E Diel, 1 Nëntor 2026

Një muaj para zgjedhjeve, Xhuveli udhëzoi dhënien me qira të pyjeve dhe kullotave

Udhëzimi parashikon dhënien me qira me afat maksimal deri në 10 vjet. Qindra hektarë pyje e kullota do të jepen me kontrata të lidhura me Ministrinë

Një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i ka dhënë jetë një plani për dhënien me qira dhe në përdorim të qindra hektarëve pyje dhe kullotë në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për Udhëzimin Nr. 2, datë 14.5.2009, i cili paracakton kushtet për lidhjen e kontratave të qirave “të buta” për aktivitete në këto hapësira publike. Sipas këtij vendimi, sipërfaqja që do të jepet në përdorim të mos jetë më e vogël se madhësia limit e një nënngastre (0,5 ha). “Projektet e veprimtaritë që do të ushtrohen të sjellin përmirësime të dukshme në mbarështimin e florës dhe faunës që jeton në këto sipërfaqe; projektet e veprimtaritë të realizojnë investime që përmirësojnë tregues biologjikë dhe të infrastrukturës së zonës; projektet e veprimtaritë të respektojnë kërkesat dhe elementet e nevojshme për strehim, ushqim, foljezim, qetësi etj., të llojeve të faunës së egër që jetojnë në zonë; projektet e veprimtaritë të mos cenojnë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike të zonës; projektet e veprimtaritë të jenë në përputhje me investimet publike që janë planifikuar të bëhen në zonë në 10 vitet e ardhshme”, - shkruhet në udhëzim.
Klasifikimi
Në lidhje me kriteret e përzgjedhjes së subjekteve që do të përfitojnë (deri në muajin dhjetor përmbyllet gjithë procesi) këto ngastra të mëdha me qira do të dirigjohen vetëm nga 2-3 zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Pyjeve. “Pas shqyrtimit të propozimeve të DSHP-ve, drejtoria përkatëse teknike në Ministri, brenda muajit dhjetor, i përcjell ato te ministri për miratim dhe pas miratimit njoftohet drejtoria përkatëse të shërbimit pyjor që të bëjë shpalljen e tyre me qëllim që subjektet të shfaqin interes dhe të paraqesin ofertat e tyre në DSHP-në përkatëse. Njoftimi shpallet 2 herё nё Buletinin e Njoftimeve Publike dhe pёrmban tё dhёnat pёr sipërfaqen, pikёt vlerёsuese pёr elementet e konkurrimit, dokumentacionin qё duhet tё paraqesin konkurrentёt, si dhe vendin, datёn e orёn e paraqitjes sё dokumentacionit. Data e konkurrimit tё jetё jo mё parё se 7 ditё kalendarike nga data e botimit tё fundit”, - shkruhet në udhëzim.
Pagesa e qirasë është vjetore, duke u llogaritur nga data e lidhjes së kontratës dhe shlyhet në momentin e lidhjes së kontratës dhe në të njëjtën datë në vitet pasardhëse.
Pagesa
Sipas këtij udhëzimi, të ardhurat e siguruara nga dhënia me qira e sipërfaqeve pyjore e kullosore administrohen sipas shkronjës “b” të pikës 1 të Vendimit Nr. 432, datë 28.06.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave që krijojnë institucionet buxhetore”. “Kur kërkesa bëhet për mbarështimin e faunës së egër dhe gjueti turistike, sipërfaqja e kërkuar nuk duhet të jetë më e vogël se 40 ha, nuk duhet të ndodhet në zonat e mbrojtura dhe projekti teknik duhet të trajtojë: sigurimin e rritjes dhe mbarështimin e një ose më shumë llojeve të faunës së egër; garantimin e strehimit natyror, ushqimin në natyrë dhe ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë sipas ligjeve në fuqi; kushtet e jetesës në rast të mbajtjes së faunës në gjendje të mbyllur; garantimin e bimësisë natyrore të mjaftueshme në sasi për ushqimin e llojeve të faunës kryesore gjatë gjithë vitit, duke pranuar një ushqim plotësues gjatë një periudhe të caktuar të vitit”, - përcakton udhëzimi.

