Shkruante pa qëlluar me grushte
(Kujtime për shkrimtarin John Updike)
Ashtu si plot të tjerë, mendoj se bota letrare ka dështuar, ngase John Updike nuk e mori atë që duhej të kishte marrë. Pavarësisht se ai fitoi dy herë çmimin Pulitzer dhe dy herë National Book Awards, atij iu mohua çmimi Nobel. Ai vetë shkruan për një shkrimtar mediokër e të mërzitshëm, Henry Bech, teksa merr çmimin Nobel dhe teksa mban një fjalim në Stockholm me foshnjën mbi shpatulla... Është ky një pasazh i shkruar në njërin prej librave të tij, që John Updike ma pat dhënë në Boston me dedikasën e shkruar me dorën e vet.
Rudolf MARKU
Në korrikun e vitit 1994 ndodhesha i ftuar në një program kulture në Shtetet e Bashkuara. Qëndrimi im për afër dy muajsh nënkuptonte një udhëtim intensiv nga Bregu Lindor (Washington DC, North and South Caroline, New York City) në Bregun Perëndimor të kontinetit amerikan (California).
Pas dy javësh të mbërrtijes, jam në Massachusetts . I ftuar nga Harvard University, kisha kërkuar të shoh një kopje te gazetës studentore “Crimson”, gazetë ku Tomas Stern Eliot, në qershorin e vitit 1915, pat botuar së pari poemën “Këngë dashurie për J. Alfred Prufrock”. Një gazetë e zakonshme dhe tepër modest studentësh, që vazhdon të botohet edhe sot e kësaj dite me katër faqe, e që u kish prezantuar për herë të parë lexuesve veprën poetike të poetit më të madh të shekulli të njëzetë. Më kish shkuar ndërmend shkarazi se, ndoshta, asnjë shkrimtar shqiptar nuk do ta kishte ulur veten deri aty, sa të kishte pranuar që të botonte një poemë në një gazete studentësh me katër faqe…
Në Washington DC, në Library of Congress, para se të mbërrija në Boston, kisha ende të freskët kujtimin me Maya Angelou, poeteshën e njohur amerikane.
Një burrë i vrullshëm pat dalë nga e njëta dhomë, ku po hyja. U patëm përshëndetur me kokë shkarazi, duke shmangur përplasjen. Maya Angelou me tha:
“E njohe kush ishte? Poeti rus Joseph Brocki, tipi më i vështirë që kam njohur deri më tash. Ngulte këmbë që të pinte cigare në dhomë. Me tha se ndalimi i cigares është një violencë kundër të drejtave të poetëve. Pastaj hapi vetë dritaren dhe piu pesë cigare rresht, gjysmë i përkulur jashtë dritares. Mund të binte poshtë nga çasti në çast. O Zot, këta poetët rusë!”
* * *
Në Boston më lajmëruan se do do takohesha me shkrimtarin John Updike që, siç është në dijeni lexuesi, ka pak ditë që u nda nga jeta.
Nga Updike kisha lexuar romanin ”Lepur vrapo” (Rabbit, run), romanin e tij te parë ”The poorhouse Fair”, si dhe nje vëllim me tregime të shkurtra. Një tregim të tij e kisha përkthyer dhe botuar ne gazetën ”Drita”, në vitin 1988, me një paraqitje të autorit. Ishte botimi i parë i Updike-ut në shqip. Por jo përmendja e parë e emrit te tij në shtypin shqiptar. Më kujtohet sesi, në vitet ’70, emri i tij përmendej po në faqet e gazetës ”Drita”, si emri i një shkrimtari dekadent reaksionar dhe libri i tij ’”Lepur, vrapo” si shembull i degradimint të letërsisë në perëndim. Emrin e Updike-ut artikullshkruesit vigjilentë, si për ta sharë më tepër e si për të treguar shkallën e lartë të rrezikshmërise së tij, e rreshtonin me atë të Kafkës e të Prustit! Po ashtu, në leksionet për letërsinë borgjeze dhe revizioniste të shekullit të njëzetë, lektorë të ndryshëm na kishin shpjeguar rrezikshmërinë e letërsisë absurde, dhe romanin ”Lepur, vrapo” një profesor serioz e shpjegonte si historinë e një lepuri, që nuk kishte arritur të bëhej kurrë njeri!..
