Leonora me album
Leonora Jakupi ishte njëra prej këngëtarëve që më së shumti u përfol për punën e saj vitin që lamë pas. Ajo realizoi disa video-klipe, ndërkaq tabloidët shkruan shumë edhe për jetën e saj private.
Por, në një bisedë të shkurtër për Rozë, Leonora nuk flet për privatësinë e saj. Ajo flet për punën dhe projektet e saj që do të ndodhin gjatë këtij viti, por edhe kohën e realizimit të një videoklipi nga këngëtarja.
“Mua personalisht me merr kohë realizimi i një klipi sepse përgatitem për produksion, për skenar dhe mandej për xhirime. Në ekip marrë shumë dizajnerë sepse përpiqem që mos të ngjasoj më klipet e tjera, konkretisht me klipet e huaja. Normalisht kohë më marrin shumë, ndoshta një, dy apo më shumë muaj”, thotë ajo.
Në lidhje me video-klipet e vitit të kaluar, Leonora thotë se është ndarë e kënaqur. Ndërkaq për klipin e xhiruar në jaht, për të cilin është folur shumë nëpër media, ajo thotë se është njëri prej klipeve të xhiruara më së shpejti.
“Ideja për klipin e fundit ‘I harruar’ nuk ka qenë ide e imja dhe është xhiruar në bregdet për një javë dhe nuk ka pasur ndonjë skenar të caktuar për të”, thotë ajo.
Në vitin 2010, Leonora ishte shpërblyer edhe në festivalin më të madh të muzikës moderne, atë të Top Fest.
Thotë se në këtë festival ka pasur një klip ku janë gërshetuar idetë me produksionin e tij. “Puthja jote është shpërblyer për klipin më të mirë në Top Fest dhe ka qenë një skenar i përbashkët me produsionin Alexander”.
Ndërkaq, Leonora nuk pritet që të ndalë punën as në këtë vit sepse këngëtarja qysh tani ka filluar përgatitjet për një klip që pritet të fillojë xhirimet gjatë muajit shkurt.
“Nuk ka ndonjë datë të caktuar për kripin, por do të jetë një baladë të cilën e kam kënduar edhe gjatë Vitit të Ri. Ende nuk jam e sigurt se në cilën datë do të dal në xhirime, por besoj dhe shpresoj gjatë muajit shkurt të fillojnë ato, ndërkaq më vonë ai do të prezantohet në mediet dhe televizionet tona”.
Ndryshe, Leonora thotë se gjatë muajit janar beson se do të pushojë pak më shumë sepse në vitin e kaluar ishte e ngarkuar me koncerte të ndryshme dhe xhirime për festën e Vitit të Ri.
“Kam pasur shumë, shumë xhirime, shumë koncerte, shumë angazhime. Për këtë në janar kam vendosur që të pushoj më shumë nga aktivitetet e mia përderisa punën pres që ta filloj qysh në muajin shkurt dhe muajt e tjerë që do të vinë”, thotë ajo.
Ndërkaq, për adhuruesit, këngëtarja thotë se do të ketë edhe një befasi, por nëse asaj do t’i del kohë për të realizuar atë.
“Do të jetë një album muzikor, për të cilën gjë jam përcaktuar, por kur do të del ai në shitje, këtë do ia lëmë kohës sepse ndonjëherë punët e shumta dhe agjenda që e kam përpara nuk më lënë të punoj shumë në të. Por, shpresoj që 2011 të jetë një vit për albumin tim të radhës”, ka thënë këngëtarja Leonora Jakupi.