E Diel, 1 Nëntor 2026

Leje qëndrimi në Itali, testimi që duhet të kalojnë aplikuesit



Anilejda Shëmbittraku

Kanë nisur në Itali testimet e para të gjuhës italiane, tashmë të detyrueshme, për ata që duan të marrin kartën e qëndrimit. Përmbajtja e testit ndryshon nga një shkollë në tjetrën, sepse përcaktohet nga komisioni i formuar nga drejtori dhe të paktën dy mësues të gjuhës italiane. Por ministria italine e Arsimit ka përgatitur një dosje për komisionet, me udhëzimet e përgjithshme mbi provat. Ky duhet të sigurojë një lloj standardi në të gjithë Italinë. Testi ndahet në tre pjesë: me prova dëgjimi, leximi dhe shkrimi.

Testimi
Kandidatët duhet të dëgjojnë dy tekste të shkurtra, të shqiptuara ngadalë dhe qartë, si biseda, lajmërime dhe udhëzime, transmetim radio ose Tv. Më pas kandidatët pyeten për të parë nëse kanë arritur të kuptojnë elementet kryesore. Më pas kalohet te prova e leximit. Kandidatëve u jepen dy tekste të shkurtër, si një letër nga Kuestura, një lajmërim publik, artikull gazete apo udhëzimet e përdorimit të një aparature të përdorimit të përditshëm (të një pajisjeje elektroshtëpiake, apo të një bankomati). Edhe në këtë rast bëhen disa pyetje për të parë nëse kandidati ka kuptuar atë që ka lexuar. Pengesa e fundit është prova e shkrimit. Kandidatit i kërkohet, për shembull, të shkruajë një e-mail shumë të thjeshtë apo të përpilojë një formular me të dhëna të ndryshme personale.

Procedura
Gjithsej, provimi zgjat 60 minuta. 25 minuta për provën e dëgjimit, që vlerësohet maksimumi me 30 pikë, 25 minuta për provën e leximit që vlerësohet maksimumi me 35 pikë, dhe 10 minutat e tjera janë për provën e shkrimit që vlen 35 pikë. Që provimi të konsiderohet i marrë, duhen mbledhur të paktën 80 pikë nga 100 të mundshmet. Kush ia del mbanë mund të vazhdojë procedurën e zakonshme për kartën e qëndrimit. Atyre që nuk arrijnë të kapërcejnë këtë pengesë nuk u mbetet tjetër veçse të studiojnë sërish dhe të prenotohen për një provim të ri. Por ndërkaq, askush nuk i pengon të përtërijnë lejen e qëndrimit nëse ajo që kanë po u skadon.

TESTIMI
Rreth 961 kërkesa janë bërë nga emigrantët shqiptar

Kanë filluar më 17 janar testet e para të italishtes për emigrantët që kërkojnë leje qëndrimin CE për qëndruesit afatgjatë, të njohur ndryshe edhe si karta e qëndrimit. Ministria italiane e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga 9 dhjetori, data kur hyri në fuqi procedura e re, kanë mbërritur 6.764 kërkesa. Testet e para janë zhvilluar ditën e hënë në Asti dhe në Firence. Më pas do të vazhdohet në Avellino e Firence me 24 janar, në Forli-Cesena më 25 janar, në Aosta, Luka dhe Pisa më 27 janar. Në bazë provincash radhitja është Milano 844 kërkesa, Brescia 309, Roma 263, Bergamo 239 dhe Perugia 219. Për sa i përket shtetësisë së kërkuesve, shqiptarët janë më të shumtët me 961 kërkesa, më pas radhiten marokenët (931), ukrainasit (815), moldavët (491) e ecuadoriane (307).

