Përgjimet, vakuumi ligjor në Shqipëri, askush nuk pengohet të bëjë tekno-spiunazh
Ervin KOÇI
Shumë njerëz sot në botë pretendojnë se janë “viktima” të spiunimeve ose përgjimeve në forma të ndryshme, që u cenojnë atyre privatësinë ose u nxjerrin “të palarat” në shesh. Por, pretendimi ose dyshimi se mund të jesh i përgjuar nga dikush, më tepër është kthyer në një fobi, sesa është realitet. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Të bësh një përgjim ose një spiunim, qoftë edhe me teknologjinë më të thjeshtë, ka një kosto të madhe. Por jo kushdo mund të përgjojë dikë tjetër, edhe pse në Shqipëri duket se një gjë e tillë mund të realizohet fare thjesht. Mungesa e akteve ligjore dhe nënligjore në vendin tonë bën që sot kushdo që mund të disponojë një mjet të aftë për të bërë një përgjim, ta realizojë atë pa as më të voglin hezitim dhe pa mbartur asnjë kosto, përveç asaj që kërkohet për zbardhjen e materialit që ke përpunuar. Shteti shqiptar njeh, në fakt, disa institucione, të cilat në raste të caktuara mund të bëjnë realizimin e përgjimeve ose spiunimeve me mjete të posaçme teknologjike-shkencore. Por, për realizimin e këtyre procedurave, përveç kostos që kanë, këto institucione veprojnë sipas disa akteve ligjore dhe nënligjore të posaçme dhe të përcaktuara qartë. Ai lejohet në bazë të Ligjit Nr. 9157, dt. 04.12.2003, “Për përgjimin e telekomunikimeve”.
Kush bën përgjime
Kur flitet për institucionet shtetërore që mund të kryejnë përgjime ose interceptime të ndryshme, rëndom qytetarët e painformuar njohin vetëm Shërbimin Informativ dhe Policinë e Shtetit. Por këto dy institucione shtetërore nuk janë të vetmet dhe të lira që të bëjnë gjithmonë përgjime për subjekte të caktuara. Në Shqipëri operojnë deri në 7 institucione shtetërore, të cilat kanë të drejtën, në bazë të ligjit, të kërkojnë në raste të caktuara kryerjen e përgjimeve interceptive dhe survejuese. Këto institucione, për të gjithë ata që nuk i njohin, janë: Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU, që është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes), Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB, në varësi të Ministrisë së Brendshme), Departamenti Hetimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (në varësi të Ministrisë së Financave), Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve (në varësi të Ministrisë së Drejtësisë), gjykata me vendim të posaçëm. Këto institucione kanë të drejtën ligjore për të kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme interceptimin e telekomunikimeve (përgjimin telefonik), i cili është edhe më i përdoruri. Deri në vitin 2008 ishin vetëm 3 institucione shtetërore që kishin të drejtën e kryerjes së interceptimeve dhe përgjimeve, gjithmonë me vendim dhe kërkesën e posaçme drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme. Ato ishin: SHISH, SHIU dhe Policia e Shtetit. Nga viti 2008, nga 3 institucione që kishin të drejtën e kryerjes së këtyre interceptimeve dhe bërjes së përgjimeve, u shtuan edhe 4 institucione të tjera. Ato ishin: SHKB-ja, Departamenti Hetimor në DPD/MF, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve/MD, Gjykata me vendim të posaçëm sipas neneve 221 dhe 226 të Kodit të Procedurës Penale.
Si bëhen përgjimet
Në të gjitha ato raste kur dyshohet se një subjekt kryen veprimtari që janë në kundërshtim me ligjet e shtetit, institucionet përkatëse kanë të drejtën të kërkojnë edhe kryerjen e interceptimit ose përgjimit. Por kjo realizohet vetëm atëherë kur ky operacion konsiderohet si mundësia e fundit për të siguruar një provë faktike të veprimtarisë së paligjshme. Procedurat parashikojnë bërjen e kërkesës nga institucionet e mësipërme dhe kjo miratohet nga institucioni i prokurorit të Përgjithshëm ose nga ato institucione të autorizuara prej tij. Kërkesa duhet të ketë të qarta argumentet se përse kërkohet të bëhet interceptimi dhe duhet që të vërtetohet se ky lloj veprimi (interceptimi) është e vetmja mënyrë e mbetur për të siguruar këtë lloj informacioni, që përbën një provë të pakontestueshme. Realizimi teknik i interceptimit bëhet me anë të mjeteve të posaçme tekniko-shkencore nga strukturat e përcaktuara dhe të specializuara dhe më pas realizohet nga SHISH-i, në të cilin ndodhet dhe njësia qendrore teknike dhe pajisjet e posaçme për këto lloje operacionesh delikate. Ndërsa çelësi, që ndryshe njihet edhe si “Bërthama komanduese” për dhënien e së drejtës për nisjen e këtyre operacioneve, ndodhet vetëm në zyrën e prokurorit të Përgjithshëm.
