Karamanlisi i uron Berishës fitoren e mandatit të dytë
Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, i ka telefonuar kryeministrit Berisha për t’i dhënë urimin e tij më të përzemërt për fitoren e tij dhe të koalicionit që ai kryeson në zgjedhjet parlamentare. Kryeministri i Greqisë, Karamanlis, e siguroi kryeministrin Berisha se ai pret me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy partive, dy qeverive dhe dy vendeve. Kryeministri grek Karamanlis theksoi gjatë telefonatës se kjo është një fitore plotësisht e merituar, që e kanë mirëpritur dhe festuar të gjithë miqtë e Partisë Demokratike. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen mikut të tij, z. Kostas Karamanlis, për të gjithë mbështetjen e gjithanshme për Partinë Demokratike, qeverinë shqiptare dhe vendin tonë. Kryeministri Berisha u shpreh se ai dhe qeveria që kryeson do të vazhdojnë me kënaqësi bashkëpunimin e ngushtë për intensifikimin e marrëdhënieve të shkëlqyera, të gjithanshme, miqësore mes dy partive, dy qeverive dhe mes dy vendeve.
11 Korrik 2009