E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack: Shpresoj në zgjedhje të qeta

 

Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack tha dje nga Pogradeci se shpreson të shohë një proces zgjedhor të qetë në 28 qershor. E ndodhur në Shqipëri së bashku me eurodeputetin Svoboda me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Pogradecit për të çelur sezonin turistik në këtë qytet, Pack tha se “Shqipëria është në rrugë të mbar dhe shpresoj që të zhvilloni zgjedhje të qeta”. Në të njëjtën kohë, ajo komentoi dhe dëshirën e qytetarëve shqiptarë për integrimin në Bashkimin Evropian. Eurodeputetja gjermane, vlerësoi entuziazmin e qytetarëve shqiptarë për këtë proces, sikundër theksoi se ndjen keqardhje, që vendet e BE-së nuk janë aq dashamirëse për procesin e zgjerimit. “Jam e kënaqur si europarlamentare që shikoj gjithë këtë entuziazëm dhe këtë dashuri të madhe të shqiptarëve për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe nga ana tjetër ndjej keqardhje që vendet e BE-së nuk tregojnë të njëjtin entuziazëm. Ne si vende të BE i kemi arritur qëllimet tona dhe kjo me sa duket, bën që njerëzit të jenë të drobitur dhe jo entuziastë”, tha Pack. Sipas saj “Megjithatë ju duhet ta mbani lart këtë entuziazëm, sepse nuk do të jetë e largët dita e realizimit të synimeve tuaja”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›