52 mijë nxënës kryen dje provimin e matematikës
U zhvillua dje provimi i matematikës në të gjitha shkollat 9-vjeçare. Pas skandalit të publikuar dy ditë më parë se testi mund të jetë shitur, drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës Fatmir Vejsiu, u shpreh se pas hartimit të testit të ri zhvillimi i tij është kryer brenda të gjitha rregullave dhe ka shkuar sipas parashikimeve. “52 mijë nxënës patën të njëjtin test, i cili përmbante 25 pyetje, 13 prej të cilave ishin me alternativa dhe 12 me zhvillim. Është provimi i dytë i lirimit dhe jemi të sigurt se ky test ka qenë sipas të gjitha kritereve të parashikuara nga rregullorja e provimeve të lirimit”, tha drejtori i Arsimit Parauniversitar Fatmir Vejsiu.
Ai e ka cilësuar si pa pasoja nxjerrjen e testit të dy ditëve më parë. Por Vejsiu ka theksuar se do të merren të gjitha masat që të gjenden përgjegjësit, që e kryen një gjë të tillë. “Do të merren të gjitha masat për të hetuar këtë gjë. Në fakt nuk ka asnjë kosto, asnjë rëndësi, por fakti që nga testi rrodhën disa pyetje, ne do ta ndjekim penalisht”, theksoi ai. Vetëm dy ditë më parë në media u publikua skandali se përgjigjet e tekstit të matematikës shiteshin në treg. Nga verifikimi rezultoi se testi ishte i njëjtë me atë qw do t’i paraqitej nxwnwsve. Pas publikimit të këtij skandali në media ministri i Arsimit urdhëroi menjëherë ndryshimin e testit të matematikës. Ditën e hënë do të nisë edhe korrigjimi i testit të matematikës, ndërsa pritet që sipas rregullores rezultati të jepet brenda dy javësh. Sipas ministrisë, procesi i këtij provimi u mbikëqyr nga administratorë të provimit (AP) në 737 mjedise shkollore të përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale. Testi i matematikës përmbante 25 pyetje dhe nxënësit duhet të grumbullonin gjithsej 50 pikë. Në mesditën e djeshme, në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, u publikuan përgjigjet e sakta të këtij testi. Rezultatet e fituara nga ky test shërbejnë vetëm për të mundësuar përfundimin e arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar dhe në asnjë rast nuk përdoren si instrument përzgjedhjeje për kalimin e nxënësve në arsimin e mesëm.