E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, mes “Rrugës së Tretë” dhe “Neomesjetarizmit”

Arben Tafaj*

Tirana si Dubai apo si Parisi?!: Ky ka qenë thelbi i debateve të fundit mediatike mbi qendrën e Tiranës, e cila duket se do të ketë gradaçela si ato të Dubait, por rrugë të ngushta si ato të pjesës së vjetër të “Ville de Paris”. Kjo të bën të mendosh se linja politike e rrugës së tretë “përtej së majtës dhe të djathtës” që kryebashkiaku Rama e ka huazuar nga “Third Way” (Rruga e Tretë) i së majtës së re britanike, na paska edhe një linjë analoge të rrugës së mesme “Urbane”, të cilën askush nuk po na e thotë dot se nga e ka huazuar! Maketi i ri i rregullimit të qendrës së Tiranës ngjan më tepër me një “Tempull të Shenjtë” babilonas apo me një kështjellë mesjetare, ndërsa “enigmat” për fuksionalitetin e këtij plani po i kalojnë kufijtë e misticizmit para-Abrahamit! Por ajo që është më e rëndësishme: komuniteti i banorëve të qendrës dhe zonave të banuara rreth saj nuk e di se çfarë do të bëhet me pronat apo vendbanimet e tyre?
Në një intervistë dhënë për televizionin “Klan” disa vite më parë, përfaqësuesja e studios franceze “Architecture Studio”, tha se plani për rregullimin e Tiranës nuk parashikonte rrugë si ato të Dubait dhe kjo, pasi Tirana nuk është një qytet i Lindjes së Mesme, por një qytet evropian (si Parisi apo Roma... ). Ky detaj duket se u ka shpëtuar për vite rresht si analistëve të medias, ashtu edhe mbështetësve apo oponentëve të këtij plani! Por sot, tek shohim maketin e servirur të qendrës së Tiranës, kuptohet menjëherë se ky shartim i grataçelave me rrugët e ngushta është një “Third Way” i “novatorit” Rama, që sfidon çdo realitet urbanistik në botë. Kjo e tejkalon edhe fantazinë e doktor Adhamudhit kur thoshte : “Të shkruajmë me shkronja latine, por nga e djathta në të majtë”, pasi këtij realiteti do t’i shkonte e kundërta: “Të shkruajmë me shkronja arabe, por nga e majta në të djathtë”, gjë që është një nonsens akoma edhe më i madh. Por duket se nuk është kështu për “tendencën Rama” dhe pasuesit e saj. Ndoshta ata e kanë ditur se ekzistojnë edhe disa gjuhë të vdekura semite, që janë shkruar nga e majta në të djathë dhe ndoshta është kjo, ajo që zgjon fantazinë e tij prej “mistiku” si në politikë, ashtu edhe në arkitekturë e urbanistikë… Apo mos ndoshta ky misticizëm buron nga njerëzit që e rrethojnë, ose nga ata që i rrinë pranë…? Një Zot e Di!
Por ajo çfarë unë si një nga qytetarët e hershëm të këtij qyteti, si drejtues i Shoqatës “Tirana”, që përfaqëson që prej dy dekadash qytetarinë tiranase, por edhe si një qytetar që banon vetëm disa qindra metra larg qendrës së Tiranës, shoh një tjetër vizion që po i afrohet gjithnjë e më tepër të bërit realitet. Shoh një numër grataçelash me dy shifra, që rrethojnë qendrën e Tiranës, të ngërthyera në një hendek të ngushtë dhe e gjitha kjo ngjan më tepër me një kështjellë mesjetare, ky hendek i ngushtë trafiku, sipas “avokatëve” të planit “Rama” nuk do të ketë më as semaforët e tanishëm dhe makinat do të jenë në lëvizje të shpejtë, pra në vend të ujit të “hendekut” do të kemi një lumë të rrjedhshëm automjetesh, që përveç se do të pengojnë lëvizjen e kalimtarëve, do t’i “neutralizojnë” ata edhe me gazrat, tymrat e zhurmat që lëshojnë! Sigurisht që brenda perimetrit të kësaj “Kështjelle Neomesjetare” do të jetonin “fisnikët”, ose kasta e re e të pasurve, që do të mund të blinin metrat e shtrenjtë të saj, por kujdes: brenda një kështjelle ka vend vetëm për pak mjete transporti! Prandaj edhe numri i makinave do të jetë shumë i kufizuar, në fund të fundit në Mesjetë shumica e njerëzve ecnin në këmbë. Por si t’ia bëjmë që jetojmë në kohën e automobilëve? Përgjigjen na e jep një nga “avokatët e këtij plani rregullues”: “Si në New York – shprehet ai, - ku për një ndërtesë shumëkatëshe të ‘New York Times’-it është lënë vetëm një vend parkimi” dhe kjo për t’i edukuar njerëzit që të përdorin transportin publik”. Sipas kësaj mendësie, të gjitha grataçelave të qendrës së Tiranës do të duhet t’u lihen në dispozicion vetëm 10-15 vende parkimi! Forma të tilla edukimi do t’i kishte zili edhe revolucioni kulturor kinez, që i shikonte qytetarët e Kinës si mjete transporti tregtar e publik... !
