E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehman urinon në mes të ndeshjes së Champions

Ndjehej më i lehtësuar, komentuan kronistët sportivë. Protagonist i një episodi jashtë-programi në sfidën e Champions League mes Shtutgartit dhe Unirea Urzicenit (e përfunduar 3-1 për gjermanët), ishte portieri Jens Lehman. Gjatë pjesës së dytë të kësaj ndeshje, gardiani 40 vjeçar, që ka mbrojtur edhe portën e kombëtares gjermane për shumë vite, ka kaluar tabelat publicitare në cep të fushës, ka ulur pantallonat dhe ka urinuar. Presioni ishte shumë i lartë në minutat e fundit të ndeshjes, aq sa Lehman, tashmë portier i Shtutgartit, nuk ka mundur ta mbajë dot veten dhe ka vendosur të largohet për pak sekonda nga fusha për t’u çliruar. Pikërisht në ato momente, rumunët ishin duke zhvilluar një sulm drejt skuadrës kundërshtare, por Lehman është treguar i shpejtë dhe ka mundur të rikthehet në kohë në portën e tij, duke shmangur ndoshta një gol të sigurt. “Isha nervoz si kurrë ndonjëherë”, ishte komenti i vetëm i bërë nga portieri gjerman pas ndeshjes. “Kjo skenë më kujtoi Turin e Francës, - tha menaxheri i Shtutgartit Horst Heldt. – Ndonjëherë nuk ke asnjë mundësi për të dalë. Lehman arriti ta bënte shumë shpejt dhe me shumë “delikatesë”, pasi nuk do të kishte kohë të shkonte deri në dhomat e zhveshjes...”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›