Ferronikeli emëron Krasniqin për trajner

Ferronikeli e ka gjetur pasardhësin e Musa Selimit, i cili u largua nga posti i trajnerit, ditë më parë. Skuadra nga Drenasi e ka emëruar trajnerin e njohur, Ramiz Krasniqi, i cili do t’i prijë këtij ekipi së paku deri në fund të këtij kampionati.
Pas nismës së dobët të sezonit, ku pësuan tri humbje dhe e arritën një fitore, gjelbërezinjtë vendosën të bënin ndryshime në shtabin teknik, pasi që punët nuk po shkonin siç i kishin planifikuar.
Andaj, drejtuesit e këtij klubi menduan se personi ideal për ta drejtuar ekipin e tyre është ish-trajneri i Prishtinës. Ai synon që debutuesi i Superligës të ketë sezon të suksesshëm, duke u mundur ta ngre sa më lart në tabelë.
“Kemi arritur një marrëveshje me Ferronikelin, këto ditë do t’i bashkëngjitem ekipit. Do të mundohemi të punojmë maksimalisht me këta futbollistë, me stafin që është aty, ta japim më të mirën prej tyre. Ka emra të njohur aty, por ka çaluar sa u përket rezultateve. Të shohim çfarë i nevojitet këtij ekipi. Do të kërkoj nga lojtarët punë, angazhim dhe disiplinë, në mënyrë që të ngrihemi sa më lart në tabelë”, tha fillimisht Krasniqi për Express.
“Do të mundohemi që kualiteti i cili është në letër, ta qesim në fushë dhe më pas me siguri, rezultatet nuk do të mungojnë. Duhet ta japim maksimumin, për t’i arritur rezultatet pozitive”, vijoi ai.