Ndërkohë, përtej unazës motorike të kësaj “kështjelle” do të shtrihet “Borgu” me superpopullimin dhe amullinë urbane, tashmë të “konsoliduar” dhe më tej do të vijnë “suburbet” gjysmë rurale të kryeqytetit! A nuk do të ishte pra, kjo një metodë mesjetare e rregullimit urban, që për shkak të kohës kur jetojmë nuk na mbetet, veçse ta quajmë “Neomedievalizëm Urban”?
Por kjo nuk është e gjitha, pasi edhe mënyra e vendimmarrjes për këto rregullime urbane nuk shkon shumë larg absolutizmit mesjetar të “l’etat, c’est moi”, ku ligjin e bën pikërisht kryetari, i mandatuar apo jo, ndërsa të ashtuquajturat dëgjesa publike nuk kanë qenë tjetër, veçse mbledhje të hapura me pjesëmarrjen e mbështetësve dhe demagogji politike, më tepër se sa fushatë sqaruese dhe marrje e mendimit të qytetarëve, siç në fakt duhet të ishin. Për fat të keq, publiku i ka munguar edhe emisioneve të debatit që janë zhvilluar së fundi mbi këtë temë, duke e kufizuar replikën tek “arkitektët avokatë mbrojtës” të këtij plani dhe “prokurorët” mediatikë të tij, e duke lënë krejtësisht anash pikërisht ata që do të preken të parët nga kjo vendimmarrje: banorët e këtij qyteti dhe sidomos ata që jetojnë në qendër dhe rreth saj, ndërkohë që parimi i ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë do të kërkonte që këta qytetarë, jo vetëm të jenë të pranishëm në dëgjesa dhe debate, por edhe të japin pëlqimin ose jo ndaj këtij ndryshimi që lidhet drejtpërsëdrejti me interesat e tyre, me pronat dhe banesat e tyre, me ambientin e tyre të banimit e sidomos me të ardhmen e fëmijëve të tyre, që rrezikojnë të jenë pa vullnetin e tyre “murgjit” e këtij “Holy Shrine”- i, që kryetari i bashkisë së këtij qyteti po ndërton për lavdinë, simbolet dhe interesat e tij vetjake!
Në këtë pikë do t’i thosha krybashkiakut tonë, por edhe të gjithë atyre që kontrollojnë kanalet e komunikimit: a nuk është edhe demokracia e drejtpërdrejtë e pjesëmarrja e grupeve të interesit një nga prerogativat e kohës dhe politikës moderne? Ku është zëri i shoqërisë civile apo atyre të të drejtave të njeriut, që prej muajsh po lobojnë fuqishëm për garantimin dhe respektimin e të drejtave të homoseksualëve, ndërkohë që po lenë në harresë atë që do të jetë memoria vizive dhe simbolika e kryeqendrës së shqiptarëve dhe e të gjithë viseve të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj? E megjithatë, kjo është vetëm pika e dukshme e problemit, pasi rritja e skajshme e dendësisë së popullsisë në qendër të Tiranës pritet të kompensohet me zhvleftësimin e pronave të banorëve të kryeqytetit, që jetojnë vetëm disa qindra metra larg saj, duke ulur lartësinë e ndërtimeve dhe koeficientin e shfrytëzimit të tyre në këtë pjesë të “Borgut” jashtë mureve të “Kështjellës Neomesjetare”, duke penalizuar kështu pikërisht atë shtresë qytetarësh model, që kanë respektuar ligjin më shumë se kushdo, duke mos ndërtuar pa lejet e “ndalueshme” ligjore pikërisht në përmbushje të detyrimit qytetar, duke respektuar ligjet, që rrallëkush i ka respektuar!
Ruajtja e vlerave të gjithanshme, shpirtërore e materiale, kulturore e historike të këtij qyteti ka qenë dhe mbetet një nga prioritete kryesore të Shoqatës “Tirana”. Në fakt, ishte pikërisht në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga kjo shoqatë, që u iniciuan vendimet për ruajtjen dhe restaurimin e Kalasë së Tiranës, kthimi i rrugës pranë saj në pedonale, akordimi i fondeve qeveritare për ruajtjen dhe restaurimin e saj. Por, problemi i qendrës së Tiranës është po kaq sensibël, madje ai merr një rëndësi akoma me të madhe, sepse nëse Kalaja e Tiranës lidhet direkt me memorien historike dhe të shkuarën e qytetit, sheshi “Skënderbej” dhe qendra e Tiranës lidhet me krijimin e shtetit shqiptar dhe me jetën e memorien e brezave të ardhshëm!

*Kryetar i Shoqatës “Tirana”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›