E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kambana nga “Jehona e kujtesës”



Petro LUARASI

Gjatë një vizite në Las Vegas, plot dy vjet më parë, miku im Pirro Dollani më tha se kishte nisur të përkthente në shqip një roman të autorit të shquar amerikan Richard Powers dhe, natyrshëm, filloi të më flasë me pasion për autorin e librin. Sapo u ktheva në Virginia, nga kërshëria për të mësuar më shumë rreth romanit, pyeta dy kolegët e mi, Mary Barnes dhe Julie Chambers. Ato jo vetëm e kishin lexuar romanin, por më thanë se merrnin pjesë aktive në diskutimet e zjarrta e të vazhdueshme, që bëheshin në Internet rreth librit. Në këto biseda elektronike trajtoheshin (ende vazhdojnë të trajtohen) probleme, që lidhen me formën dhe përmbajtjen e mprehtë, gjithnjë aktuale, të librit. Fakti që ngjarjet zhvillohen në këto 5 - 6 vitet e fundit, e bën edhe më të qartë përfshirjen masive të lexuesit në këto diskutime. Dalja në dritë e këtij romani të Richard Powers ishte një ngjarje jo vetëm për rrethet letrare, por edhe për mbarë lexuesin amerikan. Ky roman përbën një arritje për letërsinë amerikane në këto vitet e para të shekullit të ri. Pikërisht për vlerat e mëdha artistike e filozofike romani “Jehona e Kujtesës” fitoi Çmimin Kombëtar në Amerikë për vitin 2006 dhe, po ashtu, ishte finalist për Çmimin Pulitzer, 2007.

* * *
Libri fillon me ngjarjen tragjike të rrëzimit të Dy Kullave dhe mbyllet pak kohë mbas pushtimit të Irakut. Janë pikërisht këto dy kufij kohorë, që përfshijnë ato ngjarje sa aktuale aq edhe interesante, të përshkruara me mjeshtëri të rrallë nga autori, që do ta bëjnë këtë roman popullor edhe në Shqipëri.
Së pari, tani që vendi ynë ka dalë nga izolimi dhe ka hyrë në rrugën e zhvillimit kapitalist, populli ynë ndeshet për ditë me të njëjtat probleme ekonomike e shoqërore, si edhe shoqëria amerikane e vendet e tjera. Së dyti, problematika që trajton romani nuk i përket vetem një kategorie të caktuar shoqërore apo vetëm një grup moshe të veçantë. Aty gjejnë veten fëmija dhe prindi, nxënësi e studenti, mësuesi e pedagogu, si edhe i sëmuri e personeli mjekësor, mjeku e shkencëtari. Në qendër të veprës autori ka vendosur një djalë 27-vjeçar, Mark Shluteri, që pëson një aksident me makinë dhe, kur zgjohet nga koma, nuk është në gjendje të dallojë motrën e vetme. Përballë tij vepron shkenca mjekësore amerikane me majat e saj më të larta, përfaqësuar nga Dr. Uebëri, një shkencëtar i shquar në fushën e neurologjisë si dhe personeli mjekësor. E midis këtyre dy kolonave, autori thur mjeshtërisht tërë veprimtarinë e motrës së përkushtuar për të shpëtuar vëllanë, të shokëve të fëminisë për t’ia lehtësuar Markut rrugën e shërimit, të shoqërisë së kulturuar amerikane, që përbën një mjedis qetësues e të prirur gjithmonë nga paqja e jo nga konflikti.
Romani padyshim do të bëhet pjesë e bibliotekave të nxënësve dhe të shkollave. Në një bisedë me një mësues në shtetin e Virginias, mësova së ai kish organizuar një diskutim të thjeshtë të këtij libri me një grup nxënësish të shkollës së mesme. Cili personazh ju ka sjellë në kujtesë diçka nga jeta juaj?, kjo ish tema. Diskutime pati plot, të thjeshta e të sinqerta, por mësuesit i tërhoqi vëmendjen një nxënës që u përlot, sepse iu kujtua që, kur ishte më i vogël, ngacmonte një fëmijë me të meta mendore. “Pra”, tha nxënësi, “unë nuk ndihmova për shërimin e tij, përkundrazi…”
Episode të tilla mendoj se do të ketë edhe në shkollat tona. Si mësues e kemi të qartë se te rinia jonë, por edhe te të rriturit, nuk ka ekzistuar dhe nuk është kultivuar një kulturë e veçantë për sjelljen me njerëzit handikapatë. Jemi dëshmitarë të rasteve kur individë të tillë rrethoheshin prej nxënësve, të cilët qeshnin e talleshin me “filozofitë” e tyre, por edhe ndonjë ndërhyrje e me të rriturve bëhej ose nga pozitat e një moralizimi didaskalik, ose nga pozita se “ështe gjynah nga Zoti”. Diskutime të tilla me nxënësit, duke marrë shtysën nga një vepër letrare e tillë, me siguri që mund të ndikojnë në formimin kulturor dhe në sjelljen e tyre. Ky mendim më përforcohet edhe më shumë, kur sjell ndërmend qytetin tim dhe disa handikapatë të asaj kohe, të cilët s’guxonin të dilnin në rrugë, se ndjeheshin tepër të ngacmuar. Kishte edhe iniciativa me karakter edukimi, si “Të respektojme të moshuarit”, “Sjellja zbukuron njeriun” etj, por këtë kategori njerëzish sikur e harronim. Richard Powers e përshkruan me shumë realizëm se sjellja e kulturuar e shoqërisë është po aq frytdhënëse në kurim, sa edhe vetë shërbimi mjekësor që i bëhet kësaj kategorie njerëzish. Konkluzioni më i fundit i shkencave mjekësore është se “të sëmurët, që humbasin lidhjet e shëndosha me njerëzit e shtëpisë, bëhen paranojakë”. Dhe me tej Dr. Uebëri shpjegon: “Gjithnjë kështu ka qenë me idetë: sa më shumë të kthehesh në kohë, aq më tepër do të vëresh se lëvizja e reve ka shkaktuar erën.”

