E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitjet në Albpetrol, prangoset shefi i Postës së Policisë



PATOS - Arrestohet për vjedhje shefi i Komisariatit të Policisë në Patos të Fierit. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme është bërë arrestimi i Gerjan Kondit, 35 vjeç, lindur dhe banues në Fier, me detyrë shef i postës së policisë Patos pranë Drejtorisë së Policisë Fier. Arrestimi i tij mësohet se është bërë për shkak të vjedhjes. Burime nga institucioni i akuzës thanë se, Kondi së bashku me pronarin e firmës "Lladi 2008", Vladimir Çilotaj, 42 vjeç janë vënë në hetim prej disa muajsh. Hetimet ndaj tyre mësohet se janë bërë nga oficerët e Task-Forcës të Prokurorisë së Fierit dhe agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme.

Arrestimi i komisarit
Shefi i Postës së Policisë së Patosit dhe administratori i një shoqërie në qendër të Fierit janë arrestuar pasi akuzohen për “vjedhje dhe shpërdorim detyre”. Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ka bërë të ditur se në pranga kanë përfunduar Gerjan Kondi, me detyrë shef i Postës se Policisë Patos, pranë Drejtorisë së Policisë Fier, dhe Vladimir Çilotaj, administrator i shoqërisë “Lladi 2008”, me qendër në Fier. Sipas Akuzës, “të arrestuarit akuzohen se në mënyrë të vazhdueshme realizonin vjedhje të karburanteve të llojit naftë bruto, në pronësi të Albpetrol-sha Fier”. Arrestimi i tyre u krye në kuadër të hetimeve disamujore të kryera nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier.

Akuzat e ngritura
Prokuroria e Përgjithshme tha se dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “vjedhjes në bashkëpunim më shumë se një herë me pasoja të rënda", "pastrimi i produkteve të veprës penale”, “sigurimi i mjeteve për vjedhje” dhe “përvetësimi i mallrave të vjedhura”. Arrestimi i tyre është kryer në zbatim të urdhrave të ekzekutimit të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Fier. Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi gjatë mbrëmjes së djeshme se hetimet vazhdojnë, pasi dyshohet për përfshirje në aktivitet kriminal dhe të personave të tjerë për të cilët po bëhen hetime nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier. Ndaj dy personave të mësipërm është vendosur nga gjykata masa e sigurisë "arrest në burg".

KRIMI
Lufta në Korçë çon në dy viktima, arrestohet autori

Ka shkuar në dy numri i viktimave nga sherri i ndodhur dy net më parë në qytetin e Korçës. 27-vjeçari Kastriot Hysa ka ndërruar jetë gjatë ditës së djeshme në spital, për shkak të plagëve të marra, ndërsa dy ditë më parë ka humbur jetën Mikel Tepexhiu. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se, mëngjesin e djeshëm, uniformat blu, në bashkëpunim edhe me forcat speciale RENEA, kanë bërë të mundur arrestimin e autorit të vrasjes së ndodhur dy net më parë në qytetin e Korçës. 33-vjeçari Erjon Mukadesi, nga fshati Porodin i Korçës, është vënë në pranga pasi akuzohet për vrasjen e mikut të tij Mikel Tepexhiu, të shtetasit Kastriot Hysi dhe plagosjen e tre të rinjve, Ermal Demolli, si dhe vëllezërit Erjon e Denis Meminaj. Sipas burimeve të policisë, mendohet se gjithçka ka nisur me një bast të vendosur në lokalin e basteve në qendër të qytetit. Një pakënaqësi midis dy grupeve të të rinjve u pasua nga fyerje e shprehje banale dhe përfundoi me armë zjarri. Ka qenë pikërisht 33-vjeçari Erjon Mukadesi, i cili është shkëputur nga grupi dhe ka vrapuar të marrë kallashnikovin në shtëpi. Më pas është kthyer në vendin e sherrit dhe ka hapur zjarr ndaj kundërshtarëve të së njëjtës moshë me të. Për pasojë, mbeti i vrarë në vend Mikel Tepexhiku, Kastriot Hysa (i cili ndërroi jetë dje në spital), si dhe mbetën të plagosur 3 të tjerë. Materialet lidhur me çështjen do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit gjyqësor të Korçës. Sipas policisë së Korçës, 33-vjeçari njihej si përdorues droge dhe dyshohet se krimi është kryer nën efektin e substancave. Autori i krimit është person me precedentë penalë, pasi muaj më pare kishte kryer plagosje në qendër të qytetit.

