E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batice shqiptare ne Zvicer

Nuk do të habitet njeri kur stadiumi i Lucernës të shfaqet në ekranet televizivë mbrëmjen e së martës, ndërsa aty do të jetë duke u bërë gati për të nisur ndeshja Zvicër-Shqipëri për eliminatoret e kampionatit botëror.
Më shumë se një e treta e tribunave do të jetë me ngjyrat kuqezi, sepse nga 15 600 vende që ka stadiumi, të paktën 6 000 do të jenë të zëna nga shqiptarët. Fakti që shumica dërrmuese e tyre do të jenë shqiptarë nga Zvicra, njerëz me prejardhje nga Kosova e Maqedonia, nuk ka asnjë rëndësi.
Mediat zvicerane tregojnë një lloj alarmi për atmosferën që do të krijohet në përballjen e rëndësishme, e dyta për këto skuadra në grupin E.
Gazeta “Blik”, pasi jep lajmin, këshillon 5 shqiptaro-zviceranët që të kenë kujdes. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili, Valon Behrami dhe Admir Memedi duhet të ruhen nga provokimet, pasi është krejt e mundshme që të tilla të ketë.
Vetë tifozët kuqezinj kanë deklaruar se kanë bërë gati një fanelë speciale për këtë takim, në të cilën janë shkruar këto vargje: “Nëna m’ka thënë/o bir/emrin ta kam/vënë ilir/mos u shit për/frank, dollarë/mos harro që je/shqiptar.
Granit Xhaka thotë se është i kënaqur të paktën që ndeshja do të luhet në Lucernë dhe jo në Bazel. “Do të ketë provokime, mendoj se po, - shprehet ai, - por, mirë që nuk do të luhet në Bazel, pasi atje do të kishte pasur 30 000 tifozë shqiptarë”.
Ndërkaq, tifozët zviceranë kanë besim tek skuadra e tyre, por jo plotësisht. Në një sondazh të gazetës “Blik”, 33.4 për qind e votuesve thonë se nuk do të ketë fitore të martën, pasi Shqipëria është më e fortë sesa Sllovenia. Ndoshta, ndër këta votues nuk do të jenë shqiptarë të Zvicrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›