E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tym me helmin e urrejtjes



Yzedin HIMA

“Unë nuk jam socialist! Ata që mund t’ju kenë thënë të kundërtën, shpifin!”, i deklaroi një qytetar një zyrtari, tek i cili kishte trokitur për një hall vetjak. A ka fyrje më të madhe për një zyrtar se kjo deklaratë? Në të shkuarën jo të largët, ai u qe bashkuar protestuesve për një shoqëri të lirë, për lejimin e pluralizmit politik, për flakjen e sundimit të një partie, për një shoqëri ku njeriu mund të zgjidhte të militonte në partinë politike që dëshironte. A ka pamje më të qartë për të dëshmuar se njerëzit, partitë, madje edhe institucionet e brishta ende nuk janë dliruar nga sindroma kriminale e luftës së klasave?! Dhe kur zyrtari iu përgjigj se nuk ishte diçka e keqe, madje qe diçka pozitive të ishe socialist a demokrat, qytetari e shikonte me dyshim. Edhe kur i shpjegoi se ky institucion u shërbente qytetarëve njëlloj, pa dallime politike e shoqërore, sërisht qytetari e shikonte me mosbesim. Edhe kur u zgjidh problemi i tij, ai e shikonte zyrtarin siç mund të kundrohet një ufo. Krahas ruajtjes e pasurimit të mjediseve të gjelbëra, krahas sloganeve dhe veprimeve për një qytet të paster, shoqëria shqiptare ka nevojë të hartojë edhe platformën e humanizimit të saj. Tymi i makinave nuk është asgjë para helmit që lë pas urrejtja e njeriut për njeriun.

Shpërdorimi i lirisë për ne qytetarët shqiptarë është i dhimbshëm, krejt si shpërdorimi i ujit në mes të shkretëtirës përvëluese. Ndërsa përdorimi i drejtë i lirisë do të na bënte edhe më të lirë. Po si e kemi përdorur lirinë në këto vite në një vend, ku liria ka munguar në diktaturë?
Si shpërdorues të krisur. (Ndonëse ende nuk jemi plotësisht të lirë, në kuptimin sipëran të kësaj fjale, kur nuk mund të dalësh lirisht jashtë vendit.) E shpërdorojmë lirinë si lojtarët e bixhozit të hollat. Po si? Ja, për shembull, në vend të ulemi të studiojmë, e kemi më lehtë t’i fusim mësuesit, pedagogut një dorë parash për të regjistruar një notë pozitive. Në vend të punojmë tokën, të rrisim pemë dhe perime, i japim zyrtarit të kalbur një trastë me para dhe blejmë një diplomë për t’u bërë “mësues”, “mjek” a “inxhinier”. Në vend të ngremë probleme në tubime e media për të përsosur institucionet, shkruajmë letra anonime (edhe kur vendos emrin poshtë letrës, për shkak të anonimatit të atij emri, letra është thjesht anonime). Në vend të kërkojmë që kudo në zyra dhe institucione të mbretërojë ligji, bëjmë një mijë e një presione për të shkelur ligjin në të mirë të përfitimeve tona të paligjshme. Në vend të organizimeve qytetare, parapëlqejmë organizimet tribale: klanore e fisnore. Në vend që të inkurajojmë nismat reformuese, i shkurajojmë nismëtarët me klimën e ftohtë që krijojmë rreth tyre, etj. etj.
Nëse do ta përdorim lirinë tonë relative në të mirë të vetes sonë, në të mirë të vendit, atëherë kjo liri do të na bënte edhe më të lirë dhe vendin tonë edhe më të jetueshëm. Banorët e vendeve të qytetruara e kanë përdorur lirinë si një nga pasuritë më të çmuara, shumë më të çmuar edhe se të gjitha pasuritë mbi e nëntokësore. Dhe liria ka punuar shkëlqyer për ta dhe për brezat që vijnë. Po ne? Ne banorët e këtij trualli nuk jemi aq të kamur me atë pasuri që thirret liri, pra nuk jemi aq të lirë, sa ta shpërdorojmë në mënyrë skandaloze.

* * *
Por shoqëria jonë, për mendimin tim, ka edhe një problem të madh, atë të dehumanizmit të saj. Ky dehumanizëm, apo thënë shqip zhveshja e njeriut nga respekti dhe dashuria për njeriun, ka arritur në përmasa të frikshme. Po t’u hedhësh një sy kronikave të medias së përditshme, vëren se jeta është gjëja me më pak vlerë ndër qytetarët. Historia jonë e largët dhe e afërt ka ndikuar në këtë çnjerëzim të banorëve. Edhe pas rënies së diktaturës shoqëria shqiptare nuk pësoi ndonjë pastrim shpirtëror, për të fituar dimensionet e vërteta humane, aq të nevojshme për të ndërtuar një shoqëri të lirë. Lufta e klasave vazhdoi në një formë tjetër, urrejtje e mungesë tolerance për të ndryshmin. Tranzicioni i gjatë mund të lexohet si pasojë e mungesës së bashkëpunimit, si pasojë e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit, si pasojë e mungesës së njerëzores në mardhëniet midis njerëzve të një gjuhe e të një kulture. Kulmi arriti në vitin e përgjakur ’97 kur, ndërsa një njeri digjej i gjallë, ca krijesa që flisnin gjuhën e tij kërcenin rreth tij duke ngrënë bukë e domate me duart e përlyera.
Edhe sot e gjithë ditën, terreni më i zhveshur në mjedisin shqiptar, terreni më i shkretuar e më i ndotur, që ka nevojë për pastrim e “gjelbërim”, është pikërisht mendja dhe shpirti i banorëve të tij.
“Unë nuk jam socialist! Ata që mund t’ju kenë thënë të kundërtën, shpifin!”, i deklaroi një qytetar një zyrtari, tek i cili kishte trokitur për një hall vetjak. A ka fyrje më të madhe për një zyrtar se kjo deklaratë? Në të shkuarën jo të largët, ai u qe bashkuar protestuesve për një shoqëri të lirë, për lejimin e pluralizmit politik, për flakjen e sundimit të një partie, për një shoqëri ku njeriu mund të zgjidhte të militonte në partinë politike që dëshironte. A ka pamje më të qartë për të dëshmuar se njerëzit, partitë, madje edhe institucionet e brishta ende nuk janë dliruar nga sindroma kriminale e luftës së klasave?! Dhe kur zyrtari iu përgjigj se nuk ishte diçka e keqe, madje qe diçka pozitive të ishe socialist a demokrat, qytetari e shikonte me dyshim. Edhe kur i shpjegoi se ky institucion u shërbente qytetarëve njëlloj, pa dallime politike e shoqërore, sërisht qytetari e shikonte me mosbesim. Edhe kur u zgjidh problemi i tij, ai e shikonte zyrtarin siç mund të kundrohet një ufo.
Krahas ruajtjes e pasurimit të mjediseve të gjelbëra, krahas sloganeve dhe veprimeve për një qytet të paster, shoqëria shqiptare ka nevojë të hartojë edhe platformën e humanizimit të saj. Tymi i makinave nuk është asgjë para helmit që lë pas urrejtja e njeriut për njeriun.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›