E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leja e legalizimit pas pagesës së truallit

 

Fabiola Çela

Kushdo që ka bërë një ndërtim pa leje përpara se të marrë lejen e legalizimit, më parë duhet të paguajë vlerën e truallit të zënë.
Llogaritja e vlerës së truallit, kryhet nga ekspertët e ALUIZNI-t pas miratimit të dosjes në qeveri. Deri më tani qeveria ka miratuar një numër të konsiderueshëm dosjesh për objektet informale. 
Procedurat
Për të gjitha ndërtimet informale që janë ndërtuar në tokë shtetërore apo në tokën e pronarëve të ligjshëm, ekspertët e ALUIZNI-it kryejnë matjet në terren dhe pas kësaj përgatisin të dosjet përkatëse. Pas kësaj dosjet e hartuara nga ALUIZNI dërgohen për miratim në qeveri. Në këtë momentin fillon e përgatitet vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili konsiston në kalimin e pronësisë pra, kjo sipërfaqe toke i kalohet në pronësi ndërtuesit të ndërtimit informal për t’u bërë e gatshme për të plotësuar lejen e legalizimit dhe më pas kartelën e pronësisë. Me daljen e vendimit, përgatitet fatura sipas sipërfaqes. Çdo qytetar duhet ta likuidojë atë pranë sporteleve të bankës. pas likuidimit të kësaj fature paraqitet te noteri përfaqësuesi i ALUIZNI-t dhe qytetari që ka ndërtuar bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. Pra, agjencia e legalizimit pasi jep lejen e legalizimit kryen edhe plotësimin e kartelës së pronësisë, kartelë e cila dërgohen edhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. “Pra, në momentin që qytetarit i publikohet emri në listat e miratuara nga qeveria atëherë ai shkon e merr faturën e vlerës së truallit pranë zyrave të ALUIZNI-t dhe pasi kryen pagesën ai duhet të nënshkruajë aktin noterial. Pas kësaj ALUIZNI i dorëzon lejen e legalizimit në të njëjtën kohë që merret leja e legalizimit agjencia dërgon edhe dokumentet pranë hipotekës”, shprehen drejtuesit e agjencisë.
Procesi
Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është parashikuar që të përfundojë brenda këtij viti. Nga procesi i legalizimit do të përfitojnë vetëm objekte të jashtëligjshme që janë vetëdeklaruar dhe kanë plotësuar formularët e vetëdeklarimit. Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, të cilët pritet të legalizohen. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë shtesat e pallateve të rinj, bëhet fjalë pikërisht për ato pallate, të cilat ndërtuesit nuk i janë përmbajtur planit fillestar. Për pallatet e reja, tapitë do të jepen edhe në rastet kur ndërtuesi nuk e ka paguar detyrimin e tij. Sipas variantit të ri të ligjit, legalizimet do të kryhen në favor të blerësit dhe për shoqëritë e ndërtimit do të ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit. Por jo të gjitha objektet pa leje janë bërë pjesë e procesit të legalizimit. Të gjitha ndërtimet pa leje, që janë bërë pas datës 15 maj nuk do të legalizohen. Aktualisht procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është i shtrirë në të gjithë vendin. Aktualisht të gjitha kompetencat për legalizimin e ndërtimeve informale i ka Agjencia e Legalizimit. Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore i kanë shkelur të gjitha afatet ligjore, të parashikuara për kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale, qeveria vendosi që ALUIZNI do të kryejë të gjitha procedurat e evidentimit në terren dhe do të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe shqyrtimin për legalizim të ndërtimeve informale.

Procedurat për marrjen e tapisë

    Hartohet dosja me të dhënat tekniko-ligjore e ndërtimit informal

    Qeveria miraton dosjen dhe listat përkatëse

    Pas publikimit të emrit në listë, qytetari kryen pagesën e faturës së përgatitur nga ALUIZNI-i pranë sporteleve të bankave

    Pas likuidimit të faturës nënshkruhet akti noterial mes qytetarit dhe përfaqësuesit të ALUIZNI-it në prani të noterit

    Qytetari merr lejen e legalizimit

    ALUIZNI dërgon dokumentin në hipotekë për regjistrimin e objektit

Brenda javës miratohen 5 mijë ndërtime informale
 
Brenda kësaj jave qeveria pritet të miratojë dosjet e 5 mijë ndërtimeve të tjera informale. Kjo pritet të jetë lista e fundit që do të kalojë për miratim në qeveri përpara zhvillimit të zgjedhjeve. Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë premtuar se përpara zhvillimit të zgjedhjeve qeveria do të miratojë të gjitha dosjet e përgatitura nga ALUIZNI për ndërtimet informale. Vetëm pak ditë më parë qeveria miratoi legalizimin e 6521 ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin. Këto ndërtime ishin të shtrira në 11 qarqe të vendit të ndara sipas qyteteve dhe zonave brenda tyre. Në total qeveria miratoi legalizimin e 1.524 milionë metra katrorë ndërtime informale në të gjithë vendin. Në Tiranë, ALUIZNI i ka dhënë OK legalizimit dhe marrjes së tapive për 12 firma ndërtimi që kanë ndërtuar shtesa mbi lejen e parashikuar. Ndërtimet e legalizuara dje janë të shtrira në qarqet e Tiranës, Beratit, Elbasanit, Fierit, Durrësit, Lezhës, Dibrës, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit dhe Vlorës. Ndërkohë, kush e paguan cash vlerën e legalizimit të objektit do të përfitojë 20 për qind ulje. Sipas drejtuesve të ALUIZNI-t, për kalimin e pronësisë ose të parcelës ndërtimore, në rastet kur e shlyen menjëherë do të ketë një bonus në masën 20% ulje. Kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 4000 lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›