E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vazhdon turin “Shqipëria po ndryshon”, përuron rrugën Shkozet-Plepa



Edhe pas përfundimit të fushatës elektorale, kryeministri Berisha ka vijuar dje me turin “Shqipëria po ndryshon”, duke u ndalur dje në qytetin e Durrësit. Fillimisht Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fazës së parë të fillimit të punimeve për ndërtimin e bypass-it të Durrësit, investim i Fondit Kuvajtian dhe qeverisë shqiptare, me vlerë rreth 13 milionë euro. Ky segment fillon nga mbikalimi i autostradës Tiranë-Durrës në Shkozet dhe përfundon në mbikalimin e plepave. Në këtë segment përfshihet edhe ndërtimi i katër rrethrrotullimeve, si dhe nënkalimi hekurudhor i Shkozetit.
Kryeministri Berisha vlerësoi se ndërtimi i kësaj rruge modernizon transportin e kësaj zone, si dhe lehtëson trafikun e rënduar në bulevardin e zonës së plazhit. “Sot ne inaugurojmë mbikalimin, nyjën e Shkozetit, një investim prej 1.5 miliardë lekësh apo rreth 13 milionë euro, ndihmë bujare e qeverisë Kuvajtiane, të cilës ne i shprehim mirënjohjen më të thellë. Ky mbikalim modernizon transportin e kësaj zone, si dhe përjashton nga trafiku i rëndë bulevardin e zonës së plazhit. Me ndërtimin e saj, Durrësi merr një vepër të re të madhe infrastrukturore. Së shpejti ne do të inaugurojmë unazën e Durrësit, sepse ne nuk mund të konceptojmë për shkak të dallimeve partiake në pushtet, të rrimë duarkryq para nevojave të qytetarëve”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria po ndryshon dhe se ky do të mbetet lajtmotivi ynë deri sa ky vend të gëzojë standardet, të gëzojë infrastrukturën, të gëzojë arsimin dhe shëndetësinë e niveleve europiane. “Shqipëria po ndryshon! Ky është dhe do të mbetet lajtmotivi ynë derisa ky vend të gëzojë standardet, të gëzojë infrastrukturën, të gëzojë arsimin dhe shëndetësinë e niveleve europiane. Ky është motivi ynë i fuqishëm që këto katër vite ti shndërrojmë në vitet e transformimit më të madh dhe me të shpejtë të këtij vendi dhe që në këto katër vite ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën më të re dhe më moderne në Ballkan dhe më gjerë”, - u shpreh kryeministri Berisha.

Përurohet vendosja e sistemit të kamerave në Portin e Durrësit

Gjatë vizitës në Durrës, kryeministri Berisha mori pjesë edhe në inaugurimin e përfundimit të sistemit të kamerave në Portin e Durrësit. Sistemi i ri i kontrollit, një investim prej 170 milionë lekësh, vendos në vëzhgim të plotë dixhital të gjithë territorin e portit. Kryeministri Berisha e konsideroi sistemin e ri të kontrollit, një investim shumë të rëndësishëm që rrit sigurinë në Portin e Durrësit dhe për kontrollin e kufijve.
“Ky është një investim i shkëlqyer prej 170 milionë lekësh, që realizon një vëzhgim dixhital të plotë e total në çdo m2 të territorit të portit, rrit shumë sigurinë e portit dhe e bën atë ndër portet më mirë të vëzhguara për të gjithë faktorët e rrezikshëm, e bën ndër portet më mirë të kontrolluara. Ky është gjithashtu një hap shumë i rëndësishëm për kontrollin e shkëlqyer të kufijve, është një kontribut thelbësor për ecjen drejt liberalizimit të vizave, që është një qëllim madhor i vitit të parë të mandatit tonë të dytë”, - u shpreh kryeministri.

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›