E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano e Arvizu bisedë për situatën politike dhe presidencën

24/02/2012  Ish-lideri socialist takohet me ambasadorin në lokalet pranë stadiumit “Selman Stërmasi”

Burime nga PD shprehen se Nano ka marrë dhe mbështetjen e Berishës për ambicion e tij

Ambasadori amerikan Aleksadnër Arvizu është takuar dje me ish-liderin socialist Fatos Nano në një nga restorantet e kryeqytetit në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”, takim i cili ka zgjatur për më shumë se dy orë. Takimi ishte planifikuar të mbahej dy ditë më parë, më datën 21 shkurt, por u shty për shkak të angazhimeve të ambasadorit pas ngjarjes që ndodhi me trupat tona në Afganistan. Duhet theksuar se në vendin e takimit prania e medieve ishte e madhe dhe me sa shihet dikush nga stafi i Nanos është kujdesur që takimi të jetë në qendër të vëmendjes. Bashkëbiseduesit iu shmangën deklaratave pas takimit, por mendohet se aktualiteti politik si dhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm, që Nano ka shfaqur haptazi ambiciet për këtë post, ka qenë temë kryesore e diskutimit. Në fakt, më parë ka qenë vetë ambasadori Arvizu që ka shprehur hapur konsideratat për figurën e Fatos Nanos, duke mbështetur indirekt dhe ambicien e tij për president.

Mbështetja e PD-së

Kandiatura e Nanos nuk mbështetet vetëm nga ambasadori Arvizu, por dhe nga vetë Partia Demokratike. Negociatat kanë filluar dhe në krye të tyre është vetë kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi. Ky i fundit nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, por burime pranë PD-së shprehen se një takim tjetër është zhvilluar vetëm para pak ditësh, ku sipas të njëjtave burime Nano ka marrë përkrahjen e PD-së për presidencën e ardhshme, me kusht që propozimi të jetë nga 20 deputetë që i përkasin kryesisht forcave politike të majta. Natyrisht që shumës totale të propozuesve i bashkëngjiten dhe votat e LSI-së, Shpëtim Idrizit, Kastriot Islamit apo dhe Vangjel Dules, kështu që Nanos i duhen vetëm 12 deputetë për të bërë realitet ambicien që ai ka kohë që e ka shfaqur. Më tej votat e mazhorancës ia garanton një marrëveshje e ardhshme me Berishën, i cili, me sa duket, i duhet të heqë dorë nga kandidatura e Topallit, e cila në këto kushte ku ndodhen marrëdhëniet pozitë-opozitë s’do bënte gjë tjetër vetëm se do acaronte më tej situatën.

Mimi Kodheli

Përpara dy ditësh deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli e la të hapur mundësinë e pranimit të kandidaturës së Fatos Nanos për kreun e shtetit, kandidaturë që deri dje ishte temë tabu në ambientet e së majtës. Pyetjes së gazetarit në lidhje me këtë çështje Kodheli iu përgjigj: “Pse jo? Nano është një figurë me kontribute tek e majta.” Por duke parë ecurinë e Partisë Socialiste, duhet theksuar se janë të shumtë deputetët që mendojnë si Kodheli dhe që mund t’i bashkëngjiten aksionit për të pasur ish-shefin e tyre në krye të shtetit shqiptar.

Heshtja e Ramës

I vetmi që s’ka shprehur një mendim të qartë në lidhje me kandidaturën e Nanos për president ka qenë vetëm lideri aktual i opozitës Edi Rama. Në fakt, gjatë një interviste ai nuk e ka mohuar, por as nuk e ka pohuar një fakt të tillë, duke dhënë një përgjigje evazive. Ndoshta Rama i druhet një ardhjeje të Nanos në krye të shtetit, pasi pozita mund të jetë e favorshme për t’i bërë ndonjë çarje tjetër brenda partisë. Gjithsesi, gjasat që Nano të marrë Presidencën janë të shumta, pavarësisht qëndrimit të Ramës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›