Konflikti për pronën, babai plagos djalin

DIBËR - Konflikti për pronësinë ka sjellë një tjetër krim në familje, por fatmirësisht pa viktima. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, pasditen e djeshme, shtetasi Ymer Tabushi ka qëlluar me çifte ndaj djalit të tij, Florimit. Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur pasi Tabushi ka qëlluar dhe plagosur të birin pas një konflikti për çështje pronësie në rrethin e Dibrës. Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë orëve të pasdites në fshatin Zallreç. Burime nga uniformat blu lokale thanë se, Ymer Tanushi ka qëlluar mbi një nga djemtë e tij, Saliun dhe Florimin, të cilët ishin përfshirë në një konflikt fizik mes tyre. Sherri ka nisur pikërisht për çështje pronash mes dy vëllezërve. Pasi ka parë dy djemtë duke u zënë me njëri-tjetrin, (nuk ishte hera e parë që ndodhte një gjë e tillë), Tanushi ka rrëmbyer çiften që kishte në banesë dhe ka qëlluar mbi njërin prej tyre duke e lënë të plagosur. Forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur arrestimin e babait të dy djemve që ishin përfshirë në sherrin për pronën. Ymer Tanushi është dërguar në ambientet e Policisë së Peshkopisë ku është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Si provë është bllokuar arma e llojit çifte.

Sherret për pronësinë, eksploziv në banesë

ELBASAN - Një banesë është shkatërruar nga një shpërthim në një fshat të Elbasanit. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se në orët e vona të dy ditëve më parë, në fshatin Mengël të komunës Labinot Fushë, 8 km pranë qytetit të Elbasanit, është dëgjuar një shpërthim në një banesë ende në ndërtim. Pronari i shtëpisë ishte shtetasi Xhevdet Balla dhe dëmtimi i pjesshëm i banesës dyshohet të jetë shkaktuar nga vendosja në të e një sasie të vogël eksplozivi. Sipas burimeve të policisë, në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forcat e policisë dhe ekspertët, të cilët konstatuan se në banesën njëkatëshe në ndërtim e sipër, dyshohet se është vendosur lëndë shpërthyese, lloji i së cilës nuk është përcaktuar ende. Pasi është marrë në pyetje pronari i ndërtesës ku ndodhi shpërthimi si dhe persona të tjerë, mendohet për një konflikt të mundshëm pronësie. Fatmirësisht nga ky shpërthim, i cili ka qenë i fuqishëm, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.

Gjendet i vdekur në banesë 30-vjeçari, mister shkaqet

SARANDË - Trupi i pajetë i një të riu është gjetur i pajetë ndërsa kanë nisur hetimet të shumta. Burimet zyrtare nga Policia e Sarandës kanë bërë të ditur se janë njoftuar për gjetjen e pajetë të 30-vjeçarit Andrea Çuni, ndonëse hipotezat e hedhura janë të shumta. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme, ku trupi i pajetë u gjend nga bashkëshortja e tij. Trupi i pajetë i të riut mësohet se është dërguar drejt morgut të qytetit, ndërsa autopsia mjeko-ligjore do të vërtetojë shkaqet e vdekjes. Dyshohet se vdekja e 30-vjeçarit ka ardhur për shkak të mbidozës, ndonese Çuni nuk njihet si përdorues droge. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se pritet që gjatë ditës së sotme të dilet me një raport për shkaqet e vdekjes së të riut.

19 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›