Kategoritë e të sëmurëve që do të preken nga rritja e çmimit të barnave
Emanuela Sako
Barra e përballimit të rritjes së çmimeve të barnave do të bjerë mbi të gjithë ata persona që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe të sëmurët kronikë. Sëmundja e këtyre kategorie të qytetarëve kërkon një kosto tepër të lartë për përballimin e sëmundjes, kryerjen e vizitave dhe blerjen e mjaft medikamenteve të shtrenjta. Sipas klasifikimit të specialistëve, të sëmurët nga Hipertensioni esencial, Diabeti mellitus, Talasemia Major, Astma bronkiale, Insuficienca kardiake, Insuficienca kronike e veshkave, Psikoza skizofrenike, Tumori, Epilepsia dhe Hipoplazia e prostatës, fëmijët hemofilikë, sëmundjet e gjakut etj, janë kategoritë që preken më tepër nga rritja e tarifave. Këto sëmundje kërkojnë kryerjen e vizitave të vazhdueshme për të mbajtur nën kontroll gjendjen shëndetësore, si dhe kërkojnë trajtim tepër të madh me kura të vazhdueshme medikamentesh të shtrenjta. Me gjithë kërkesat e herëpashershme dhe futjen e disa barnave në listën e të rimbursueshmeve, prapëseprapë këto kategori pacientësh kanë kosto tepër të lartë trajtimi. Krijimi i kësaj situate, duket se do të“ vrasë” pacientët që përpiqen të mbajnë veten gjallë për të kërkuar mundësi trajtimi.
Kostoja
Lista e plotë me barnat e rimbursueshme është e përbërë nga 450 medikamente. Fatura financiare për 405 barnat që ka lista e vitit 2009 parashikohet të jetë 4.7 miliardë lekë të reja. Por, duke pasur parasysh këto shifra për barnat e rimbursueshme, duke menduar që pjesa më e madhe e barnave nuk janë në listë, kostoja për blerjen e tyre është tepër e lartë dhe e papërballueshme nga pacientët. Kështu, vetëm për një bar (Imatinib 100mg caps), i cili përdoret për leucemitë kronike, fatura financiare për një pacient në muaj është mbi 300 mijë lekë. Pacientët e prekur nga kjo sëmundje e kanë tepër të vështirë që të blejnë një medikament me këtë shumë marramendëse. Ndërsa, e njëjta situatë është edhe për të sëmurët me veshka që kryejnë transplantime. Barnat për këtë kategori janë tepër të shtrenjta. ISKSH-ja ka futur në listë ilaçin antiviral që shërben për trajtimin e infeksioneve post-transplanti. Vetëm për një pacient vlera mesatare e recetës mujore është afro 200 mijë lekë. Po kështu, medikamentet për pacientët e sëmurë nga tumoret fatura e medikamenteve është shumë e shtrenjtë, e cila i kalon mbi 200 mijë lekë. Në këtë listë janë mjaft sëmundje të tjera, të cilat kërkojnë kurim të vazhdueshëm, por kurimi kërkon një kosto tepër të lartë. Për shkak të pamundësisë së kurimit të sëmundjeve, rritet edhe vdekshmëria e të prekurve nga këto sëmundje.
Barnat
Pacientët dhe shoqatat e ndryshme në mbrojtjen e pacientëve kanë kërkuar shpeshherë gjetjen e një zgjidhje për tarifat e larta të medikamenteve. Por, përveç futjes së barnave në skemën e rimbursimit asnjë zgjidhje tjetër nuk është gjetur për ato që janë jashtë kësaj liste. Por, duket se kjo situatë do të rëndohet edhe më tepër pas pretendimit të rritjeve të reja të medikamenteve, duke u pasuar me rritjen aktuale të vizitave në spitale. Mjaft pacientë, kryesisht pensionistë, shprehen se shpeshherë janë drejtuar pranë ISKSH-së për të kërkuar zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme për disa sëmundje. Shqetësimi i qytetarëve lidhet me faktin se nuk kanë mundësi blerjeje për përballimin e gjendjes së tyre shëndetësore për shkak të mungesës së më shumë barnave alternative dhe cilësore në farmaci. Mjaft të sëmurë rëndë nga veshkat apo të prekurit nga tumoret etj, kërkojnë që në farmaci të gjejnë të gjitha alternativat e barnave të shtrenjta dhe cilësore për të kuruar sëmundjen e tyre. Ndërkohë që, nga Drejtoria e ISKSH-së, në deklaratat zyrtare, është bërë e ditur se vitin e ardhshëm do të ketë një zgjerim të skemës dhe futje të më shumë alternativave.
Emërohet drejtori i ri i QSUT-së, Ilir Dashi
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili prezantoi dje, drejtorin e ri të QSUT-së, Ilir Dashin. Dashi vjen në pozicionin e drejtorit të QSUT-së pas eksperiencave politike si drejtues i LSI-së për Tiranën dhe së fundmi biznesmen. Vasili është shprehur optimist për aftësitë e tij menaxhuese dhe mundësitë që do t’i ofrojë QSUT-së. “Mendojmë se Dashi do ta përmbushë misionin e tij”,- u shpreh Vasili në ceremoninë e emërimit të drejtorit të ri. Dashi merr detyrën e lënë bosh nga Gjeorgjina Kuli, e emëruar në këtë detyrë pas marrjes së postit nga ish-ministrja Anila Godo. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili vlerësoi se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në këtë moment të ri do të provojë shanse të reja të menaxhimit dhe financimit që përfshihen në modelin e ri menaxherial. Ministri theksoi edhe faktin se sistemi i referimit do të ndihmonte në lehtësimin e ngarkesës në Qendrën Spitalore Universitare, duke ndikuar drejtpërdrejtë edhe në rritjen e shërbimit.
Në pranga 3 mjekë, akuzohen për korrupsion
Tre mjekë, anëtarë të Komisionit Mjeko Ligjor për dhënien e invaliditetit në punë kanë rënë dje në prangat e policisë nën akuzën e korrupsionit e mitmarrjes në këmbim të dhënies së pensionit të parakohshëm si invalid me aftësi të kufizuar.
Përmes një deklarate për mediat, policia bën të ditur se Ervedin Sabit Pudre, vjeç 49 mjek i përgjithshëm në Spitalin e Elbasanit, Adrian Agim Palloshi, vjeç 43 mjek i përgjithshëm po në këtë spital dhe Astrit Xhelo Leka, vjeç 62 mjek kardiolog në spitalin e Librazhdit janë arrestuar në flagrancë në një nga zyrat e agjencisë të sigurimeve shoqërore Gramsh, pas një hetimi disa mujor, duke u marrë para qytetarëve banorë të rrethit Gramsh në këmbim të dhënies së pensionit të parakohshëm si invalid me aftësi të kufizuar. Sipas hetimeve rezulton se mjekët gjatë vlerësimit dhe përcaktimit të grupit të invaliditetit, u nxirrnin qytetarëve pengesa pa shkaqe ligjore në lidhje me dokumentet e paraqitura, kategorinë e sëmundjes dhe grupit të invaliditetit me qëllim që të krijonin presion për t’i detyruar tu jepnin para në këmbim të nënshkrimit të raportit mjeko-ligjor, për grupin e invaliditetit të kërkuar. Në momentin e arrestimit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë prej 65 000 lekë të reja, që ua kishin marrë 9 qytetarëve. Tre mjekët akuzohen për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike të kryer në bashkëpunim”.
6 Nentor 2009