Statistikat e turizmit, në 6 muaj në Shqipëri regjistrohen vetëm turistë njëditorë
Ervin KOÇI
Sezoni turistik në vend nuk mund ta fsheh krizën që e ka mbërthyer ashtu si sektorët e tjerë të ekonomisë. Vetëm një ditë pasi gazeta “Albania” publikoi një raport të INSTAT-it mbi numrin dhe kategoritë e turistëve që kanë vizituar vendin tonë gjatë një viti, vijnë edhe statistikat zyrtare nga Ministria e Turizmit. Edhe pse u premtua që viti 2009 do të regjistronte dyfishin e sasisë së turistëve që kishin ardhur një vit më parë, deri tani sipas statistikave zyrtare numri është shumë herë më i ulët, në një kohë që turistët më të shpeshtë janë vetëm ata transit ose me qëndrim njëditorë. Numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2009 (6-mujori) është rreth 951.495 persona. Këtu përfshihen vizitorët e huaj më rreth 522.197 nga të cilët 13.384 janë vizitorë ditorë (vijnë dhe ikin brenda një dite, ose eskursionistë), ndërsa 508.813 janë vizitorë me netqëndrimi ose turistë, edhe pse rijnë jo më shumë se një natë. Vizitorë me nënshtetësi shqiptare të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme janë rreth 429.298 persona. Periudha janar- qershor 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje me vetëm 10 për qind në krahasim me vitin e kaluar (2008), ndërkohë që kjo rritje në krahasim me vitin 2005 është 2.4 herë më shumë. Me rrugë tokësore kanë hyrë 71 për qind e vizitorëve, 19 për qind me rrugë ajrore dhe 10 për qind me rrugë detare. Sipas qëllimit të udhëtimit për periudhën janar-prill raporti në përqindje (%) është 82 për qind për pushime, 5 për qind për biznes, 3 për qind vizitorë ditorë dhe 10 për qind të tjerë. Për këtë periudhë numrin më të madh të turistëve e zënë europianët me 92 për qind, më pas amerikanë, aziatikët dhe të tjerë me respektivisht 5, 2 dhe 1 për qind.
Manipulimi i shifrave
Shumë zyrtarë të qeverisë u mburrën gjatë gjithë vitit të kaluar me "bumin e sektorit të turizmit". Sipas Ministrisë së Turizmit, "në periudhën janar-gusht 2008, Shqipëria u vizitua nga 2.5 milionë turistë të huaj". Por kjo shifër del krejtësisht e gënjeshtërt. Të dhënat e INSTAT-it u referohen statistikave të kalimit të kufirit që grumbullohen nga Ministria e Brendshme. Vizitat e të huajve në Shqipëri kanë njohur që prej një dekade ritme rritjeje mbresëlënëse prej rreth 20 përqindësh në vit, por problemi është se shumica dërrmuese e tyre futet në kategorinë e vizitorëve ditorë, të cilët nuk kalojnë as edhe një natë në vendin tonë. Mesatarja e qëndrimit të tyre në hotele është vetëm 2.3 net për vizitor, ku kosovarët udhëheqin me qëndrime më të gjata. Shqipëria ka zyrtarisht rreth 220 hotele me kapacitet të përbashkët prej 10 mijë shtretërish. Këtu futen hotelet që kanë më shumë se pesë dhoma. Kapaciteti hotelier i vendit nuk është në gjendje të përballojë as fluksin e turistëve vendës.
Turistët biznesmenë
Ndonëse klasifikohen si turistë të huaj, një pjesë e konsiderueshme e vizitorëve që kalojnë kufirin shqiptar janë njerëz që vijnë për punë në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, shërbimet për të huajt prodhojnë një biznes prej gjysmë miliardi eurosh në vit për Shqipërinë, para që humbasin zakonisht nga udhëtimet që shqiptarët kryejnë jashtë vendit. Të dhënat zyrtare tregojnë se vizitorët e huaj kanë shpenzuar shumë pak para deri tani për pushimet verore. Ndërkaq, sipas informacioneve që vijnë nga pronarët e hoteleve, bareve, restoranteve dhe plazheve private, mesatarja e qëndrimit të turistëve, ku përfshihen dhe shtetasit kosovarë e maqedonas, është pak më shumë se dy net fjetje. Pikërisht, sipas tyre, një praktikë e tillë sjell të ardhura të pakta. Po ashtu, agjencitë turistike deklarojnë për prenotime minimale deri tani.
Të ardhurat nga turizmi në milion euro
Viti Milionë euro
2007 1,002
2008 1,170
3-mujori I 2009 212
11 Korrik 2009