E Diel, 1 Nëntor 2026

Lehtësirat ndaj biznesit, Ministria e Financave pranon një pjesë të kërkesave



Ministria e Financave premtoi një sërë përmirësimesh në kuadrin ligjor për të nxitur zhvillimin e biznesit në vend, rritur punësimin, si dhe për të ulur barrën fiskale. Sipas ekspertëve të financave publike, shumë shpejt do të kalojë një paketë tjetër ndryshimesh për miratim në Këshillin e Ministrave, në funksion të krijimit të lehtësirave për tatimpaguesit shqiptarë. Pritet të ketë ndryshim rrënjësor në taksimin e dividentit, për të eliminuar të ashtuquajturën dytatueshmëri në të ardhurat e korporatave dhe në të ardhurat e individëve që investojnë në korporata, por jo vetëm të një dividendi, por edhe të ardhurave të tjera që rrjedhin nga investimet si: interesat, fitimet kapitale gjatë tjetërsimit të pasurive të paluajtshme, por edhe të letrave me vlerë. Ndryshime të kuadrit ligjor priten edhe për sa i takon taksimit të patundshmërisë, tokës dhe ndërtesave. Por ndryshe nga sa pritej, qeveria dy ditë më parë rriti akcizën e duhanit dhe pijeve alkoolike. Akciza për duhanin e përkthyer në lekë për paketë do të rritet me 10 lekë, ku sipas ekspertëve “rritja u bë për të minimizuar përdorimin, duke kontribuar në ruajtjen e shëndetit”. Niveli i akcizës për pijet me forcë alkoolike ndaj vëllimit mbi 12 % parashikohet të arrijë në 220 lekë/litri nga 150 lekë që është aktualisht. Ndërsa për kafenë rritja konsiderohet si e vogël. Një tjetër ndryshim ishte edhe vendosja e taksës një euro për të gjitha tabelat e bizneseve me kushtin që ato të jenë të gjitha në gjuhën shqipe. Grupi i dytë i tabelave, janë tabelat komerciale, të ashtuquajtura billborde. Taksa për të tilla tabela reklamash do të vazhdojë të mbetet lokale, por niveli i saj u rriten me rreth 45 mijë lekë në vit për metër katrorë tabelë komerciale, pavarësisht nëse ajo është elektronike apo jo.

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›