Kriteret e konkurrimit nё dhёnien me qira tё sipërfaqeve fond pyjor dhe kullosor janё:

a) Projekti teknik i veprimtarisë që do të ushtrohet
b) Plan biznesi dhe investimet që do të bëhen
c) Planin e rehabilitimit të sipërfaqes
d) Nivelin e punësimit në veprimtari
e) Masën e qirasë për ha/vit

Vlerësimi i ofertës mbështetet në grumbullimin e pikëve si më poshtë:

a) Projekti teknik i veprimtarisë që do të ushtrohet 30 pikë;
b) Plan biznesin dhe investimet që do të bëhen 15 pikë;
c) Planin e rehabilitimit të sipërfaqes 15 pikë;
d) Nivelin e punësimit në veprimtari 10 pikë;
e) Masën e qirasë për ha/vit 30 pikë.

Tokat me qira, qeveria jep koncesione në favor të bizneseve pranë tij

Një rast tipik i dhënies së “pakontrolluar” të hektarëve të tërë me koncesion apo me qira afatgjatë është ai i projektit të ullinjve, që në fakt doli se qeveria ka dhënë shpeshherë “për bukën e gojës” qindra hektarë duke favorizuar hapur biznese të caktuara. Ministri ynë i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka finalizuar pak kohë më parë marrëveshjen e projektit të 20 milionë rrënjëve ulliri me homologun e tij italian, Luka Zaja. Mediat italiane raportuan në këtë takim, ndërsa e komentuan si “zbatimin në terren të direktivave të dhëna nga takimi i hershëm Berisha-Berluskoni”. Mediat italiane kanë raportuar dje se dy ministrat kanë folur për disa çështje që kanë lidhje me bujqësinë, ndërsa në epiqendër të takimit duket se kanë qenë planet për importimin e 20 milionë fidanëve të ullirit që qeveria jonë e paraqiti si një projekt të vetin pak kohë më parë. Ky takim duket se ka qenë “shtrati i parë” i zbatimit të marrëveshjes së importimit të këtyre fidanëve, ndërsa në Shqipëri ka filluar dhe importimi i sasive të para të këtyre fidanëve nga Italia, që sipas disa specialistëve, janë cilësuar si fidanë të prodhuar nga një teknologji bujqësore e viteve 80’, e quajtur “rritje me pjalmim”. Të kësaj teknologjie janë konstatuar rreth 10 mijë fidanë që kanë ardhur në Fier aktualisht për këtë projekt, ndërsa lloji i tyre shihet si një teknologji dhe “lloj ulliri” i dalë kohe dhe jo shumë eficient. Kryeministri Sali Berisha duket se ka abuzuar politikisht dhe publikisht kur ka shpallur iniciativën kinse të tij për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ulliri. Prej tre muajsh Berisha “ka harruar” t’u thotë shqiptarëve se me shumë gjasa Shqipëria do të financohet për këtë projekt nga Bashkimi Europian. Burime të mirinformuara pranë Ministrisë së Bujqësisë i thanë “Albania”-s se vetëm në fund të muajit dhjetor 2008 ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka strukturuar grupin e punës që do të hartojë projektin për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj, ndërsa ky grup pune ka zhvilluar mbledhjet e para të tij vetëm në janar. Ky fakt tregon se ndryshe nga sa është praktika klasike, ka qenë “deklarata e kryeministrit” (e dhënë që në muajin tetor) ajo që ka orientuar Ministrinë dhe jo ministria kompetente, e cila si rregull duhet të orientojë politikat bujqësore! Por kjo është vetëm njëra anë e këtij plani të amplifikuar periodikisht me bujë këta tre muaj, ndërsa burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se praktikisht brenda këtij institucioni informacioni ka qenë se, “studimi i grupit të posaçëm të punës lidhet me një financim të ofruar nga BE-ja për të mbjellë 20 milionë rrënjë ulliri në Shqipëri”.

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›