rumanisë në Tiranë ofron bursa studimi për Doktoraturë për studentët e Universitetit të Tiranës. Burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës (UT) bëjnë të ditur se Rumania ka hapur aplikimet për kandidime, për programin e bursave të Doktoraturës dhe Postdoktoraturës “Eugen Ionescu", për vitin akademik 2009-2010. Programi i adresohet studentëve në doktoraturë dhe kërkuesve nga shtetet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF). Bursat akordohen nga Rumania, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe administrohen nga Agjencia Universitare e Frankofonisë. Kohëzgjatja e një burse shkon nga 3 në 5 muaj, duke filluar në datën 1 prill 2010, në varësi të zgjatjes së projektit kërkimor. Data e fundit për dorëzimin e dosjeve të kandidatëve është 11 dhjetor 2009. Procedura e dorëzimit të kandidaturave është si më poshtë vijon: Secili kandidat duhet të marrë kontakt me një nga 22 universitetet rumune (shtojca 3) dhe, pasi të jetë pranuar nga njëri prej tyre, duhet të dorëzojë dosjen personale në zyrën rajonale të AUF-së së cilës i përket universiteti ku ka aplikuar (shtojca 1); Të gjitha dosjet e dorëzuara dërgohen nga ana e zyrave rajonale të AUF-së në zyrën Rajonale për Evropën Qendrore dhe Lindore të AUF-së, me seli në Bukuresht; Pastaj procedohet me përzgjedhjen e dosjeve në bazë të kritereve shkencore, nga ana e një Komisioni Rajonal Ekspertësh; Bëhet përzgjedhja finale e dosjeve, nga ana e një komisioni mikst; Publikohet rezultati i procedurës dhe emri i bursierëve të përzgjedhur.
6 Nentor 2009