E Diel, 1 Nëntor 2026

Fletët lagen nga shiu, KQZ prodhon 4943 të tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të prodhojë 4943 fletë të tjera votimi. Shtypja e fletëve shtesë është bërë e nevojshme pasi e njëjta sasi ka dalë jashtë përdorimit për shkak të dëmtimit gjatë procesit të shpërndarjes nga magazinat e KQZ-së në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Para se të merrte vendimin për zëvendësimin e tyre, KQZ, me kërkesë të përfaqësuesve të majtë, ka bërë verifikimin e të gjithë bazës materiale të dëmtuar. Për këtë qëllim, në sallën e mbledhjeve të KQZ-së është bërë dje hapja e katër kutive të votimit të mbushura me bazën materiale zgjedhore, fletë votimi, regjistra të zgjedhësve dhe procesverbale, të cilat gjatë transportimit me mjetet e ushtrisë janë lagur nga shiu dhe janë bërë të papërdorshme. Nën vëzhgimin e përfaqësuesve të partive politike dhe anëtarëve të KQZ-së, administrata e këtij institucioni ka bërë verifikimin duke marrë numrat e serive për çdo grup fletësh votimi. Pasi është kryer kjo procedurë, KQZ ka marrë në shqyrtim aktin për t’i konsideruar këto materiale zgjedhore të pavlefshme dhe eliminimin e tyre. Më konkretisht, bëhet fjalë për fletët dhe bazën tjetër të materialeve zgjedhore për 4 qendra votimi: dy në Fier, në komunat Qendër dhe Cakran si dhe dy të tjera në Korçë: 1 për Bashkinë Pogradec dhe një për komunën Hudënisht. Pjesë e këtij akti ka qenë dhe vendimmarrja për zëvendësimin e tyre me fletë të reja, të cilat do të mbajnë numra serie të ndryshme nga ato që mbajnë fletët që dolën jashtë përdorimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›