Lehtesohen procedurat e regjistrimit te makines

Për të regjistruar një makinë, qytetarët nuk duhet të kenë patjetër një tuf dokumentash nga institucione të ndryshme, por u mjafton vetëm çertifikata e pronësisë dhe karta e identitetit. Udhëzimi i ri i Ministrisë së Transporteve, që ka hyrë në fuqi më 13 shkurt, thjeshton procedurat e regjistrimit të automjeteve duke ulur numrin e dokumenteve. Çdo gjë tashmë do të bëhet në mënyrë elektronike dhe punonjësi i Drejtorisë së Shërbimit të Transportiti Rrugor, sheh online të gjitha dokumentata e tjera të nevojshme për një person të interesuar, siç është vërtetimi i banesës, nipti i regjistrimit si biznes etj.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari, shpjegon për “ABC News” lehtësirat e kësaj praktikë të re. Sipas tij, regjistrimi manual i automjeteve kishte kosto të lartë, ku për shkak të gabimeve njerëzore rezultojnë 70 mijë raste problematike.
Sipas Pinarit, një tjetër risi e këtij udhëzimi është se para aplikimit për regjistrim, mjetit i bëhet kontrolli nga Interpoli, që nxjerr të gjitha të dhënat, duke u ofruar qytetarëve siguri se mjeti i tyre nuk është i vjedhur.
Udhëzimi i hap rrugën regjistrimit elektronik të mjeteve. Pra, në momentin që një automjet importohet, mjafton që në database të futet numri i shasisë dhe për këtë mjet dalin të gjitha të dhënat, marka, ngjyra, shit-blerjet, si dhe kalimi nëpër pika kufitare. Po ashtu, sipas draftit të gjitha mjetet që shiten pas datës 13 shkurt, dhe që janë me targat të vjetra, e kanë të detyrueshme pajisjen me targat e reja.