E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda e Shën Denisit



Moikom ZEQO

Legjenda e Shën Denisit është skajshmërisht tronditëse. Denisi qe një murg i përkushtuar, një mendje e qashtër, por i kërcënuar nga demonët e tundimit. I pafrikshëm, por edhe plot mëdyshje, mezi u shpëtonte kurtheve të mëkatit. Meqë shenjtëria e madhe është një formë e mëkatshme e krenarisë, Shën Denisi vuajti një mallkim të panatyrshëm. Ai nuk mund të vdiste dot, pa iu shfaqur para syve vetë Jezu Krishti.
Kaluan shumë vite dhe Shën Denisi kuptoi, më në fund, se pleqëria ishte e papërballueshme, tinëzare, shpaguese, e egër, turbulluese, satanike. Kaloi një shekull që nga dita kur ai kishte lindur e nuk po vdiste dot. Teologët e çmendur, por edhe të ditur, i thanë se nuk do të gjente kurrë prehje. Ai mund ta vazhdonte jetën e tij të mjerë deri në pakufishmëri, qe i mallkuar për të mos vdekur. Por siç thuhet, kur njeriu vdes, vetëm atëherë ka prekur me dorë vetë Zotin.
Tërë përkushtimi zelltar i Denisit nuk kishte asnjë kuptim. Kuptimi i vetëm ishte që të vdiste si të gjithë njerëzit e zakonshëm. Ai ua kishte zili mëkatarëve të mëdhenj, por që, në fund të fundit, vdisnin. Vdekja i nderonte edhe mëkatarët, por kishte braktisur Shën Denisin. Ai lutej të kish krijuar psalmin e tij të vdekjes. Por vdekja e tij qe e kushtëzuar. Pra, mund të vdiste vetëm po t’i shfaqej Jezu Krishti. Meqë në botën e përtejme informacioni njerëzor është i papërfillshëm, askush nuk mund të kuptonte dot tragjedinë e Shën Denisit, kështu askujt nuk mund t’i vinte keq për të. Ai qe i harruar nga bota e përtejme. Materia nuk e kish harruar dhe e mbante të mbërthyer, kurse shpirti ishte një i burgosur, që asnjëherë nuk do të dilte nga kjo grackë e neveritshme për të shtegtuar drejt Jeruzalemit Qiellor, ku Parajsa është Prehje.
Ka shumë legjenda për Shën Denisin. Thuhet se ai e linte trupin e tij të kafshohej nga gjarpërinjtë më helmues. Futej e rrinte me ditë të tëra brenda një furre me zjarr të pashterrshëm, vetëvritej me thikë; bëhej shenjë qitjeje e mijëra harkëtarëve, shigjetat i nguleshin në trup, në ballë, në sy, në organet gjenitale, kudo dhe megjithatë nuk mund të vdiste. Ky martirizim qe i pashembullt dhe i pakrahasueshëm me asnjë martirizim tjetër. Nëse dikush ia priste kokën me shpatë, koka i ngjitej përsëri, nëse ia nxirrnin sytë apo ia prisnin organet gjenitale, ato i ngjiteshin përsëri, nëse ia shkulnin zemrën nga gjoksi, ajo rikthehej sërish në vendin e saj dhe vazhdonte të punonte, nëse trurin ia copëtonin dhe ia shpërndanin mbi strall apo pluhur, truri i koncentrohej përsëri në kafkë. E pamundur, e pamundur të vdiste. Tërë oborri i djajve gëzohej e tmerrohej nga kjo. Duket sikur engjëjt lajmëtarë qenë shurdhuar a verbuar, kishin disa shekuj pa zbritur në tokë, kishin zhvilluar si herezi indiferencën ose plogështinë. Shën Denisi ka jetuar në shekullin IV pas Krishtit.
Të tërë apostujt, që e kishin njohur drejtpërdrejt Krishtin, kishin vdekur dhe mbase qenë harruar. Krishti nuk po i shfaqej më askujt në formën e tij njerëzore. Krishti qe ngujuar në natyrën e tij hyjnore, sepse qe e kotë të merrte edhe një herë tjetër natyrën njerëzore. Askush nuk mund ta thotë dhe asnjëri nuk e di sesi, befas, Jezui e mësoi brengën e pamatshme e torturonjëse të Denisit. Pikërisht në çastin kur Denisi kishte humbur të gjitha shpresat, kur ai ëndërronte me përvujtëri të pakufishme jopavdekësinë, që është atribut i hyjnores, por vdekshmërinë, që është atribut i njerëzores, Jezu Krishti u turbullua, i shqetësuar në largësitë kozmike. Pati një mall dhe një këndellje për natyrën njerëzore. E kuptoi se shpëtimi i çdo qenieje njerëzore është, në fund të fundit, vdekja. Atëherë Jezu Krishti iu shfaq disa çaste Denisit të llahtarisur. Jezui u paraqit në formën e një plaku të drobitur, të stërlodhur e krejtësisht të thinjur, të pafuqishëm, por me një paqe shpëtimtare. Thuhet se, atëherë, Denisi po arrinte në moshën 200-vjeçare, por i pagërryer nga mplakja e bekuar.
Kur u shfaq Jezu Krishti, nuk pati as bubullima, as tërmete, as vetëtima, as rrëzim yjesh e kometash dhe as kalorës fantazmagorikë e fluturues me ngjyra të ndryshme simbolike. Ai u shfaq thjeshtësisht dhe gati në mënyrë të mjerë, por gjithsesi të madhërishme.
Atëherë murgu Denis ndjeu një shpërthim të brendshëm të qenies, mishi iu bë prej ajri, eshtrat prej mendimi dhe drite. Ai u plak në çast, gati si një binjak i Jezu Krishtit.
Forma e tij njerëzore nuk e mbajti dot më në skllavëri. Ajo u shpërbë dhe u përhap si aroma e një aloe apo mantragote. U bë i tejdukshëm dhe përfundimisht humbi nga sytë kureshtarë, skeptikë dhe të egër të njerëzve.
Ky qe shpëtimi i tij në jetë të jetëve, por këtë shpëtim ia dha vetëm vdekja, që është më e ndershme dhe më me kuptim sesa jeta.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›