Sopoti, e ardhmja mbetet e dyshimtë
Deri tani nuk është marrë asnjë masë nga drejtuesit për organizmin e ekipit të sezonit të ri
Nga Sokol Belba
Shumica e ekipeve të kategorisë së dytë janë duke u përgatitur për kampionatine ri, por nuk ndodh kështu me Sopotin, që për emrin dhe traditën që ka, duhet të jetë pretendent serioz për kategorinë e parë. Edhe pse sezoni i fundit ishte krejtësisht zhgënjyes, te ky ekip nuk është marrë asnjë masë.
Sopoti vazhdon të ketë të njëjtat probleme, pavarësisht premtimeve të shumta. Ekipi librazhdas nuk është grumbulluar për të filluar stërvitjen dhe për më tepër nuk dihet cili do të jetë trajneri i tij.
Sezonin e fundit Sopoti u drejtua nga trajneri Besnik Çota, për të cilin nuk është e qartë, nëse do të vazhdojë apo jo. Nga drejtuesit e bashkisë, që financon ekipin, nuk është thënë asnjë fjalë, ndërkohë që ekipit i është marrë edhe një nga ambientet, ku zhvillohej stërvitja, aneksi i stadiumit.
Drejtuesit do të kërkojnë me ngulm rikthimin e këtij ambienti në shërbim të ekipit, por kjo mbetet për tu parë. Në këto kushte, e ardhmja e Sopotit mbetet shumë e dyshimtë.
Futbollistët shprehen se janë në pritje të një ftese nga ana e drejtuesve, në mënyrë që ta vazhdojnë bashkëpunimin me ekipin e qytetit të tyre.
Tepelena, “grepat” tek Apolonia dhe Luftëtari
Tepelenasit vijojnë përgatitjet, por tani me ngarkesa më të larta. Trajneri Ilir Selimi, duke pasur edhe ndihmën e shefit të klubit, njëkohësisht kapitenit të ekipit, Roland Gabës, e ka më të lehtë të përzgjedhë elementët, me të cilët do të prezantohet sezonin e ardhshëm në kampionat.
Ndërkohë, burime pranë stafit tepelenas bëjnë me dije se drejtuesit kanë filluar bisedimet me lojtarë të Luftëtarit edhe të Apolonisë. Pas kontakteve me Delibashin, Çerepin dhe Rrapajn, trajneri Ilir Selimi ka pëlqyer edhe dy futbollistë të Luftëtarit. Pritet që atyre t’u bëhet oferta në ditët në vijim, por merkatoja e tepelenasve nuk mbetet me kaq.
Gjatë këtyre ditëve dy futbollistë të Apolonisë janë kontaktuar nga trajneri Selimi, i cili u ka bërë ftesën për ti pasur në ekip sezonin e ardhshëm. Të gjithë lojtarët që kanë qenë sezonin e klauar pjesë e Tepelenës nuk mungojnë në stërvitje, ndërkohë që janë parë edhe futbollistë të rinj, që vijnë për herë të parë.
Ata kanë luajtur me ekipe të ndryshme fqinje të kategorisë së dytë sezonet e fundit, siç janë Memaliaj, Përmeti apo Këlcyra, kështu që më parë do të testohen dhe do të jetë trajneri Ilir Selimi që do të vendosë, nëse do të jenë të vlefshëm apo jo.
Turbina, presidenti Gjoka nis gjuetinë e lojtarëve
Nga Artan Paja
Menjëherë pas prezantimit të skuadrës dhe stafi teknik, me në krye trajnerin Engjëll Belshi, Turbina ka nisur punën, që nis me përzgjedhjen e lojtarëve.
Trajneri Belshi tha se Turbina do të kërkojë të shfaqet menjëherë pretendente për në kategorinë e parë.
Sipas tij, skuadra cërrikase po kompletohet dita-ditës me elementët e duhur dhe kjo përkon me objektivin e kërkuar me krerët e lartë të klubit.
”Mendoj se jemi në rrugën e duhur për kampionatin e ri, ku të gjithë jemi të ndërgjegjshëm në objektivin tonë, që është kategoria e parë. Nuk është thjesht një dëshirë, por këmbëngulje e gjithë grupit të futbollistëve për të arritur aty ku duhet. Besoj se jemi në kohën e duhur për të filluar fazën përgatitore, që nuk ka rëndësi ku zhvillohet. Këto ditë ekipit pritet ti bashkohen rreth 6 futbollistë cilësorë, dy nga të cilët vijnë nga superliga dhe 4 janë brazilianë, – u shpreh për Sportin shqiptar trajneri i Turbinës, Engjëll Belshi.
Presidenti Gentian Gjoka ndërkohë ka filluar merkaton, duke tentuar pikërisht futbollistë brazilianë. I kontaktuar me telefon, ai ka sqaruar se një menaxher i Turbinës është duke përfunduar me sukses marrëveshjen për të sjellë pranë ekipit 4 brazilianë, që së shpejti do të jenë në Cërrik.
Ndërsa sekretari i klubit, Thoma Plaka, ka thënë se po bisedohet me dy lojtarë të superligës, por nuk përjashtohet edhe rikthimi i dy titullarëve të tjerë te Turbina, siç janë Çekrezi dhe Metaj. Në këtë mënyrë, stafi drejtues është duke punuar me intensitet maksimal.
Çallari: Delvina, pse jo pretendente?
Nga Jon Shalari
Për gazetën “Sporti shqiptar”shprehet portieri i skuadrës delvinjote, Mondi Çallari, ndryshe i mirënjohuri “Moqe” . Ai thotë se kampionati i ri do të jetë ndryshe për Delvinën, të cilën e rendit ndër kandidatët për kategorinë e parë:
“Me ekipet qe kanë mbetur tani në kategorinë e dytë, edhe ne kemi pretendime për të hyrë këtë sezon në kategorinë e parë. Me ardhjen e Mehmetit, por edhe të dy lojtarëve nga të rinjtë e Tiranës, Andi dhe Igli Gjeçi, synimet tona janë të qarta për një kampionat të suksesshëm. Nuk ka pse të mos jemi në vendet e para të grupit tonë.”
Ndërkohë, faza përgatitore që po zhvillohet në Delvinë, po ecën me ritme të larta, nën drejtimin e Arjan Gugës, i cili shprehet se Delvina i ka mundësitë të ngjitet në kategorinë e parë.