Legalizimi i mendimit ndryshe, forumet e PS-së, në provë
Kur i duhet të marrë vendime për qëndrimin e mëtejshëm politik, si për protestat dhe për bojkotin parlamentar, Partia Socialiste pritet t’i rikthehet dhe njëherë debatit për reformimin e vetvetes. Ndryshimet në statutin e partisë që pritet të bëhen reale në mbledhjen e forumeve më të larta, Asamble dhe Kongres, brenda muajve mars-prill, do të duhet të marrin një vendim për legalizimin e mendimit ndryshe të propozuar pikërisht nga Lëvizja për Mendim Ndryshe në këtë parti. Propozimi i këtij grupi që përbëhet nga disa deputetë të vjetër e me karrierë të rëndësishme në PS, si dhe nga figura të tjera të partisë, anëtarë kryesie e ekspertë, i është dorëzuar tashmë grupit të punës që po merret me këto ndryshime.
Por vetëm votimi në dy forumet vendimmarrëse do të tregojë se sa i hapur do të jetë kryesocialisti Edi Rama, i cili kontrollon shumicën e partisë, për të pranuar një reformë të tillë, por shpresat janë të vakëta. Paketa e ndryshimeve statutore ka kaluar tashmë në duart e mbështetësve të Ramës që përbëjnë dhe grupin e punës të ngritur për këtë çështje. Asambleja që pritet të mblidhet këtë javë ose javën tjetër, do të vendosë gjithashtu për sjelljen politike të PS-së, nëse do të vazhdohet me bojkot parlamentar apo jo dhe për organizimin e protestave. Kongresi më pas është parashikuar në muajin prill, kryesisht për ndryshimet statutore.
...