* * *
Shpresoj se ky roman do t’u flasë shumë e do t’i bëjë për vete mjekët, studentët e mjekësisë, punonjësit e spitaleve dhe të qendrave shëndetësore, jo vetëm nga mjeshtëria e ndërthurjes së subjektit dhe vizatimit të personazheve, por edhe nga njohuritë bashkëkohore në fushën e mjekësisë, sidomos asaj të neurologjisë, si edhe të etiketës profesionale që rrezaton vepra. Një mjek lë New Yorkun, punën e familjen që të kujdeset për Mark Shluterin, edhe pse ai kurohet në Nebraskën e largët. Mjekët e punonjësit e shëndetësisë do t’i përjetojnë më me intensitet dialogët ndërmjet dr. Hejzit dhe dr. Uebërit, si dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me trajtimin mjekësor të Mark Shluterit.
Për dr. Uebërin “truri është një strukturë ndryshimesh për ndryshimin pasqyrues. Përdore ose ndryshe e humbet.” Profesionalizmi i trajtimit të problemeve të neurologjisë nuk qëndron vetëm te simptomat e pacientit. Ai ngjitet deri në majat më të larta të arritjeve të mjekësisë amerikane, duke e trajtuar edhe trurin si objekt e subjekt i një evolucioni të ngadalshëm. “Genet u aktivizuan e prodhuan proteina të reja, të cilat shkonin përsëri te sinapsi dhe e riformonin. Dhe kjo krijonte një kujtim të ri, luginën nëpër të cilën mendimi rrjedh. Shpirti nga materia. Çdo shpërthim drite, çdo tingull, çdo përputhje e rastit, çdo shteg i rastësishëm nëpër hapësirë ndryshonte trurin, shndërronte sinapset, madje i shtonte ato, ndërkohë që të tjerat dobësoheshin ose largoheshin nga mungesa e veprimtarisë.” Me mjeshtërinë e penës dhe me mprehtësinë që e karakterizon, R. Powers e bën të tijën gjuhën e vështirë mjekësore, duke ia sjellë lexuesit në formën më të thjeshtë e më të qartë. Figurat e përsosura letrare të veprimtarisë së njeriut përqasen me objekte natyrore, me bimë e kafshë, duke ia bërë lexuesit aq të thjeshta e të kuptueshme gjithë ngjarjet. Edhe në fluturimin e fundit, duke u kthyer në qytetin e tij, nga dritarja e avionit Dr. Uebëri shikon me vëmendje dritat e pafund të qyteteve, rrugët e rrugicat e ndriçuara, autostradat e gjata që lidhin qytetet dhe i përcepton si sinapse të panumurta të qelizave nervore që, me dendronet dhe aksonet e tyre krijojnë ato lidhje funksionale të sistemit nervor, për të cilat s’e zë gjumi. E po kështu ndodh edhe me lexuesin, që vështirë ta zërë gjumi duke pritur fundin e ngjarjeve të romanit.
Nje kategori tjeter lexuesish, që gjejnë kënaqësinë e veçantë në këtë roman, do jenë edhe ata që studiojnë biologji, ambientalistët dhe gjithë njerëzit që janë të shqetësuar për ruajtjen e mjedisit. Në duart e tyre ky roman do përbënte vërtet një model të veprimtarisë së njeriut në lidhje me natyrën, me botën e gjallë, me ruajtjen e ekuilibrit ekologjik në zonat ku jeton. Veprimtarinë e natyrës shkrimtari Richard Powers e përmbledh në shprehjen e tij proverbiale: “Detyra e natyrës është të mbulojë gjithçka, ta shndërrojë të shkuarën në të tashme.” Natyra përpiqet të mbulojë dhe të fshijë çdo dëmtim që i bëhet. Secili nga ne ka plot mundësi ta ruajë dhe ta ndihmojë natyrën në këtë proces të veprimtarisë rigjeneruese të saj. Aq të bukura janë krahasimet e veprimtarisë së përditshme të mjekut me botën e gjallë, sa të duket se këtë roman mund ta këtë shkruar një shkencëtar biolog. Lejlekët me çafkë të kuqe në kokë ngjasojnë me Markun pas operacionit në tru. Ashtu si gjallesat, që i janë nënshtruar seleksionit natyror, edhe shpresa e njeriut për të mbijetuar ka ecur nëpër në të njëjtën rrugë evolucioni: atë të seleksionit. Pikërisht rruga e gjatë e evolucionit solli këtë grumbull qelizash, që krijuan mendjen njerëzore, të cilën Powers e quan “të plotfuqishme, të vetëdijshme, të madhe sa kontinentet, por të brishtë si mjegulla.”

