Lejet, Biçoku zbulon çfarë ka pas tualetit të Bashkisë së Tiranës
Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga ana e Bashkisë së Tiranës, u mblodh dje nga ku përfaqësues të institucioneve raportuan se kjo bashki ka shkelur në mënyrë të hapur ligjin. Përpara deputetëve demokratë të këtij komisioni, raportuan anëtari i KRRT-së së Tiranës, Marin Biçoku dhe drejtorja e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cenkaj. Duke qëndruar tek tema më e nxehtë, ajo e mënyrës së dhënies së lejeve të ndërtimit, Marin Biçoku tha përpara deputetëve se kemi të bëjmë me një kancer. Sipas tij, Bashkia e Tiranës ka ndjekur një politikë fasadash, ndërkohë që ka dhënë leje ndërtimi pa një plan urbanistik. Biçoku e cilësoi situatën serioze, madje kërkoi nga politika për të parë më me shumë seriozitet këtë çështje. Ai tha më tej se objekti i hetimit dhe diskutimit duhet të zgjerohet, pasi dëmet janë bërë në afat të gjatë, që sipas tij, Bashkia e Tiranës ka kërkuar të mbyllë këtë histori, duke u hedhur hi syve të qytetarëve. “Objekti i hetimit është i drejtë, por debati duhet të jetë më i madh se kaq. Tirana në këto vite është udhëhequr me tualet, me bojë e penelata. Problemet e mëdha janë brenda trupit të saj”, - tha Biçoku.
Por përpara deputetëve, Biçoku foli me detaje në lidhje me mënyrën se si funksionon dhënia e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. “KRRT-ja po i shqyrton dosjet pa ligjet vendore dhe kjo e vështirëson punën. KRRT-së i mungojnë rregullat e lojës, pasi bashkia nuk ka dashur asnjëherë t'i hartojë këto rregulla loje”, - deklaroi Biçoku. Për ta paraqitur më konkretisht këtë, Biçoku tha se nga 330 ditë që zgjasin procedurat për marrjen e një leje ndërtimi në Tiranë, KRRT-ja ka zënë vetëm 5 deri në 10 minuta ndërkohë që pjesën tjetër, sipas tij, e merr Edi Rama me vartësit e tij në bashki. Referuar ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, Biçoku tha se kjo nuk është respektuar, pasi anëtarët që kanë pasur konflikte interesi, nuk kanë braktisur mbledhjet, siç e kërkon ligji përkatës.
Marin Biçoku tha më tej se për planin urbanistik të Tiranës janë gjetur 10.7 milionë euro, por deri në ditën e sotme, bashkia ende nuk e ka dorëzuar për t’u miratuar, ndonëse të nevojshme për hartimin e planit janë të domosdoshme gati 10 herë më pak para. Ai përmendi edhe mungesën e politikave urbane, që sipas tij, nuk janë plotësuar aspak nga qeverisja e PS-së në Bashkinë e Tiranës.
Nga ana tjetër, drejtorja e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cenkaj tha se Bashkia e Tiranës ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme ligjin e prokurimeve publike. Në shpjegimin e saj përpara deputetëve, drejtorja e APP-së tha se Bashkia e Tiranës nuk respekton ligjin. “Po t'u referohemi dokumenteve të bashkisë në këtë rast ajo ka gjetur një formë pikëzimi, sepse e ka pasur të pamundur ta aplikojë këtë procedurë të hapur. Për këtë bashkia ka bërë një adoptim të dokumenteve të tenderit, duke shkelur ligjin e prokurimeve. Askush nuk mund të bëjë ndërhyrje në dokumentet standarde të tenderit dhe mënyra e pikëzimit e aplikuar nga bashkia është në kundërshtim me ligjin”, - tha Cenkaj. Ajo tha më tej se vetë agjencia ka nisur një hetim ndaj Bashkisë së Tiranës, për shkak të dyshimeve, pasi drejtorja tha se është vërejtur se fondet e përcaktuara për ndërtime publike kanë qenë gjithnjë pranë atij limit, duke dyshuar për mungesë konkurrence dhe paracaktim të fituesit në tendera. “Në dokumente nuk gjejmë sa kopshte, sa çerdhe, sa shkolla do të ndërtohen. Ku janë këto? Cilat janë kriteret specifike për çdonjërën prej tyre? Duke mos ditur ku ndodhet objekti, nuk mund të përgatitet një projekt. Në këtë rast, nuk jemi hasur me një gjë të tillë; do të thotë që firma pjesëmarrëse e ka pasur këtë informacion pavarësisht se nuk është dhënë në dokumente standarde”, - u shpreh Cenkaj.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë, Edi Rama, ka refuzuar të japë informacionin zyrtar që ka kërkuar komisioni. Në një letër dërguar Kuvendit, Rama justifikon këtë veprim me ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.