E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndetësia: Shqipëria nuk do të mbetet e paprekur nga gripi i derrave

Shqipëria nuk do të mbetet e paprekur nga virusi i gripit të derrave. Të paktën ky është parashikimi që bëjnë specialistët e shëndetësisë lidhur me këtë virus që po merr jetë njerëzish kohët e fundit nëpër botë. Edhe pse deri tani nuk ka asnjë rast të dyshuar në vendin tonë, ata mendojnë se gripi mund të lëvizë tashmë brenda vendit në mënyrë të fshehte pasi simptomat e tij duan deri në gjashtë ditë të shfaqen. Ndërkohë, drejtori i ISHP, Alban Ylli ka siguruar se sistemi ynë shëndetësor ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar virusin. Sipas Yllit, infrastruktura është ngritur vite më parë kur bota u përball me gripin e shpendëve H5N1 që afërson me H1N1.
Vdes pacientja në Kosovë
Ndërkaq, pacientja kosovare e dyshuar se ishte e infektuar me grip të derrave, ka vdekur dje në mëngjes në Qendrën Klinike Universitare (QKU) të Prishtinës. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, konfirmoi se pacientja e dyshuar është pranuar mbrëmjen e martë në Emergjencën e QKUK-së me probleme me zemër dhe mushkëri, të cilat janë simptomat karakteristike të këtij gripi vdekjeprurës. Pacientja, një 27-vjeçare nga Stublla e Vitisë, thuhet se para një jave kishte ardhur nga Zvicra në vendlindjen e saj në Kosovë. Emergjenca e QKU-së, ku ishte shtruar fillimisht pacientja me simptome të gripit, është e mbyllur për pacientë të rinj dhe po dezinfektohet. Ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe forcat e sigurisë, të cilët mbajnë maska mbrojtëse. Rasti në Kosovë shton rrezikun e përhapjes se virusit H1N1 edhe në vendin tonë për shkak të hyrje-daljeve të shumta mes dy vendeve. Pas Italise ku janë shfaqur tre raste, Kosova është vendi më i afërt ku evidentohet ky virus vdekjeprurës. Edhe pse ka zëra se virusi është sezonal dhe po reduktohet tani për të rinisur sërish në vjeshtë, Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të ruajë nivelin e lartë të rrezikut që i kanoset botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se numri i përgjithshëm i të sëmurëve në Botë nga virusi H1N1 apo siç quhet ndryshe gripi i derrave, ka shkuar në 1490. OBSH tha sot se 30 persona kanë vdekur nga kjo sëmundje, dhe se të gjitha rastet, përveç njërit, janë regjistruar në Meksikë. Përfaqësuesi i OBSH-së, Keiji Fukuda tha se shumica e rasteve të reja të të infektuarve janë nga Meksika.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›