Organizuesit e udhëtimit në SHBA i kishin shkruar Updike-ut se unë i kam përkthyer një tregim në shtypin shqiptar, dhe po ashtu i kishin dhënë disa nga poezitë e mia të përkthyera në anglisht. Kishte shfaqur përnjëherë dëshirën që të më takonte.
* * *
Ideja se do takohesha me John Updike-un, të cilin një shkrimtar anglez e ka quajtur Dostojevski i letërsisë amerikane, më jepte një ndjenjë kureshtije të përzier me pasigurinë se çfarë do të flisja me të. Pasigurinë ma shtonte, krahas të tjerash, edhe fakti se diku, në një tregim të tij, ai kishte një referencë jo dhe aq simpatike për shqiptarët!
Takimi do të bëhej në King’s Grant Inn, në periferi të Bostonit, fare pranë Salem, ku është bërë edhe gjygji, për të cilin flet drama e Arthur Miller-it. Ishte data 18 korrik.
Mendova të merrja me vete një libër të tij. Nuk ishte gjë e lehtë për të gjetur një libër të Updike-ut në libraritë e Bostonit. Librat e tij ishin më të shiturit. Një miku im amerikan më dha nga biblioteka vetjake romanin e parë të Updike-ut.
Nxitova të mbërrija në kohë. Arrita pesë minuta me vonesë.
Jashtë, në oborrin e King’s Grant Inn, priste një burrë gjatosh, elegant, me flokë të bardhë, i veshur me një bluzë polo verore. Ishte e kundërta e figurës zyrtare, hijerëndë, të kontraktuar, pozante dhe distancëmbajtëse të shkrimtarëve, që kisha njohur unë deri atë kohë. Kishte sytë më të qeshur e më të butë që kam arritur të shoh te një qenie njerëzore.
I kërkova të falur për vonesën. I tregova se sa e vështire kishte qenë për të gjetur një libër të tij në bookshop-et e Bostonit. Ai me tha se isha munduar më kot, ngase vetë kishte sjellë katër libra të tij për të m’i dhënë me vete.
Filloi të pyeste për Shqipërinë.
Kishte lexuar romanin e Kadaresë “Qyteti në gur”, dhe e kishte admiruar talentin e shkrimtarit shqiptar. Në revistën prestigjioze ‘”New Yorker”, ku ka botuar dhe shkrimet e mrekullueshme estetike, ka shkruar një recension tepër vlerësues për të. Përmendi vetë fillimin e romanit, atë përshkrim surreal të pijanecëve, qe gdhihen në ditën e nesërme mbi çatitë e pjerrta të shtëpive të qytetit. Dhe qeshi. Tha se ishte çuditur se si kjo vepër qe shkruar nga një shkrimatr shqiptar.
Tha se kishte qenë ndër shkrimtarët e parë amerikanë që kishte vizituar Bashkimin Sovjetik. Gjatë kohës së Hrushovit. Kudo i thonin të njëtën gjë. Prozatori më i madh i letërsisë amerikane është Jack London. Poeti më i madh është Walt Whitman.
Më vonë kishte vizituar Poloninë, Çekinë, Gjermaninë Lindore, Bullgarinë. Të njëtat biseda, madje e njëta strukturë sintaksore, i njëjti leksik, e njëjta buzëqeshje. E njëta lëvizje e krahëve. Nuk kish arritur kurrë t’i kuptonte shkrimtarët e vendeve komuniste. Nuk kish arritur madje as që t’i kuptone sadopak veprat e tyre. Ishte trishtuar nga uniformiteti njerëzor. Nese shkrimtarët janë qenie të uniformizuara, ç’mund te presësh nga të tjerët?!
