Legjendë e gjallë

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Zlatan Ibrahimoviç e ka përshkruar veten si “legjendë e gjallë” pasi u nderua në qytetin e tij të lindjes në Malmo, gjatë detyrës ndërkombëtare me përfaqësuesen e Suedisë.
Kapiteni i Suedisë ka vizituar qytetin së bashku me disa bashkëlojtarë të ekipit para duelit kualifikues të Grupit C për Kampionatin botëror 2014 kundër Kazakistanit në Swedbank Stadion të martën. 30 vjeçari u nderua nga autoritetet lokale me një vend në ‘Walk of Fame’ jashtë stadiumit, ku zënë vend heronjtë lokalë që kanë arritur sukses në sport.
“Është nder i madh për mua, do të thotë se kam arritur diçka në karrierën time”, deklaroi Ibrahimoviç për France Football. “Ne zakonisht themi se nuk mund të bëheni legjendë para vdekjes. Por, unë jam një legjendë e gjallë, së paku në Malmo”, u shpreh ai.
Ibrahimoviç më pas u akuzua nga një gazetar lokal se nuk feston golat me entuziazëm njësoj sikurse bëri së fundmi i ‘pakënaquri’ i Real Madridit, Cristiano Ronaldo. “Ju nuk duhet të më krahasoni më dike tjetër. Kur unë shënoj një gol pas 27 sekondash (kundër Lilles në Ligue 1), janë edhe 89 minuta lojë. Preferoj të festoj pas ndeshjes sepse gjithçka mund të ndodhë gjatë një takimi”, u përgjigj ish ylli i Milanit.
Dy muaj më parë zyrtarizoi transferimin në Paris dhe Ibrahimoviç nuk është penduar për vendimin e marrë. . Sa më tepër ditë që kalojnë, Ibrahimoviç ndihet gjithnjë e më mirë në skuadrën dhe qytetin e tij të ri. “Kam ardhur në Paris para vetëm disa muajsh dhe ende jam duke kërkuar të ambientohem, por tani e njoh mirë klubin, bashkëlojtarët, qytetin dhe deri më tani gjithçka është pozitive, nuk kam arsye të ankohem”, përfundoi ai.
Bashkërisht me të, nga Milani për në Paris Saint Germain u transferua edhe qendërmbrojtësi brazilian Thiago Silva. Ibrahimoviç në konferencën e parë për shtyp te skuadra nga Parc des Princes kishte shprehur gëzimin e tij për kalimin te gjiganti francez dhe pas kalimit të dy muajve nuk ka ndërruar mendje.