DEKRETI I FLUKSEVE 2010
Përgjigjiet mbi kërkesat më problematike

1- Kush paraqit kërkesën për flukset 2010?
Kërkesën për thirrjen e një punonjësi të huaj e bën punëdhënësi jo punonjësi që, sipas ligjit, duhet të ndodhet në atdhe. Është punëdhënësi ai që duke nisur nga data 17 janar 2011 mund të regjistrohet në sitin e ministrisë së Brendshme e të përpilojë kërkesën dhe më pas do ta nisë më 31 janar apo më 2 shkurt apo më 3 shkurt sipas tipologjisë së punonjësit. Kjo nuk do të thotë që punëdhënësi nuk mund të ndihmohet nga një shok, nga një familjar apo nga patronatet, ekonomisti, avokati i tij. Mjafton që të dhënat me të cilën regjistrohen në sitin e ministrisë të jenë të punëdhënësit.

2- Një i huaj me lejeqëndrim në Itali a mund të kërkojë të punësojë një të huaj tjetër?
Po. Edhe i huaji që jeton në Itali në mënyrë të rregullt, njësoj si një shtetas Italian, mund të punësojë dikë tjetër për barshkëpunëtor familjar, për shembull, mjaft që të përmbushë kushtet e tjera si ato të të ardhurave. Madje asgjë nuk ndalon që të kërkojë punësimin edhe të një familjari. I huaji mund të paraqesë kërkesën për punësimin e një të huaji tjetër edhe nëse është në pritje të përtëritjes së lejes së qëndrimit apo të kartës së qëndrimit.

3- Jam shqiptar me pasaportën e vjetër, jo biometrike. A mund të paraqitet kërkesë edhe për mua?
Po. Nëse pasaporta që ke është e vlefshme, pra e paskaduar, asgjë nuk pengon punëdhënsin tënd të ardhshëm të paraqesë kërkesë për ty. Por edhe nëse pasaporta është e skaduar kërkesa mund të paraqitet, duke vënë të dhënat e asaj pasaporte në përpilimin e modulëve të kërkesës. Pasaporta e vlefshme do të të kërkohet vetëm kur të shkosh në konsullatën italiane në Shqipëri për të kërkuar vizën e hyrjes.

4- Kush ka një dekret dëbimi mund të thirret nga një punëdhënës në kuadrin e dekretit të flukseve 2010?
I huaji jokomunitar që thirret duhet të jetë në rregull me ligjet italiane në fuqi. Kush ka marrë një dekret dëbimi nuk mund të hyjë në Itali për 10 vjet, me përjashtim të rastit kur i interesuari ka arritur të marrë autorizimin special të hyrjes në Itali të lëshuar nga Ministria e Brendshme sipas nenit 12 paragrafi 13 i tekstit Unik mbi imigracionin.

5- Për mua kishin paraqitur kërkesë edhe me flukset e vitit 2007 por deri më sot nuk mora përgjigje. A mund të gjej një punëdhënës që të paraqesë kërkesë thirrjeje për mua?
Mosmarrja e një përgjigjeje me flukset e vitit 2007 nuk përbën motiv pengues. Nëse gjen një punëdhënës të gatshëm, shumë mirë, thuaji të paraqesë kërkesë sa më parë të jetë e mundur duke nisur nga orari i përcaktuar nga ministria.

6- Kam ardhur në Itali për turizëm a mund të kërkoj një punëdhënës të gatshëm për të paraqitur kërkesë për mua? Jam i penalizuar apo i favorizuar që gjendem në Itali?
Fakti që je në Itali për turizëm do të thotë vetëm një gjë: nuk mund të punësohesh. Por ke në favorin tënd faktin që nëse njeh një punëdhënës që mund të jetë edhe një familjar i yti, mund të përfitosh nga dekreti i flukseve 2010. Punëdhënësi duhet të paraqesë për ty kërkesë për një kuotë të flukseve dhe nëse përgjigjja është pozitive, do të shkosh në konsullatën italiane e do të pajisesh me vizë hyrjeje për punë të varur. Ndërkaq nuk duhet të presësh në Itali deri sa të arrijë përgjigjja e kërkesës për kuotën e flukseve: për sa kohë je si turist nuk duhettë qëndrosh për më gjatë se tre muaj.

19 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›