Berisha premton se mandatin e dytë do të arrihet transformimi tërësor i sistemit shëndetësor
"Përgëzimet më të mira ekipit të shkëlqyer të mjekëve, të cilët realizuan në bashkëpunim me klinikën e Barit një operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm për jetën e dhjetëra e qindra qytetarëve." Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot pasdite pavijonin e Nefrologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ku pak ditë më parë u krye transplanti i parë i veshkave. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Anila Godo dhe ekipi i mjekëve që kreu me sukses këtë operacion, vizitoi 18 vjeçaren Mitilda Gode, që iu nënshtrua transplantit të veshkave. “Së pari, erdha të vizitoj Mitildën dhe t’i uroj shëndet dhe jetë të gjatë, të falënderoj me shumë mirënjohje të atin e saj, një hero i vërtetë, i cili i dhuroi veshkën, si dhe t’u jap përshëndetjet dhe përgëzimet më të mira ekipit të shkëlqyer të mjekëve, të cilët realizuan në bashkëpunim me klinikën e Barit një operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm për jetën e dhjetëra e qindra qytetarëve. Transplanti i veshkave është një ndër transplantet më të shpeshta e jetëshpëtur,” u shpreh Kryeministri. Në bashkëbisedim me ekipin e mjekëve që kreu këtë transplant, Kryeministri Berisha shprehu jo vetëm kënaqësinë për këtë arritje të mjekësisë shqiptare, por siguroi edhe për vëmendjen e vazhdueshme të qeverisë për këtë sektor të rëndësishëm. “Ne kemi hedhur hapa shumë të rëndësishëm dhe hapa të tjerë janë jetike për suksesin e reformës në shëndetësi dhe ne jemi të vendosur t’i ndërmarrim. Ne po marrim një nga kompanitë më të mira të konsulencës për reformën në sistemin e shëndetësisë.” Ekipi i mjekëve e njohu Kryeministrin Berisha me disa nga arritjet e tre viteve të fundit si gati 6-fishimi i numrit të pacientëve me hemodializë, ngritja e një prej laboratorëve imunologjike më të mirë në Ballkan, sipas vlerësimit të ekspertëve të huaj, si dhe ngritja e një prej sallave më moderne të urologjisë. “Ne kemi infrastrukturë mjekësore që të bëjmë edhe hapa cilësorë të rëndësishëm, siç ishte ky hap,” u shprehën mjekët. Ata falënderuan kryeministrin Berisha për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtyre objektivave të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare. Kryeministri Berisha, duke shprehur kënaqësinë për këto arritje, siguroi se as edhe një rast i vetëm nuk do të privohet nga hemodializa. “Unë u njoha me disa zhvillime të reja shumë pozitive, siç është rritja në tre vjet nga 60 në 310 i kapacitetit të hemodializave në vend. Deri tre vjet më parë, për fat të keq, nga qindra e qindra të rinjve, kryesisht këta pacientë janë të rinj, por edhe të moshave të tjera që kishin nevojë jetike për veshkën artificiale u ofrohej vetëm 60 prej tyre, ndërsa sot ka arritur në 310. Unë u kërkova mjekëve që ky shërbim të mos matet me numër, por të garantohet për çdo të sëmurë në Shqipëri që ka nevojë për këtë procedurë.” Gjatë bashkëbisedimit, duke ngritur disa nga çështjet e reformës në shëndetësi, Kryeministri u shpreh se një ndër drejtimet kryesore të saj do të jetë rritja e cilësisë së shërbimit. “Ne do ta kemi përparësi absolute cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe reformën e sistemit. Një seri zhvillimesh të tjera, - theksoi Kryeministri - janë pozitive. Qytetari pretendimin më të parë duhet ta ketë për cilësinë e shërbimit, sepse ajo është përcaktuese për jetën, shëndetin dhe shumë probleme të tij. Por dua të theksoj se në këtë reformë janë hedhur hapa shumë të mëdha dhe priten hapa të tjerë të rëndësishëm. Por dy nga shtyllat kryesore të saj janë solide sot. Së pari, është ndryshuar tërësisht jeta dhe gjendja e infermiereve. Infermierët janë shtylla vertebrale e sistemit të shëndetësisë. Krahas kësaj, këtë vit ka filluar raporti blerës dhe shitës shërbimesh. Instituti i Shërbimeve Shëndetësore blen shërbimet, klinikat prodhojnë shërbimet dhe i kostojnë ato, një raport ky jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë zhvillimin e mëtejshëm të shëndetësisë. Ne presim që në mandatin e dytë me shpejtësi e vendosmëri të madhe të arrijmë një transformim tërësor të sistemit shëndetësor.” Kryeministri theksoi se një hap i rëndësishëm është bërë edhe në dyfishimin e pagave të punonjësve të shëndetësisë. “Koncepti i dyfishimit të pagave është një koncept jo financiar, pasi financiar është koncepti i indeksimit të pagave. Çdo qeveri ka detyrim indeksimin dhe më tutje. Ky është ligji i përgjithshëm, por ne shkuam me dyfishim e pagave. Më 1 maj kjo lihet mbrapa.” Përmirësimi i sektorit të urgjencës, vijoi Kryeministri, është një aspekt tjetër i rëndësishëm në këtë reformë. “Këtu takova prindin e një djali që ishte sjellë në spital me helikopter nga Peshkopia, i cili nuk gjente fjalë për të shprehur mirënjohjen dhe gëzimin. Ky është një detyrim që qeveria do të përcaktojë për veten e saj për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë dhe flota e parë e helikopterëve do të jetë për të sëmurët. Ne do të bëjmë çdo gjë që t’i kapim në kohën më të shkurtër kudo që ndodhen. Ndaj dhe një projekt me qeverinë japoneze, me vlerë shumë milion dollarësh, është në proces e sipër vetëm për sektorin e urgjencës kombëtare. Natyrisht nuk do të jetë prioritet vetëm urgjenca, por i tërë sistemi i shëndetësisë.”. Kryeministri Berisha theksoi se qeveria i ka të gjitha mundësitë të sigurojë një shërbim shëndetësor cilësor për vendin.
...