Koka e përgjimit
Bërja e interceptimeve dhe përgjimeve të ndryshme, përveç pajisjeve të posaçme, mbart për realizuesin edhe një kosto të konsiderueshme si në burime njerëzore, ashtu dhe në pajime dhe kosto financiare. Për pasojë, zgjatja e një operacioni përgjimi nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Të gjitha këto operacione kanë një afat të caktuar. Afati i interceptimit ose i përgjimit ndaj një subjekti të caktuar, i cili është nën përgjim, është deri në 3 muaj, në bazë të ligjit. Por, nëse nga ky operacion nuk arrihet të përfitohen ose të nxirren në dritë prova bindëse dhe të pakundërshtueshme, apo materiale komprometuese, atëherë ky proces përsëritet edhe për 3 muaj të tjerë, por gjithmonë me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa interceptimet ose përgjimet që kryhen nga gjykata, me kërkesë të kësaj të fundit, drejtuar organit të Prokurorisë së Përgjithshme, për persona të caktuar, për çështje të caktuara, përgjimi kryhet për një afat jo më të gjatë se 15 ditë, por me të drejtën e përsëritjes. Ndërsa kur bëhet fjalë për interceptime ose përgjime për llogari të Gjykatës së Krimeve të Rënda, zgjatja e përgjimit është për një kohë 20-ditore dhe ka të drejtën e ripërsëritjes së procedurës. Në këtë rast, informacioni i përfituar nga interceptimi shërben si provë ligjore.
Informacioni që përfitohet
Ka një marrëveshje të përbashkët mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe drejtuesve të atyre institucioneve për mënyrën e realizimit të interceptimit dhe të administrimit të informacionit të përftuar. Kur SHISH-i ose institucionet e linjës nuk kanë kapacitetet e nevojshme teknike për të kryer interceptime ose përgjime, ato mund t’u kërkojë shoqërive të telekomunikacioneve për t’i kryer këto operacione për llogari të tyre, gjithmonë sipas ligjit. Këto të fundit janë të detyruara, në bazë të ligjit, që ta ofrojnë këtë shërbim për këto institucione.
Tab. 1///////////////////////////////////////////
Institucionet që kanë të drejtën ligjore për të kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme interceptimin e telekomunikimeve:
1. SHISH
2. SHIU
3. SHKB
4. Policia e Shtetit
5. Departamenti Hetimor në DPD/MF
6. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve/ Ministria e Drejtësisë
7. Gjykata, me vendim të posaçëm, në zbatim të neneve 221 dhe 226 të Kodit të Procedurës Penale.
BOX////////////////////////////////////////////////
Ruajtja e privatësisë, nenet që i mbrojnë individët
Të vetmet nene të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, të cilat mbrojnë moscenimin e privatësisë së individëve janë nenet 121, 122, 123. Sipas këtyre neneve, garantohet me ligj ruajtja e privatësisë dhe sekreteve vetjake për individët. Në nenin nr. 121, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” thuhet: “Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”. Ndërsa neni nr. 122, “Përhapja e sekreteve vetjake”, thotë: “Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës ose të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”. Ndërsa neni nr. 123, “Pengimi ose shkelja e fshehtësisë së korrespondencës”, thotë: “Kryerja me dashje e veprimeve të tilla si asgjësimi, mosdorëzimi, hapja dhe leximi i letrave apo çdo korrespondencë tjetër, si dhe ndërprerja ose vënia nën kontroll, dëgjimi i bisedave telefonike, telegrafike ose i çdo mjeti tjetër telekomunikimi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.
19 Janar 2011