Metodë për leximin e hirit
Pirro LOLI
Metodë për leximin e hirit
Mund t’i ringjallni barishtet
Pemët që kam djegur dhe temperaturat
Nëse doni të shihni fjalët e hirit
Dhe llërët e përcëlluara,
Flakë të kaltra barishtesh dhe prushesh të trashë,
Ku dimrat ngrohin duart,
Edhe me një fije shkrepse te syri
Mund të shikoni se zambakët kanë çelur.
Në çatinë e hirit Pemët
Dhe trungjet metafora të shuara...
Ndoshta,
Kështu merr trajtë vdekja ime e butë
Fosforeshente
Që fëshfërin në një natë të bardhë
Prej letre dhe hiri.
Një rreze
Një rreze e artë dielli
Ra si tingull në ballin e kaprollit
Dhe e zgjoi
M’u drodh qerpiku i syrit
M’u rrëzuan krahët në baltë
E harkshigjetat e mia
U bënë të ylberta
Fshehtas i ngritëm kurthe njëri-tjetrit
Por ballëpërballë, me sy e qepallë
Buzëqesh gushëbardhi
E me një mijë diej në bri
Mua më vrau kaprolli.
Tre litarë
Erdhi flutura
E fap e fup me krahët e këmishës
T’i fikte dritat nëpër lulet e qershisë
Pastaj u harrua në një puthje
Tek vathët e varura në gushën e jargavanit.
U shkri qershia duke qeshur
E u përndez nga rrënja në gjeth
Abort...
Poeti është një grua që aborton
Mos më pyetni për seksin
As për ato copa diejsh
Që këputen nga mitra e poetit
E shprishen, shprishen dhe
Mezi dallohet një sy i përgjakur
Dhe dy buzë plastike
Me barkëzën time prej letre
Në një det mëkatarësh lundroj
Por unë e besoj këtë kryq në qafën time
Këtë kryq si qafën e një fëmije
Që më thërret të mbytem.
Të mbytem në krahët e një batice
Ku me njëqind stile spektakolare
Puthen dy delfinë të dashuruar.
Të dashurës
Trëndafil i errët
Të pjerrta rrugët për te ti,
Boçe e huaj që vonon të çelë.
Aroma ma kafshon buzën
Me tërbimin e gjembit të zi
Mërmërin zambaku i fshehur
E hesht si nata në mesnatë
Të errta qelqet e qenieve tona
Të lutem, mos çil! Lermi mua kurthet e natës
Më prit!
Do t’i thyej gjunjët në të pjerrtën rrugë
Je tjetër heshtje,
Tjetër tingull
Që as shpresë, as gënjeshtër më jep...
9 Shkurt 2009