E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria presion KLD për emërimin e gjyqtarëve

Ministri i Drejtësisë sulmoi dje KLD-në pas emërimit të Artan Zenelit në krye të gjykatës më të madhe në vend


TIRANË- Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e djeshme të radhës nën drejtimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, me vota unanime emëruan në krye të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, juristin Artan Zeneli. Gjatë mbledhjes, ministri i Drejtësisë ka kundërshtuar fuqimisht këtë kandidaturë duke i kërkuar anëtarëve të veçantë që të mos e votonin.


Ministri Enkelejd Alibeaj, pas mbarimit të mbledhjes ka dalë në një konferencë për mediat ku ka cilësuar procesin e përzgjedhjes së kryegjyqtarit si tërësisht fals, jo transparent dhe i paramenduar.


Alibeaj ka pretenduar se Zeneli nuk përmbushte kushtin për të qenë katër vjet gjyqtar por ministri nuk ka qenë në dijeni të faktit se kandidati ka qenë tetë vjet gjyqtar. Pas mbledhjes, kreu i Ministrisë së Drejtësisë, ka vazhduar presionet në emër të qeverisë duke akuzuar KLD-në për mungesë transparence.


Alibeaj


"Procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ishte një proces tërësisht fals, një proces i cili kishte një vendim tërësisht të paramenduar dhe paracaktuar.


Mjafton t'ju sqaroj që kandidatura e cila u përzgjodh si kryetar i gjykatës më të madhe në vend është emëruar si gjyqtar jo më pak se një javë më parë",- tha Alibeaj, duke cilësuar këtë emërim si shkelje të ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor", ku kërkohet që aplikanti për kryetar gjykate të ketë së paku 4 vjet përvojë pune në këtë gjykatë.


Ndërkohë, zyrtarët e KLD-së gjatë një prononcimi për media, përveç se deklaruan votat e tre prej anëtarëve të KLD-së njoftuan se ministri Alibeaj nuk preferoi të votojë asnjërin nga kandidatët, duke mbajtur qëndrim se nuk janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore për emërimin e kryetarit të gjykatës.


KLD


"Në vlerësim të transparencës gjatë procesit të vendimmarrjes, Kryetari i KLD-së njëkohësisht Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se vota e tij shkoi në favor të kandidatit Kastriot Selita, aktualisht kryetar i Gjykatës së rrethit gjyqësor Dibër.


Ndërkohë, rezultatet e votimit në favor të kandidatit Artan Zeneli, përjashtuan edhe zv\kryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiun, i cili votoi në favor të kandidates Majola Bejleri, anëtari tjetër i KLD-së Neshat Fana, dhe një anëtar tjetër i këtij këshilli votuan në favor të kandidatit Petrit Çomo",- thuhet në njoftimin e anëtarëve të këshillit menjëherë pas mbarimit të mbledhjes që zgjati disa orë me debate.


Zeneli


KLD shpjegoi se gjyqtari Artan Zeneli, u riemërua në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë me propozim të KLD-së dhe dekret Nr.6207 të datës 12 qershor 2009 të Presidentit të Republikës.


Gjyqtari Zeneli ripërfshihet në sistemin gjyqësor pas një periudhe shkëputjeje prej ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, detyrë të cilën ai e ka ushtruar për 8 (tetë) vjet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Krujë dhe Tiranë; duke sqaruar se në gjykatën e kryeqytetit, ai ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryetarit për periudhën 1993 - 1995.


Përveç emërimit të Zenelit në krye të gjykatës, anëtarët e KLD-së diskutuan mbi nevojën e vazhdimësisë së prurjes në gjykata të gjyqtarëve magjistratë, e lidhur kjo me vazhdimësinë e programit të formimit fillestar nga Shkolla e Magjistraturës për vitin akademik 2009 - 2010.


"Në përfundim të një diskutimi shumëplanësh dhe në analizë të shumë komponentëve, Këshilli, pa të arsyeshme që - mbi bazën e një studimi të thellë - të realizojë në të ardhmen, një vendimmarrje vizionare, e cila do të konsistojë në një planifikim afatgjatë për sjelljen e gjyqtarëve të rinj nga Shkolla e Magjistraturës në sistemin gjyqësor",- thuhet nga KLD-ja.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›