Legjionarët/ Hamdi Salihit i mungon goli, humbet Rapidi i Vjenës
Dy ditët e fundit mediat austriake i kanë thurur elozhe sulmuesit 27-vjeçar shqiptar, për 6 golat që shënoi brenda javës, 5 në Kupën e Austrisë (në ndeshjen me amatorët e LASK Linzit) dhe një me kombëtaren (kundër Malit të Zi).
Presioni i vazhdueshëm e ka detyruar trajnerin Shëtel që ta aktivizojë qysh nga minuta e parë Salihin kundër Shturmit të Gracit. Në minutën e 84-rt, Shëtel e ka zëvendësuar me Gartlerin, por në minutën e 90-të Rapidi ka pësuar golin që i shkaktoi humbjen përballë rivalëve të Shturmit.
Odise Roshi, rreth 40 minuta në shkatërrimin e Këlnit
Futbollisti 20-vjeçar i Këlnit, Odise Roshi, është aktivizuar rreth 40 minuta në ndeshjen Shalke-Këln 5-1. Pjesëtari i Shpresës së Shqipërisë, i cili i transferua me shumë bujë nga Flamurtari i Vlorës drejt Bundesligës, ka marrë vlerësime nga drejtuesit e Këlnit, duke luajtur qoftë për disa minuta në dy ndeshjet e para të sezonit.
Për fat të keq, Këlni e ka nisur shumë keq kampionatin, duke i humbur të dyja ndeshjet e para. Gjithsesi, fakti që Roshi ka luajtur qoftë për një pjesë lojë është mjaft pozitiv.
Hyka, nga kombëtarja si zëvendësues te Lucerna
Goli i shënuar në miqësoren me Malin e Zi tregoi që Jahmir Hyka mund të shndërrohet një lojtar të rëndësishëm për kombëtaren, por më parë 23-vjeçari duhet të ketë vazhdimësi me skuadrën e tij, Lucerna.
Në javën e pestë të kampionatit zviceran Lucerna ka barazuar 1-1 në transfertë me Sionin. Edhe pse kanë kaluar të parët në avantazh në minutën e 5-të, futbollistët e Lucernës nuk kanë mundur të marrin tri pikë nga kjo përballje.
Jahmir Hyka është aktivizuar si zëvendësues i veteranit turk Hakan Jakin në minutën e 55-të. Vendësit e Sionit e kanë barazuar rezultatin në minutën e 64-rt. Duhet theksuar se Lucerna ka luajtur me 10 lojtarë për më shumë se 50 minuta.
Altin Lala nuk rezulton në 18-shen e Hanoverit
Vendi i katërt në Bundesligë në fund të sezonit të kaluar duket se nuk ka qenë arritje e rastësishme e Hanoverit, ku aktivizohet kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala.
Hanoveri ka fituar 2-1 në transfertë me skuadrën e Nurnbergut, duke marrë pikët e plota në këto dy javë të para të Bundesligës. Altin Lala nuk rezultonte në 18-she, pasi trajneri Slomka nuk e kishte grumbulluar.
Elis Bakaj, 45 minuta në fitoren e Dinamos së Bukureshtit
Mesfushori shqiptar i Dinamos së Bukureshtit, Elis Bakaj, është aktivizuar gjatë 45 minutave të pjesës së parë në ndeshjen me Pandurin në kryeqytetin rumun.
Takimi ka përfunduar 2-0 në favor të Dinamos. Duhet theksuar që në pjesën e parë Dinamo e Bukureshtit nuk zhvilloi një lojë të mirë, madje humbi një 11-metërsh.
Në këtë pjesë Bakaj rrezikoi portën kundërshtare me një goditje nga larg, që përfundoi ngjitur me shtyllën. Në pjesën e dytë Bakaj zëvendësohet nga trajneri, ndoshta për arsye taktike. Pikërisht gjatë 45-minutëshit të dytë erdhën dy golat e vendësve.