Më tha se nga letërsia amerikane autori që vlerësonte me shumë nuk ishte Jack London, por Nathaniel Hawthorne. Për fat të mirë, nga Hawthorne kisha lexuar “The House of seven gablers” dhe një përmbledhje tregimesh. Ju bë qejfi që e admiroja edhe unë Hawthorne. Natyrisht, duke ia fshehur admirimin tim të hershëm për Jack London.
* * *
Më pyeti se cilin nga tregimet e tij kisha përkthyer. Ah, këtë paske përkthyer? Është tregimi im më i njohur nga studentët amerikanë, ngase është i përfshirë në të gjitha antologjitë shkollore.
Tregimet e Updike-ut i kam admiruar që herët. Ai vetë ka botuar tregime qysh në moshën 22 vjeçare dhe, që në atë moshë, është pranuar si shkrimtar jashtëzakonisht serioz. Ajo që binte në sy tek Updike, ishte natyrshmëria e të shkruarit. Dhe kjo natyrshmeri ndjehej edhe në të gjithë qenien e tij.
Updike nuk është shkrimtar i temave te mëdha. As dhe i temave politike. Kryetema e tij është marredhënia mes burrit dhe gruas, seksi, divorci. Karakteret e tij janë njerëzit e zakonshëm të provinces amerikane.
Stili i të shkruarit është realist. Por është mjeshtër i përshkrimit të situatave, i analizës njerëzore, i ironisë së hollë dhe, mbi të gjitha, i dashurisë për njeriun edhe kur tallet me të. Kjo është arsyeja që lexuesi ameriaknë e ndien veten të identifikuar me karakteret e veprave të Updike-ut.
E pyeta se cilët nga librat e tij vlerësonte më shumë. “Centaur”, “Witches of Eastwick” dhe “Gertrude and Claudius”. Ky i fundit është rishkrimi i marrëdhënieve të Gertrudës, nënës së Hamletit, me burrin e saj të dytë, Klaudin.
Më pyeti nëse e kisha parë realizimin në film të “Witches of Esatwick” me Jack Nickolson… Nuk i pëlqente që shumë lexues e përmendnin si autorin e “Rabbit, run”. Tha se sa e veshtirë është për një shkrimtar, kur ndesh në lexues që e përmendin si autorin e veprave të para që ka botuar… Disa vite më vonë, e kam kujtuar këtë pjëse të bisedës sonë, teksa lexoja njërin nga tregimet e tij në përmbledhjen “Your lover just called”, ku ai tregon një shkrimtar të bezdisur, ngaqë e përmendin si autorin e veprës së tij të parë…
Tek ndaheshim, bëmë një fotografi bashkë. Më dha katër librat, që i kishte marrë me vete nga shtëpia dhe, për secilin, kishte shënuar dedikasë.
* * *
Një muaj më vonë, në Tiranë, marre dhe letrën e parë të tij. Me shkruan me kortezinë më të madhe për kohën që qëndruam së bashku dhe bisedën tonë… Në shtëpinë time, në Tiranë, ruaj katër letra të shkruara nga John Updike, të cilat m’i ka dërguar në vite te ndryshme. Letra miqësore, të shkruara me natyrshmëri dhe një pulsim thellësisht njerëzor.
Shkrimtari anglez Justin Cartwright, mik i Updike-ut, tani që ky i fundit mbylli sytë, shkruan se ai mbetet “shkrimtari më i madh amerikan i pjesës së dytë të shekullit të njëzetë. Cilësia e tij më e rrallë mbetet integriteti absolut. Kurrë nuk ka shkruar në mënyrë pretencioze dhe kurrë, tek shkruante, nuk qëllonte me grushte…”.

9 Shkurt 2009