E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtë për Vettelin

Ngasësi i Red Bullit, Sebastian Vettel dominoi garën për Çmimin e Madh të Evropës në Valencia, para Fernando Alonsos nga Ferrari dhe kolegut të tij nga Red Bulli, Mark Webber. Kampioni aktual i botës në Formula 1 arriti fitoren e tij të gjashtë nga tetë gara këtë sezon dhe krijoi 77 pikë epërsi në renditjen e përgjithshme. Nga Express më 26 qershor 2011 në ora 17:53

Ngasësi i Red Bullit, Sebastian Vettel fitoi garën e tij të gjashtë të sezonit në Çmimin e Madh të Evropës, të dielën duke thelluar epërsinë në renditjen e përgjithshme në Formula 1.

Vettel përfundoi i pari, 10.891 sekonda para Fernando Alonsos në Ferrari dhe triumfoi për herë të dytë të njëpasnjëshme në pistën e Valencias. Kolegu i tij nga Red Bulli, Mark Webber ishte i treti, ndërsa Lewis Hamilton në McLaren, i katërti.

Felipe Massa në Ferrari ndau ngasësit e McLarenit, pasi Jenson Button përfundoi i gjashti. Vettel, kampioni aktual i botës në Formula 1, thelloi epërsinë e tij në 77 pikë me fitoren e tij të 16-të në karrierë. Ai tani ka 186 pikë, ndërsa Button dhe Webber janë të barabartë në pozitën e dytë me nga 109 pikë.

“Garë e shkëlqyeshme, më mirë se çka do që kisha imagjinuar”, tha Vettel nëpërmjet radios. “Kjo pistë nuk është e mirë për ne, meqë nuk ka kthesa të shpejta, por ne së bashku arritëm të bëjmë gjithçka me sukses”, shtoi gjermani në konferencë për shtyp, pas garës.

Vettel vazhdoi dominimin e tij në mbrojtje të titullit me fitoren e tij të gjashtë nga tetë gara, në dy të tjerat kishte përfunduar i dyti. Hamilton humbi pozitën e tij të tretë në start, me nisje të gabuar, ndërsa Button e humbi të gjashtën në kthesën e parë nga Nico Rosbergu, por më pas arriti ta rikthejë atë.

Pas raundit të parë të ndaljeve në bokse, Hamilton arriti të tejkalojë Massën, por prapë ishte prapa Alonsos që ishte shumë pranë Webberit, para se të dalë para tij në fund të xhiros 21.

Webber riktheu pozitën pas raundit të dytë të ndaljeve në bokse, ndërsa një gabim i mekanikëve i pamundësoi Massës ta zërë Hamiltonin. Alonso ktheu pozitën e dytë pas raundit të fundit të ndaljeve në bokse, por shpresat e tij për ta zënë Vettelin u vështirësuan, kur ai u ngadalësua në trafik, pas daljes nga bokset.

Rosberg përfundoi i shtati në Mercedes, para Jamie Alguersuarit nga Toro Rosso. Adrian Sutil nga Force India ishte i nënti, ndërsa ngasësi i Renaultit, Nick Heidfeld përfundoi i dhjeti. Sezoni vazhdon më 10 korrik, me garën për Çmimin e Madh të Britanisë.

Rezultatet e garës:

1 Sebastian Vettel1:39:36.169
2 Fernando Alonso+10.891 sek.
3 Mark Webber+27.255
4 Lewis Hamilton+46.190
5 Felipe Massa+51.705
6 Jenson Button+01:00.065
7 Nico Rosberg+01:38.090
8 Jaime Alguersuari + 1 xhiro

Renditja e përgjithshme:

1 Sebastian Vettell186
2 Jenson Button109
3 Mark Webber109
4 Lewis Hamilton97
5 Fernando Alonso87
6 Felipe Massa42
7 Nico Rosberg32
8 Vitaly Petrov31

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›