Autobusi
Leonard COHEN
Autobusi
Isha udhëtari i fundit i asaj dite,
u gjenda i vetëm në autobus,
i kënaqur, po shpenzonin tërë ato para
të më shpinin gjer në Avenjunë e Tetë.
Shofer! Brita, sonte jemi unë e ti,
ta lëmë pas këtë qytet gjigand,
t’ia mbathim drejt një tjetri, më të vogël,
të prerë për shpirtin tonë.
Ngaje drejt pishinave të plazhit Miami,
ti në ndenjësen tënde, unë ca të tjera më pas,
veç në qytetet raciste do të ndërrojmë vendet
për të treguar sa mirë sillen me ty në Veri.
Ngaje, mos gjejmë
ndonjë fshat të vogël peshkatarësh
në Floridan e panjohur,
e bash buzë detit ta parkojmë
autobusin e madh metalik, të bojatisur,
të vetmuar, targat e New-Yorkut
të nxjerrim në pah.
Nuk ke pse më do
Nuk ke pse më do
ngaqë
je si të gjitha gratë
që përherë më kanë munguar
U linda për të rendur pas teje
çdo natë
dhe prapë jam
orteku me burra që të dashurojnë
Të takoj në tryezë
ta marr grushtin mes duarve të mia
në taksi nusesh
zgjohem fillikat
gishtat e mi te mungesa jote
në Bujtinën e Virtytit.
I shkrova tërë këto këngë për ty
ndeza qirinj të kuq e të zinj
në trajtën e një burri dhe një gruaje
u martova me tymin
e dy piramidave me nallane druri
u luta për ty
u luta të më duash
u luta të mos më duash.
Paçka se bota…
Unë po vdes
se ti s’e dhe jetën për mua
paçka se bota
prapë të dashuron
Shkruaj ngaqë e di
se puthjet e tua
lindën të verbëra
te këngët që të përkasin ty
S’dua të jem
kuleta e jetës tënde
dua të jem robi i ngujuar
në mendimet e tua
si qyteti i New-Yorkut
kur ti ende s’je zgjauar.
Elegji
Mos kërko për të
Në rrëketë e majëmaleve të thiktë:
Janë të ftohta dhe për perënditë;
Mos i këqyr lumenjtë e zemëruar për
Të gjetur gjurmë të trupit të tij qumështor
Mos shpreso t’i shohësh gjakun në zall
Se drejt ngrohtësisë së oqeanit të kripur
Po zbret përmes shkëmbinjve
Me ujëra të kthjellta, të përmbajtura
Ku peshqit e bukur bredharakë
I puthin trupin nga dëbora mavijosur
Dhe në qefinin e tij fërgëllues
Ngrenë strehët e tyre të fshehta.
Ngjarja e madhe
Do të ndodhë shumë shpejt. Ngjarja
e madhe, ajo do t’i japë fund tmerrit.
Ajo do t’i japë fund dhimbjes.
Të martën tjetër, kur të perëndojë dielli,
do të luajë Sonatën e Hënës sëprapthi.
Kjo do ta çendë pëlhurën e çmendurisë
njerëzore, zhytur në vuajtje qysh prej
200 milionë vjetësh.
ǒnatë e hatashme ka për të qenë.
ǒpsherëtimë lehtësuese lëshojnë
gushkuqët e mplakur,
sërish u ndrin e kuqja,
bilbilat pensionistë
shkundin bishtat e pluhurosur
dhe shpallin madhështinë e krijimit.
Përktheu Ilir Sofroni
9 Shkurt 2009