E Diel, 1 Nëntor 2026

Leje ndërtimi në këmbim të votës? Këshilltarët lezhianë akuza kryebashkiakut Tusha

LEZHË- “Leje ndërtimi në këmbim të votës dhe pasiguri për paratë që po hidhen nga qytetarët”. Kjo akuzë i drejtohet kreut të Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj nga të majtë dhe të djathtë në Këshillin Bashkiak.

Ka qenë kreu i këtij këshilli, Agustin Marku njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste të rrethit Lezhë, i cili ka denoncuar situatën, duke shtuar se ky qytet nuk ka të miratuar Planin e Përgjithshëm Rregullues dhe se kjo njësi vendore ka lejuar ndërtime që po zaptojnë hapësirat publike. Kjo deklaratë është mbështetur edhe nga këshilltarët e tjerë të majtë dhe sigurisht nga ata të djathtë.

Pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Bashkia, për shkak se kreu i kësaj njësie vendore nuk ka qenë i pranishëm, këshilltarët kanë kërkuar nga qytetarët që të ndërgjegjësohen dhe të jenë më të kujdesshëm, pasi paratë e tyre janë të rrezikuara.

Thuajse në të gjithë territorin e Bashkisë Lezhë konstaton lehtësisht ndërtime të reja, për të cilat nuk ka informacion nëse janë me leje ose jo, ndërsa bashkia nuk jep asnjë shpjegim për situatën e krijuar.
(e.m/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›