E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen Mehmeti

Agon Mehmeti i ka treguar ‘dhëmbët’ me ta filluar eksperiencën në Novara. Sulmuesi kosovar realizoi tri gola të shpejtë në fitoren e ekipit të tij në udhëtim ndaj Cesenës. 22vjeçari ndihet i lumtur për golat që i shënoi në harkun e 22 minutave. Ish-futbollisti i Malmos insiston se i duhet të punojë fort për ta mbajtur ritmin e nisur.

Agon Mehmeti ka shpërthyer si një bombë. Pas heshtjes gjashtëmuajshe në Palermo, ku nuk e pati rastin të luante e lëre më të shënonte, sulmuesi kosovar e ka treguar veten menjëherë te Novara, ku është huazuar gjatë kësaj vere për një sezon.

Ish-futbollisti i Malmos i ka mahnitur të gjithë, duke realizuar tri gola, në fitoren në udhëtim ndaj Cesen-s (1:4) në Serie B italiane. 22-vjeçari realizoi hat-trik për 22 minuta, një rekord ky në karrierën e tij.

Ai nuk arritur të shënonte kurrë tri gola për një takim. “Është gjithçka perfekt. Kam ushtruar vetëm pesë herë me ekipin, ndodhi gjithçka shumë shpejt”, ka thënë ish-përfaqësuesi U-21 i Suedisë.

Kjo ishte hera e parë që Mehmeti luajti nga minuta e parë dhe ai nuk zhgënjeu, duke shënuar golat në minutat 24, 27 e 45. “Është hera e parë që shënoi tre gola për një takim. Një gjë të tillë e kisha bërë kur isha fëmijë, por kjo ka kohë që kishte ndodhur”, vijoi ai.

Futbollisti llapjan e ka lavdëruar ekipin e tij të ri Novara, për të cilën thotë se është skuadër solide. “Nuk është ekip i keq. Ka luajtur në Serie A, njëjtë siç kishim luajtur edhe ne. Për ne në Palermo funksionoi gjithçka mirë. Kam pasur ndjenja të përziera, por kjo është normale kur nuk bën lojë për një kohë të gjatë. Ndiej se e kam filluar një jetë të re, pasi që nuk ishte e lehtë të ulesha në bankinë dhe tribunë. Ndieja se kisha nevojë për të lëvizur”, shtoi ai.

“Është zbavitëse të kesh një sukses të menjëhershëm, por është një sezon i gjatë përpara. Janë në pyetje 42 ndeshje dhe duhet vazhduar punën dhe të shkojmë përpara me këtë ritëm. Mirëpo, trajneri ngjason me karakterin tim dhe jam pritur mjaft mirë në klub, jam ambientuar”, vijoi Mehmeti, i cili luajti 53 minuta, në ndeshjen e së dielës mbrëma.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›