E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit tani për vetëm 55 ditë

24/02/2012  Procedurat në sportelin me një ndalese të baskisë për 35 ditë, shpallja në regjistrin publik për 20 ditë

Çelen “Javët e biznesit kombëtar”. Basha: Më 8 Mars, konkursi për zgjatimin e bulevardit

Pranvera Kola

Zhbllokohen procedurat burokratike për lëshimin e lejeve të ndërtimit, të cilat prej kohësh ishin kthyer në gangrenë duke penguar zhvillimin e biznesit kryeqytetas. Nëse më parë subjektet e biznesit duhej të sorollateshin me muaj të tërë nëpër sportelet vendore për marrjen e një përgjigjeje, tashmë do t’u duhet të presin vetëm 55 ditë deri në regjistrimin e plotë të lejes së kërkuar. Ka qenë vetë kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, që u ka komunikuar bizneseve masat e marra për thjeshtimin e këtyre procedurave. Duke nisur nga ky muaj lejet e ndërtimit do të lëshohen vetëm në një sportel, pranë të cilit do të përmblidhen të gjitha veprimet me një ndalesë të vetme. Basha u ka bërë të ditur bizneseve se po shtohen gjithnjë e më shumë lehtësitë që Bashkia e Tiranës po i ofron veprimtarisë së tyre, mes të cilave është edhe sporteli unik, që nis funksionimin brenda këtij muaji. Lidhur me problemet shqetësuese, sa i takon kohëzgjatjes për marrjen e një përgjigje për lejet e ndërtimit, kryebashkiaku konfirmoi se tashmë është vendosur që kohëzgjatja e tyre nuk do të jetë më shumë se 55 ditë, duke e klasifikuar këtë si një mesatare më të shkurtër krahasuar me kohën e shumë vendeve në rajon, e cila kapërcen edhe kufirin e 75 ditëve. “Ne këtë muaj, siç kam premtuar, inaugurojmë sportelin me një ndalesë, shërbimin me një ndalesë, për të gjitha lejet e licencat. Nëse sot mesatarja e dhënies së lejeve të ndërtimit në rajon është 75 ditë, qyteti i Tiranës do ta presë këtë në 35 ditë, duke shtuar këtu edhe 20 ditë të periudhës së detyrueshme për konsultim nga ligji i ri i urbanistikës. Çdokush që do të aplikojë për një leje ndërtimi në qytetin e Tiranës, nuk do të kalojë më shumë se 55 ditë pa përgjigje, nga të cilat 35 ditë do të jetë ndërveprimi me Bashkinë e Tiranës në sportelin me një ndalesë dhe 20 ditë, periudha e shpalljes në regjistrin publik”, - ka deklaruar Basha gjatë një takimit të zhvilluar për 100-vjetorin e Pavarësisë nën moton "javët e biznesit kombëtar". Basha u ka kërkuar bizneseve që të investojnë në vend, duke shitur e blerë vetëm prodhime vendase, nismë së cilës fillimisht i janë përgjigjur 100 biznese, ndërkohë që do të zhvendoset edhe në vendet e tjera të rajonit ku flitet shqip. “Javët e biznesit kombëtar” është konceptuar si panair i produkteve shqiptare, i cili do të nisë në Tiranë më datat 14 dhe 15 mars, për të vazhduar më pas në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe në Preshevë. Ju jeni informuar për reformën e taksave dhe tarifave, jo vetëm jeni informuar, por dhe e keni përkrahur atë në nivele të ndryshme. Ne hoqëm 60 tarifa dhe taksa si dhe kaluam akte në këshillin bashkiak, të cilat bëjnë të mundur përjashtimin për katër vjet nga taksat të të gjithë atyre që punësojnë mbi 50 qytetarë të Tiranës”, - ka deklaruar Basha për bizneset. Më tej kryebashkiaku ka vënë në dukje se plani urbanistik po bëhet në konsultim të plotë me biznesin, duke ftuar edhe Dhomat e Tregtisë së Prishtinës, Shkupit dhe përfaqësuesit e biznesit të Preshevës, Malit të Zi të jenë të pranishëm, pasi Tirana është shtëpia e të gjithë shqiptarëve. “Ky plan urbanistik, duke respektuar parimet mbi të cilat ka nisur, ato të Tiranës së shekullit XXI, të Tiranës moderne evropiane, të zhvillimeve për 100 vjetët e ardhshme, për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme, ka vend që të ketë observimin, pse jo dhe pjesëmarrjen e faktorit shqiptar kudo që ndodhet, jo vetëm brenda Tiranës e Shqipërisë, por dhe më gjerë”, - ka përfunduar Basha.

Dhurata e 8 marsit, projekti

fitues për zgjatimin e bulevardit

Një ndër projektet më të rëndësishme për zhvillimin e kryeqytetit është nisja e punës për zgjatimin e bulevardit nga stacioni i trenit përgjatë lumit të Tiranës. Sa i takon zgjedhjes së projektit, Basha ka konfirmuar se më 8 mars 7 prej 20 studiove më të mira arkitekturore të botës do t’u bëjnë një dhuratë jo të zakonshme grave të Tiranës dhe Shqipërisë, duke prezantuar 7 maketet e tyre për projektin e bulevardit të ri të Tiranës nga stacioni i trenit deri te parku i Paskuqanit dhe të lumit të Tiranës, si dhe rikonfigurimin urban të 14 km katrorë, ose një të pestës së Tiranës. Hapet jo thjesht një kapitull i ri në urbanistikë, por një shans i jashtëzakonshëm për biznesin shqiptar për të marrë pjesë në një vepër që gjithashtu është për 100 vjetët e ardhshëm, sikundër bulevardi që kemi. Zhvillimi i këtij konkursi për zgjedhjen e projektit fitues do të jetë i hapur edhe për publikun.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›