* * *
Duke lexuar romanin “Jehona e Kujtesës”, natyrshëm krijova lidhje me tre shkrime të botuara në shtypin e përditshëm dhe që trajtonin problemet e ndotjes në Shqiperi, sidomos pastrimit të plehrave në Tiranë. Më tërhoqi vëmendjen shkrimi i Agron Alibalit për argumentet shkencore dhe të dhënat nga studimet e fundit për të mbrojtur mjedisin nga ndotja. Është e saktë ajo që bashkitë e qyteteve dhe vetë qeveria duhet të shumëfishojnë masat për pastrimin e qyteteve dhe të ruajtjes së tyre nga ndotja. Por kjo është njëra anë e problemit, anën tjetër e gjen dhe e mëson shumë natyrshëm në romanin në fjalë. Shkrimtari jeton me të tilla probleme dhe i trajton ato si pjesë të veprimtarisë së përditshme të amerikanëve. Motra e Markut iu rikthye punës, por jo ku punonte dikur. Ajo filloi punë në një institucion që mbron mjedisin, zonën lumore, që të mos lejohen atje ndërtime, të cilat do ta çvirgjëronin natyrën rreth lumit. Diskutimet e shumta pro e kundër ndërtimit të pikës turistike për vëzhguesit e lejlekëve, përqendroheshin në të dy anët e medaljes. Sa turistë do ta vizitojnë në vit dhe, si pasojë e vizitave, sa bimë e kafshë do të dëmtohen e zhduken nga ky ekosistem. Dhe nuk ka dyshim që balanca anon nga mbrojtja e natyrës. “Kryesisht përpiqemi të ruajmë lejlekët nga adhuruesit e tyre”, thotë Kerëni.
Sikur të përqasnim për një çast qëndrimet e përkujdesi që tregohen në roman (natyrisht, edhe ne gjithë shoqërinë amerikane) për mjedisin natyror nga njëra anë, me plehrat nëpër rrugët e qyteteve tona, zhdukjen masive të pyjeve apo dhe deri me deklaratën e ministrit të ambientit se edhe në Gërdecin pas shpërthimit, “ajri, toka dhe uji janë të pastër” (?!), ndryshimet do të ishin të tilla, sa që fjala do ta humbte aftësinë shprehëse. Por le ta lëmë përqasjen për një çast e të kujtojmë shqetësimin e shkrimtarit se njerëzimi po vetëshkatërrohet nga moskujdesi për mjedisin. “Miliona vjet pasi njerëzimi do të ketë shkatërruar vetveten, ato kukuvajka që do të mbesin, do ta orkestrojnë natën. Askënd nuk do ta marrë malli për ne. Zogjtë e fajkojve do të rrotullohen mbi fushat të mbuluar nga bari. Pilivesat, kllinzat dhe këmbëqirithat do të ndërtojnë foletë në mijëra ishuj të krijuar nga strukturat e çelikta të godinave të rrënuara të Manhatenit.” Një imazh tepër tronditës, Manhateni i rrënuar! Por ç’mund të thuhet për vendin tonë dhe kujdesin që tregohet nga shteti dhe individët? Ky libër është një këmbanë që bie për të gjithë, veçanërisht për tërë shoqërinë shqiptare.
Natyrisht, Amerika nuk ka probleme plehrash. Në radhë të parë, sepse është krijuar tashmë një kulturë e përgjithshme që askush nuk hedh në tokë mbeturina. E në këtë rezultat, krahas rregullit e ligjit, me shumë forcë e rezultat ka vepruar edukimi në familje, në shkolla, por edhe nëpërmjet botimit të librave me vlera në këtë drejtim, siç është libri në fjalë.
Richard Powers, me përmasat e një shkrimtari modern e poliedrik, vjen për herë të parë në literaturën artistike shqiptare falë punës përkushtuese dyvjeçare të përkthyesit Dollani. Suksesi i këtij libri do jetë i sigurt dhe shpresoj të bëhet edhe objekt studimi nga studiuesit tanë. Pasi, siç shkruante edhe shkrimtarja Margaret Atwood në një artikull për romanin, “studentët e letërsisë shumë shpejt do ta gërmojnë me kazma e lopata, pasi ky libër ka material për mijëra tema disertacionesh për doktoraturë.”

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›